17 Gusht, 2024 - 11:27 am
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ndjekur së afërmi gërmimet arkeologjke në parkun arkeologjik “Ulpiana”, të cilat po zhvillohen nga arkeologë vendorë e të huaj.
Kryeministri Kurti tha se pas zbulimit të mbishkrimit historik në bazilikën e Justinianit, ky ekip i ka zgjeruar gërmimet duke shpërfaqur fragmente të tjera nga mozaiku i dekoruar, të cilat janë dëshmi që ndriçojnë të kaluarën e pasur e të lashtë të vendit tonë.
Më tej Kryeministri Kurti “Parkun Arkelogjik-Ulpiana” e ka cilësuar si pasuri me potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim të turizmit, i cili mund të shndërroj Ulpianën në destinacion tejet interesant për vizitorë vendor e të huaj.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë:
Në Ulpianën antike, aty ku vitin e kaluar u zbulua një mbishkrim i veçantë, i Perandorit Justinian (527-565), që tregon lidhjen e tij me Dardaninë, ishim për të parë nga afër gërmimet arkeologjike të udhëhequr nga arkeologët Christophe Goddard, nga Universiteti “Ecole Normale Supérieure” në Paris, Arben Hajdari nga Universiteti i Prishtinës dhe Milot Berisha nga Instituti Arkeologjik të Kosovës.
Pas zbulimit historik, ekipi ka zgjeruar gërmimet në bazilikën e Justinianit duke shpërfaqur fragmente nga mozaiku i dekoruar me motive gjeometrike të shpendëve, me kupa e shatërvanë. Këto simbolika i referohen ritualit të pagëzimit, ku shpirti gjen një jetë të dytë me ujin e pagëzimit, sikurse zogu që vjen për të pirë ujë nga burimi.
Mozaik i punuar nga gurë vendor, që karakterizohet me një arritje të lartë artistike, e ku veçohen më shumë se katër nuanca. Vepra artistike këto të punuara nga njerëz të cilët kanë jetuar në kohën e sundimit të Justinianit. Dëshmi të tilla ndriçojnë të kaluarën e pasur e të lashtë të vendit tonë.
E kjo pasuri, paraqet njëkohësisht një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim të turizmit, duke e shndërruar Ulpianën në destinacion tejet interesant për vizitorë vendor e të huaj.
Për të siguruar kushte për ruajtje e prezantim të lokalitetit, kemi miratuar Planin e Menaxhimit dhe kemi shpallur thirrjen për zbatim të këtij plani, përmes së cilit synojmë funksionalizimin e interpretimin dinjitoz të këtij thesari të trashëgimisë sonë kulturore.
Pjesë e ekipit të arkeologëve, sot ishin edhe shumë studentë të nivelit Bachelor, Master e Doktoratë, ku një numër prej tyre janë mbështetur nga qeveria nëpërmjet bursave të studimit. Arkeologët e arkeologet e reja paraqesin gjeneratën pasuese të cilët do të vazhdojnë me hulumtimin në Ulpianë e lokalitete tjera arkeologjike në vendin tonë.
Përkushtimi i Qeverisë ndaj arkeologjisë mbetet i palëkundur, duke e përfshirë atë në prioritetet programore e duke ofruar mbështetje institucionale, profesionale e financiare./ KultPlus.com