4 Nëntor, 2017 - 9:38 pm
Ky vit shënon 105-vjetorin e Pavarësisë të shtetit shqiptar dhe 30-vjetorin e ndarjes nga jeta të poetit Lasgush. Në këtë 105 vjetor ne kujtojmë të gjithë ata burra, të cilët me trimërinë e tyre me forcën e fjalës dhe të mendjes e lartuan madhështinë e kombit tonë, e bënë që të përparojë krahas kombeve të tjerë.
Shkruan: Meri Lalaj
Ky vit shënon 105-vjetorin e Pavarësisë të shtetit shqiptar dhe 30-vjetorin e ndarjes nga jeta të poetit Lasgush. Në këtë 105 vjetor ne kujtojmë të gjithë ata burra, të cilët me trimërinë e tyre me forcën e fjalës dhe të mendjes e lartuan madhështinë e kombit tonë, e bënë që të përparojë krahas kombeve të tjerë.
Më kujtohet 4 qershori i vitit 1999, kur ne, poetë nga Shqipëria ishim mbledhur në Tetovë dhe atje krejt manifestimi poetik i ishte kushtuar Kosovës. Aty unë përshëndeta me fjalët që ka shkruar diku Lasgushi: “Do të vijë një kohë, kur do të vemë në dasmë e do të urojmë: Mos e pifshim këtë gotë, po të mos bashkohemi me Kosovën! Dhe do të vemë në vdekje dhe do të ngushëllojmë: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën… Do të vijë një kohë kur dollia do të fillojë me këto fjalë: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën.” Të nesërmen e asaj dite, ne vizituam kampin e Çegranit, në të cilin ishin strehuar 45.000 kosovarë të dëbuar nga trojet e tyre dhe nuk e dinim se pas një jave gjithçka do të ndryshonte do të hapeshin rrugët drejt Kosovës dhe ne do të përplasnim gotat t’u bashkuar me njëri tjetrin. Kjo kohë erdhi njëherë e përngaherë.
E kam njohur poetin Lasgush që fëmijë e vogël, kur fillova të shoh dhe të njoh njerëzit rreth e rrotull meje, sepse ai kalonte nëpër oborrin e shtëpisë sonë, ai ishte Llazar Gusho dhe nëna ime rridhte po nga ai fis i Gushollarëve. Kur fillova të lexoj poetët, ata më dukeshin të paarritshëm diçka posi qenie qiellore dhe nuk e dija se një poet, “të cilin Shqipëria do t’ia falte botës” siç ka thënë Profesor Eqrem Çabej – jetonte, frymonte, shkruante aty fare pranë shtëpisë tonë përtej Lumit të Madh të Mitrush Kutelit.
Lasgushi dhe unë u bëmë miq nga mesi i viteve ’70-të, kur unë me time bijë u ktheva për të jetuar sërish në Pogradec. Në vitin 1972 Lasgushi botoi në revistën “Nëntori”, me rastin e 60 vjetorit të pavarësisë, poemën “Mbi ta”, e cila i kushtohet kryengritjes së Malësisë të Madhe të viteve 1911-12 dhe kujtimit të patriotit Risto Siliqi, që luftoi me pushkë e penë tok me trima të tjerë si: Ded Gjo Luli, Mehmet Shpendi e shumë të tjerë. Në këtë poemë, në këtë botim nuk përmendej fare fjala “Kosovë”, por kjo ishte e zëvendësuar me fjalën “Malësia”, sepse në ato vite edhe emri Kosovë ishte i ndaluar për ne shqiptarët. Ne kishim mësuar aq shumë në shkollë për shtetet e Azisë, lumenjtë e liqenet e Afrikës, kafshët e Australisë, por asgjë për Kosovën. Për Kosovën unë kam mësuar nga vetë Lasgushi kur më rrëfente se në fushat e Kosovës gruri rritet sa një bojë njeriu, se në minierat e Trepçes prodhohet argjend dhe se nënat kosovare lindin nga dymbëdhjetë djem sepse u duhen për luftë. Pra, edhe vargjet nga poema “Mbi ta” unë i kam mësuar nga goja e Lasgushit:
Kaptuam shtatë male rresht
E s’folëm shtatë fjalë,
Kaptuam shtatë male rresht
Malësisë për t’ju falë.
Dhe poeti vijonte:
Kush është lulja në Ballkan
Që bota i ka sevdanë
Kosova që s’njeh sulltan
Plot difë e kapedanë.
Kosova që bën sulm në zjarr
Posi dragoj me fletë,
Siç bënte sulm ngadhërimtar
Gjergj Kastrioti vetë.
Të sedrës e me shpirt krenar
S’durojnë cen a dhunë
Tregojnë gjoks në sulm e zjarr
Si shkaba në furtunë.
Po në këtë vit Lasgushi pati përfunduar poemën e tij “Kamadeva” (Kupid, Eros, Zot i Dashurisë), e cila i kushtohet dashurisë më të madhe të jetës së tij të viteve 1931-1933, por kjo poemë qarkullonte nën dorë nëpër miq e shokë, sepse nëpër vargjet e saj bëhej fjalë për dashuri të vërtetë, ndërsa ne bënim jetë të gënjeshtërta. Në vargjet e kësaj poeme ai shkruan:
…Po sot as dhe më s’di
Jam a s’jam gjallë,
Se mua kurrsesi
S’ma nxorre mallë.
…Përpiqem e lëngoj
Me mall të trerë
Kërkoj e ligjëroj
Derë më derë;
Për gushën të këndoj
Për supe e llërë,
Për krahët si vargoj
Thurur tërtërë;
Për afshin n’atë gji,
Ku qan bilbili,
Ku del një merudhi
Prej trëndafili.
…………………..
Me shpatë mes-për-mes
Jam i përshkuar,
Me zjarr që kurrë s’vdes
I përvëluar.
S’e mirrnja dot mi dhe
Me ment’ e mia
Që shpatë e presë e teh
Kish dashuria.
Gjatë viteve kur lulëzonte realizmi socialist, Lasgushi nuk shkroi kurrë sipas kësaj metode, ai kurrë nuk shkroi një varg për Partinë apo Enverin, sepse ai nuk mund të bëhej sahanlëpirës (siç shprehej vetë). Vërtet atë e mënjanuan, e lanë të harruar, askush nuk kujtohej për të, sa që ditën kur ndërroi jetë, studentët e Fakultetit të Filologjisë u habitën dhe thanë: “Paskërka qenë gjallë!” Lasgushi kishte shumë dëshirë që të vinte dhe të vizitonte Kosovën, kishte mall për dheun kosovar. Atë e ftuan me rastin e tetëdhjetëvjetorit të lindjes në vitin 1979, por nuk u organizua ardhja e tij, edhe ai e kishte fare të qartë se do ta shoqëronte me patjetër ndonjë njeri i Sigurimit të Shtetit dhe nxori arsye sikur ishte i sëmurë. Gjithnjë më thoshte: “Kur të shkoj në Kosovë, gjëja e parë që do të bëj do t’ju jap poemin tim”Kamadeva” dhe ata do të ma botojnë sepse atje më duan.” Në vitin 1980 Shtëpia Botuese “Rilindja” e Prishtinës botoi përmbledhjen poetike të Lasgushit “Vdekja e Nositit” dhe ai u mrekullua kur i ra në dorë ky libër, gëzohej si fëmijë duke thënë: “Sa bukur! E kanë bërë edhe me shkronja prej floriri”
Më kujtohet se në vitin 1981 në revistën “Studime Filologjike” u botua një shkrim i gjatë me 40 faqe ku kritikohej Lasgushi. Dhe, ashtu siç ndodh rëndom me ne shqiptarët, për ironi të fatit, pikërisht këtij njeriu në vitin 1996 kur u organizuan “Ditët e Lasgushit” në Pogradec, i dhanë çmimin kryesor të karrierës në takimin “Lasgush Poradeci”
Lasgushi pat botuar para viteve ’40-të dy libra të mrekullueshëm poetikë Vallja e Yjve” dhe “Ylli i Zemrës” pastaj heshti, por nuk heshti dhe nuk rreshti, sepse përveç dy poemave që përmenda më lart shkroi poezitë “Ballada e Reshit Çollakut” më tej “Ballada e Muharrem Çollakut”. Lasgushi i kishte miq Çollakët dhe prandaj shkruante për ta Heroin e Popullit Reshit Çollaku, që u vra në Betejën e Pojskës dhe Muharrem Çollakun, i cili në vitin 1941 ka dhënë mësim në Gjilan.
Lasgushi pas vitit 1944 thuajse tërë kohën përktheu mrekullisht nga letërsia botërore, nuk do të bëj këtu analizë të shqipërimeve të tij, veç mund të them nga pak krahasime që kam bërë për shembull me poezitë e poetit skocez Robert Bërns, ato tingëllojnë shumë më bukur në shqipen e Lasgushit se sa në origjinal për shembull poezitë “Meri Morison” dhe “Findlej”. Ashtu i përkushtuar dhe për të mbijetuar iu vu punës së mundimshme të shqipërimit duke sjellë në gjuhën tonë poetë të mrekullueshëm si: Gëte; Hajne, Pushkin, Adam Mickieviç, Mihail Eminesku e shumë të tjerë.
Lasgushi për nga thellësia e mendimit, bukuria e vargut, përdorimi i rimave të ndryshme, fjalori që përdor, vendosja e fjalëve ngjeshur pas njëra tjetrës vërteton që është poet europian, me të cilin do të nderohej çdo komb i kontinentit tonë. Më ka rastisur që të jap një intervistë në Radio-Tirana dhe të bëj krahasim midis Lasgushit dhe poetit rus Sergej Esenin, meqë kam përkthyer një monografi të jetës së tij. Kam theksuar se Lasgushi i përket një kombi të vogël, ndërsa Esenini një kombi të madh. Poezia e Eseninit është e thjeshtë e kapshme prej të gjithëve, sepse është e mbështetur vetëm mbi këngët dhe baladat ruse, Esenini përveç shkollës fillore pati ndjekur vetëm një seminar fetar, pra një person me arsim të cunguar gjysmak, ndërsa Lasgushi studioi shtatëmbëdhjetë vite nëpër universitetet e Europës duke mbrojtur tri doktorata, ai zotëronte gjuhët më kryesore të Europës dhe njihte thuaj të gjitha filozofitë deri në ato indiane. Siç më ka treguar ai donte të mbronte edhe sanskritishten. Për Lasgushin ka vetëm një keqardhje se poezia e tij vështirë të përkthehet në gjuhët e huaja, kjo ndodh për shkak të mendimit të thellë filozofik që ajo mbart, fjalorit shumë të zgjedhur si edhe ngjeshjes së fjalëve njëra pas tjetrës. Më ka qëlluar që të shoh pak poezi të tijat të përkthyera në gjuhë të huaja, kështu për shembull në frëngjisht vargjet: “Fryn veriu në Mal të Thatë, / Thotë vasha lele ngriva…/ tingëllojnë kështu: “Fryn era në mal dhe vajza ka ftohtë”, ndërsa poezia himn: “Vdekja e Nositit” me vargjet madhështorë: “Me zjarr ju flas me zjarr, / Në gjirin tim kam hapur varr” etj. në italisht thuhet: “Con fuoco io parlo con fuoco…”
Pasi mbarova studimet dhe u emërova në një gjimnaz në Korçë, për Vitin e Ri, Lasgushi më dërgoi kartolinë urimi dhe në vend që të shkruante fjalë të rëndomta si: Gëzuar… shëndet.. suksese… e të tjera, ai më dërgoi këtë poezi me atë shkrimin e tij të përsosur:
E mora shoqezën përkrah
E mora shoqezën përkrah,
E matmë rrugën ca-nga-ca,
Sikur na ndillte larg diçka
Pa zuri dita perëndoj,
Pa zuri nata na mbuloj,
Pa zura shoqen t’a pushtoj.
Përse buçet, liqer i qet!
Liqer, ti ç’thua ndaj buçet!
Çfarë pe, liqer, mi zall të shkret?
E vëndin kur e sjell nërmënd;
Kur sjell nërmënd ah atë vënd,
As rroj, as vdes, po jam pa mënd.
Në ngjarjet e pranverës së vitit 1981, më së fundi në gazetën tonë “Zëri i Popullit” filluan të dalin artikuj kushtuar Kosovës. Lasgushi ndodhej në Pogradec, unë mirrja gazetën përditë dhe e lexonim të dy. Ai gjithnjë përsëriste fjalët: “Kosova është vullkan!” Mbaj mend se në njërën nga bisedat ai më tha: “Jugosllavia nuk mund të qëndrojë shtet ashtu siç është një shtet-mozaik, që ka brenda sllovenët, kroatët, maqedonasit, malazezët, shqiptarët…” Dhe sa shumë u çudita kur në fillim të viteve ’90-të Jugosllavia u shpërbë.
Më 10 janar 1991 në Pogradec u organizua mitingu për Liri dhe Demokraci aty mes brohorimave dhe duartrokitjeve të turmës së mbledhur për herë të parë e padetyruar u recitua poezia e Lasgushit: “Marshi i Djalërisë”
Urdhëroj i Madhi Zot;
Zu ndrin yll’ i Shqipërisë,
Ndrin e më s’përmbahet dot
Se që sot e jetë-plot
Po rreh zemr’ e Djalërisë.
Djalëri, lart për liri!
Lart për Zonjën Shqipëtare!
Yll në ball-e zjarr në gji,
Zjarr në gji për Shqipëri,
Digju! Zemra djaloshare
Lidhni besën për Atdhe,
Ju me gjak të Kastriotit!
Lidhni-e shpejt e bëni be
Be që vret posi rrufe
Para Kombit para Zotit!
Djalëri, heu! Yll i ri!
Djalëri, këng’ e shëndetit!
Për liri, për lumtëri,
Rrofsh e lumja Djalëri!
Rrofsh e qofsh sa val’ e detit.
Ndonëse kanë kaluar më se njëzet vjet qëkur Lasgushi ka ikur nga kjo jetë dhe ne e përkujtojmë, ndonëse ai nuk mundi dot të vinte kurrë në Kosovë, unë mendoj se për Lasgushin nuk mund të flasim në kohën e shkuar, por vetëm në kohën e tashme, sepse ai gjithnjë është i pranishëm midis nesh edhe këtu edhe në Kosovë, ai ndodhet këtu midis nesh “anëtarëve të poezisë”./mapo