20 Shtator, 2023 - 2:11 pm
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë njofton se Inspektorati i Arsimit ka nxjerrë vendim me të cilin obligon Drejtorinë Komunale të Arsimit në Fushë Kosovë për suspendimin nga puna të dy edukatoreve dhe kuzhinieres së çerdhes “Gëzimi ynë” të kësaj komune.
Kështu ka konfirmuar për Indeksonline zëdhënësja e MASHT, Edona Kutleshi-Maliqaj.
“Inspektorati i Arsimit ka nxjerrë vendim me të cilin obligon Drejtorinë Komunale të Arsimit në Fushë Kosovë që menjëherë të suspendojë nga marrëdhënia e punës 3 punëtorët e Institucionit parashkollor “Gëzimi Ynë”, N.M, SH.I dhe N.H derisa të vendosin organet e hetuesisë/drejtësisë”, tha ajo.
Kutleshi-Maliqaj tutje theksoi se përmes vendimit, Inspektorati i Arsimit obligon Drejtorinë Komunale të Arsimit në Fushë Kosovë qe të merren masa edhe ndaj drejtoreshës së çerdhes e cila nuk ka vepruar me kohë për rastin.
“Po ashtu, përmes këtij vendimi, Inspektorati i Arsimit obligon Drejtorinë Komunale të Arsimit në Fushë Kosovë që të merr masa disiplinore ndaj drejtoreshës së Institucionit parashkollor “Gëzimi ynë”, në Fushë Kosovë, e cila nuk ka vepruar me kohë për rastin në fjalë”, tha ajo.
Kujtojmë se sot Prokuroria kërkoi që ndaj dy edukatoreve të caktohet masa e paraburgimit.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente, ndaj të pandehurave N.M. dhe N.H., për shkak të veprave penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, nga neni 195 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe “Lëndimi i lehtë trupor”, nga neni 185 paragrafi 3, pika 3.1 lidhur me paragrafin 1, pika 1.4 të KPRK-së”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com