29 Qershor, 2019 - 10:30 am
Komuniteti artistik po ndihet i diskriminuar nga Ligji për Sponsorizime, i miratuar të enjten në Kuvendin e Kosovës. Kuvendi ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për të Ardhurat e Korporatave me 74 vota për dhe me dy abstenime. Artistët po konsiderojnë se ky ligj po u bën padrejtësi, për faktin se sipas Nenit 12 të këtij Ligji, sponsorizuesit për sponsorizime në aktivitetet e sportit u njihet zbritja tridhjetë për qind (30%) nga tatimi në fitim, kurse sponsorizuesit për sponsorizime në fushën e kulturës dhe të rinisë u njihet zbritja njëzet për qind (20%) nga tatimi në fitim në bazë të Ligjit Nr.05/L-029 për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave. Sipas tyre, ky dallim do të ndikojë që sponsorët duke pasur më shumë leverdi të anojnë më shumë kah aktivitetet sportive.
Besa Luzha, nga komuniteti artistik, ka thënë se ky dallim prej 10% lirimi nga tatimi e dëmton kulturën dhe i drejton sponsorizuesit edhe më shumë kah sporti. “Edhe pse shumë e gëzuar që ligji shumë i nevojshëm kaloi, më duhet të shpreh zhgënjimin se deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe Ministria vepruan jo në përputhje me parimin kryesor, që mbron Kushtetuta e Kosovës – barazinë. Barazia në gjini, moshë, status, profesion e të tjera është thelbi i demokracisë. Gjithë respektin për sportistët dhe për të gjitha grupet tjera të shoqërisë. Por në një ligj të vetëm të përfshihen dy kategoritë (sporti dhe kultura) e ato të trajtohen ndaras dhe në mënyrë të pabarabartë (30% me 20%) është paradoks. Por ky vend vuan nga pabarazia në çdo aspekt. E lufta për barazi do të vazhdojë”, tha Luzha.
Në anën tjetër producenti e aktori Fatmir Spahiu ka thënë se megjithëse e diskriminon në përqindje, ky ligj do t’i shërbejë edhe sferës së kulturës. “Ky votim i hap rrugë zhvillimit më të madh të produksioneve private dhe aktiviteteve të tyre në sferën e filmit, të teatrit dhe në përgjithësi të kulturës. E vërteta është se kultura është e diskriminuar për 10% në raport me sportin, por më mirë të fillojë kështu sesa të mos bëhet fare”, ka thënë Spahiu.
Edhe deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, gjatë debatit të zhvilluar për këtë ligj në Kuvendin e ditës së enjte tha se ky ligj krijon pabarazi, sepse me të po krijohen kushte që investimet të jenë më të leverdishme në sport sesa në kulturë. “Mendoj se ky nuk është modeli më i mirë dhe një arsye tjetër është se me amendamentin e propozuar po krijohen kushte që investimet të jenë më të leverdishme në sport sesa në kulturë. Pra po krijohet një pabarazi mes sportit dhe kulturës. Nëse do ta votoja këtë amendament do ta votoja vetëm nëse sportistët mendojnë se ky ligj ju ndihmon”, tha Konjufca, duke shtuar se nëse sportistët e konsiderojnë si të duhurin, ai dhe partia e tij do ta votojnë.
Në anën tjetër ministri i Kulturës, i Rinisë e i Sportit, Kujtim Gashi, ka deklaruar se me zbatimin e këtij ligji do të mundësohet që rreth 30 milionë euro të sponsorizohen brenda një viti për zhvillimin e sportit, të rinisë, të artit e të kulturës. “Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës votuan për harmonizimin e Ligjit për të Ardhura në Korporata me Ligjin për Sponsorizim. Kështu nga sot, me fillimin e zbatimit e ligjit në fjalë, do të mundësohet që rreth 30 milionë euro të sponsorizohen brenda një viti për zhvillimin e sportit, të rinisë, të artit e të kulturës. Implementimi i Ligjit për Sponsorizim do të thotë sport më cilësor, prezantim më i suksesshëm i sportistëve në arenën ndërkombëtare e kësisoj promovim i mëtejmë i Kosovës ndërkombëtarisht, më shumë medalje për sportistë e më shumë çmime ndërkombëtare për artistë. Me të marrë drejtimin e MKRS-së kemi hartuar rregulloren përkatëse, Komisionin për Vërtetimin e Sponsorizimit, si dhe kemi lëshuar vërtetimet e para për disa donatorë, pra kemi përfunduar paraprakisht të gjitha obligimet që dalin nga ligji përkatës”, ka deklaruar Gashi.
Nga zyra e ministrit Gashi, ka thënë se ky ligj bën vetëm një favorizim të lehtë ndaj sportit. “Në fakt ky ligj bën një favorizim të lehtë të sportit, por që edhe kultura, edhe rinia do të përfitojnë nga përqindja e liruar për këto dy fusha. Ne besojmë shumë që ky ligj do të ndikojë direkt në përmirësimin e cilësisë në sport dhe njëkohësisht do të ndikojë edhe te kultura e rinia, të cilat për ne si Ministri janë të pandashme”, pati deklaruar Samir Hoxha, këshilltar i ministrit Gashi./Zëri/