Lule Elezi prezantohet me koncert në Gjermani, interpreton edhe veprën që i kushtohet asaj (FOTO)

7 Maj, 2018 - 2:06 pm

Kalaja Storkow (Mark), në afërsi të Berlinit ishte e mbushur me adhurues të muzikës klasike, të cilët kishin zënë vend për të shijuar tingujt e pianistes së mirënjohur kosovare Lule Elezi, e cila për një orë e 40 minuta ka bërë që të pranishmit e shumtë të shijojnë tinguj nga vepra të mëdha botërore, shkruan KultPlus.

Në koncertin që është organizuar nën patronazhin e kryetares së këtij qyteti, Cornelia Schulze – Ludwig, Lule Elezi ka përcjellë emocion nëpërmjet veprave të njohura nga opusi krijues i kompozitorëve të njohur botëror si : Ludwig van Beethoven , Frederik Shopen…

Mirëpo, e veçanta e kësaj mbrëmje, përpos pianistes shqiptare, ka prezantuar edhe një vepër shqiptare.
Vepra “Flower” e kompozuar nga kompozitori kosovar Kreshnik Aliçkaj, që i është dedikuar po pianistes Lule Elezi, nga vetë Lule Elezi është interpretuar para të pranishmëve si premierë, vepër kjo, sikurse edhe të tjerat është mirëpritur nga audienca gjermane.

“Është një emocion i veçantë kur kompozitorët krijojnë vepra dhe të njëjtën ta dedikojnë. Vepra “Flower” që ka edhe emrin tim, më ka bërë të ndihem shumë mirë, dhe sidomos edhe për faktin që po këtë vepër e prezantova premierë para një audience gjermane, të cilët e kanë mirëpritur jashtëzakonisht mirë”, ka thënë Elezi.

Bëhet e ditur se ky koncert është përcjellë me duartrokitje të gjata nga të pranishmit, ku të pranishëm kishte shumë mysafirë nga jeta politike, kulturore…
Pianistja Lule Elezi është e dëshmuar për koncerte të shumta jashtë vendit, e cila është prezantuar shumë shpesh me koncerte sofistike në vende të ndryshme të botës./KultPlus.com

Të ngjajshme