Majlinda Kelmendi vjen me ekspozitën “Hapësirë Sfiduese, Standard për Asgjë”

9 Shtator, 2024 - 12:15 pm

“Hapësirë Sfiduese, Standard për Asgjë” është ekspozita e radhës e artistes Majlinda Kelmendi, e cila do ta prezantojë në Galerinë e Arteve “Vilson Kilica” në Fier të Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Ekspozita do të hapet më 10 shtator, prej orës 19:00, dhe sipas Kelmendit, në botën e artit bashkëkohor, konceptet dhe format shpesh sfidojnë kufijtë e njohur dhe krijojnë hapësira të reja për të menduar dhe përjetuar.

“Ekspozita me titull “Hapësirë sfiduese, standard për asgjë” përfaqëson një udhëtim artistik që sfidon perceptimet tradicionale dhe vendos në pikëpyetje standardet e vendosura. Veprat e paraqitura trajtojnë tematikën që përfshin tensionin mes rregullit dhe kaosit, mes të njohurës dhe të panjohurës, dhe mes pritshmërive shoqërore dhe realiteteve individuale. Hapësira e krijuar përmes këtyre veprave nuk është një vend ku standardet e përhershme mbizotërojnë, por një sfidë ndaj gjithçkaje që është konsideruar normë. Ajo është një reflektim i ambivalencës që përshkon jetën moderne, ku standardet dhe pritshmëritë shpesh janë të padukshme, por megjithatë përcaktojnë mënyrën tonë të jetesës”, ka shpjeguar Kelmendi rreth ekspozitës së radhës.

Teknikat dhe materialt e përfshira në këtë projekt krijojnë një dialog të hapur me audiencën, duke i ftuar ata të reflektojnë mbi vetëdijen, përvojat personale dhe kufijtë e brendshëm.

Ekspozita “Hapësirë sfiduese, standard për asgjë” është një ftesë për të hyrë në një botë ku rregullat nuk ekzistojnë, dhe ku sfidat bëhen standardi i vetëm. Ajo është një udhëtim artistik që eksploron të panjohurën dhe i sfidon shikuesit të përballen me sfidat e tyre personale dhe të rishikojnë mënyrën se si ata ndërveprojnë me botën përreth tyre./ KultPlus.com

Të ngjajshme