Margariti nga Vlora: Ismail Qemali, shtetari që kuptoi se pa ndriçimin e mendjes nuk ka Shqipëri të përparuar

24 Janar, 2019 - 5:07 pm

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti mori pjesë në ceremoninë përkujtimore në nder të 100-vjetorit të vdekjes së Ismail Qemalit në Vlorë dhe vendosi një kurorë me lule në emër të qeverisë shqiptare në monumentin e plakut të urtë.

“Janë të shumtë liderët që udhëheqin, por shumë të rrallë ata që shkruajnë historinë. Dhe ende me te rralle ata qe si Ismail Qemali, që e përmbysin historinë për ta rishkruar” u shpreh Ministrja e Kulturës, Elva Margariti nga Vlora.

Homazhe në nder të burrit të madh të kombit shqiptar u mbajtën nga Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, kryetari i bashkisë, Vlorë, Dritan Leli, deputetë, e qytetarë.

 Ministrja e Kulturës Elva Margariti kujtoi se “Qeveria e Vlorës zëvendësoi Kanunin me ligjet e shtetit. Ismail Qemali ishte promotori i pare i parimit se organet shtetërore nuk mund të ndërhyjnë në fushën e drejtësisë. Qeveria e Vlorës ishte e para që kuptoi se pa ndriçimin e mendjes, pa dije e kulture nuk mund të kishte Shqipëri të përparuar dhe te begatë”.

Margariti shtoi se nuk mund të jetë kurrsesi dita në të cilën kujtojmë 100-vjetorin e vdekjes, por “dita që kujtojmë shekullin me të cilin Ismaili ka qenë përditë një vegim frymëzues brenda nesh”.

Në një ditë të rëndësishme të Vlorës Margariti uroi “Zoti i shqiptareve qoftë me të e të gjithë ata që kur e nderojnë atë mendojnë si ai, besojnë si ai dhe janë gati të veprojnë si ai”.

Përfaqësues të lartë të shtetit dhe qeverisë vizituan edhe Muzeun “Pavarësia” ku u njohën me dokumente të rëndësishme të periudhës së qeverisë së pavarësisë./ KultPlus.com

Të ngjajshme