3 Nëntor, 2019 - 1:01 pm
Suadela Balliu – Kullat e gurta dhe të hirta, simbol i mbrojtjes aq edhe i izolimit. Kulla e gjakmarrjes, e pushkëve në frëngji që i bëjnë sytë katër dhe dyert e drunjta që ruajnë jetë aq sa edhe burgosin. Djem që bëhen burra dhe burra që bëhen pleq, duke e parë horizontin me përmasat e një katrori të vogël…Vetëm gratë, ato janë të përjashtuara prej izolimit të kullave, po aq sa edhe prej identitetit burrëror të kanuneve malësore.
Por një kullë më e madhe, ajo e shoqërisë patriarkale, i ngujon gratë prej shekujsh, duke i parë të brishta e të thyeshme si kukulla kristali. Pikërisht me këtë metaforë ka dashur të luajë piktori i ri Markel Capo, në ciklin e tij të titulluar “Ku(k)llat” –gra në formë kullash apo kulla në forma femërore, që hapin dyert në simbole erotikë dhe i kthejnë frëngjitë e ngushtë në gjinj të bollshëm. Jo vetëm një rivizitim i traditës, por edhe shpalosje e botës konsumeriste që vazhdon t’i shohë vajzat dhe gratë si kukulla, duke e bërë të besojë rrejshëm se është e pazonja për të mbajtur më shumë peshë në rolet e shoqërisë.
“Figura e femrës vjen e fortë e qëndrueshme; e gurtë, në këmbë, e sigurt edhe pse e nëpërkëmbur”, rrëfen piktori pogradecar, ndërsa shton se është shumë i dhënë pas folklorit shqiptar, duke e ripropozuar për publikun me elementë modernë.Elementi femëror është temë qendrore e pikturës së të riut, që vjen si një shkrirje mes romantikës dhe natyrës ëndërrimtare, aq edhe tipareve të feminizmit. “Unë e vlerësoj shumë figurën femërore, jam rritur nga një nënë e mrekullueshme dhe nga kjo ndjesi fillon gjithçka, edhe piktura edhe ndjeshmëria në të.” – zbulon Capo.
Figura femërore e vendosur në sfondin etnografik është element dallues i punës së piktorit, ndërsa zbulon se është duke punuar mbi një cikël të ri, sërish i qendërzuar te figura femërore, të cilin e ka titulluar “Kurorë guri”. Portrete femërorë në pamje të parë të brishta dhe ëndërrimtare që mbajnë në krye peshën e botës, të interpretuara nga piktori në formën e kështjellave. “Ky cikël pikturash vjen si një fuqi e jashtëzakonshme, një femër, një motër, një nënë, bukuria që mban shekuj në shpatulla, kujtojmë këtu Rozafën, kurorëzuar me gur si një mbretëreshë me të gjithë fuqinë dhe peshën që mbajnë shekujt e sakrificës. Femra shqiptare është më e fortë se vetë guri.” –kështu ka dashur të shohë piktori, i cili krahas pikturës në vaj, akuarel, vizatime e skica, punon edhe në qeramikë, ku në objektet e punuara prej duarve të tij vijnë simbole kulturore dhe etnike, po aq sa edhe portrete e profile femërore.
“Është pjesë e krijimtarisë sime, nuk e ndaj dot folklorin nga puna ime, pastaj a e realizoj në pikturë, qeramikë apo dru. Kjo është pjesë e nevojës për t’u shprehur.”Edhe pse i dashuron çiftelitë dhe xhamadanët, qeleshet dhe xhubletat, gurët e kullave dhe natyrën e pazbutur të veriut, sërish frymëzimin e gjen në liqenin e vendlindjes së tij, Pogradecit.
Kur nuk pikturon, Markel Capo këndon. Nuk është profesionist në fushën e muzikës, por në punët e bëra me zemër dorëzohet i gjithi. Punon me fëmijët me Sindromën Down dhe ka realizuar edhe një këngë, frymëzuar prej tyre, të titulluar “Si unë”. “Jam pjesë e Down Syndrome Albania si vullnetar. Koha e shpenzuar me ta është e çmuar dhe marr shumë dashuri në këmbim.”, thotë, ndërsa shton se kënga, e para e tij, ishte një mesazh për t’ia përcjellë botës se fëmijët me një kromozom më tepër janë njësoj, si ne të gjithë.
Karriera e tij artistike sapo ka nisur dhe siç rrëfen në fillime të gjithë mbështeten tek të mëdhenjtë e artit, për të hedhur hapat e parë. “Në fakt unë jam në kërkim të vazhdueshëm të përcaktimit të stilit tim; jam pothuajse në eksperiment me vetveten”, përfundon ai, ndërsa e përkufizon krijimtarinë e tij si moderne, por me elementë të fortë tradicionalë.
Ndoshta është një fazë e parë eksperimentale kjo e përkthimit të kullave në gra qëndrestare dhe të lira, paturp për të shfaqur hapur seksualitetin e tyre duke i dekonstruktuar elementët e fenomenit shekullor, duke i ripropozuar këto simbole, të mbetura aq të pakta në numër sa për të shërbyer si relikte të organizimit shoqëror të dikurshëm shqiptar, ku kulla që dikur tregonte status dhe pasuri , u shndërrua në qëndresat e fundit të mbrojtjes së jetës së njeriut, të të kursyerit të derdhjes së gjakut për hir të një kanuni, të moskuptuar si duhet. Kullat janë gratë dhe gratë nuk janë kukullat që shoqëria e dominuar nga burrat mot dhe sot përpiqet t’i lyejë, veshë e të luajë fijet e padukshme që ka lidhur mbi rolin e tyre.