17 Dhjetor, 2024 - 8:57 pm
Një koncert me veprat e kompozitorëve më të njohur mbarëshqiptarë, ku u përfshinë vepra të krijuesve nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi u organizua në sallën “Aleks Buda”, në Akademinë e Shkencave.
Në koncertin e organizuar nga Komisioni i përhershëm i artit pranë kësaj akademie, ishte i pranishëm kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi dhe anëtarët e kryesisë të kësaj akademie, si dhe akademikë e studiues të njohur të fushave të ndryshme të shkencës dhe të artit.
Koncerti u çel nga akademiku Vasil Tole, i cili iu uroi mirëseardhjen të pranishmëve.
Tole falënderoi organizatorët e kësaj veprimtarie dhe shprehu vlerësimin e tij për veprat pianistike të kompozitorëve mbarëshqiptarë, për rolin dhe vendin që zënë në historinë e muzikës shqiptare dhe foli më tej për veçoritë e krijimtarisë së tyre.
Koncerti nisi me interpretimet e dy artisteve të reja Nikol Tupa dhe Hepi Kajca, të cilat luajtën në piano veprat e kompozitorëve shqiptarë të Kosovës: “Alla turca” të Fahri Beqirit, “Valle e zanave”, “Arie” dhe “Fuga.nr.3” të Rauf Dhomit, “Prishtina Blues” të Rafet Rudit, dhe “Alla Toccata” të Valton Beqirit.
Pas këtyre interpretimeve, që u pëlqyen dhe u duartrokitën nga të pranishmit, u interpretuan veprat pianistike të kompozitorëve të njohur Fehim Ibrahimi Zarko Mirkoviç, Thomas Simaku, Vasil S. Tole.
Veprën e Fehim Ibrahimit “Abel (es) Meditation”, e luajti në piano e bija e kompozitorit, pianistja e njohur Etrita Ibrahimi, ndërsa veprën “Albanian folk song My beautiful Morea” e interpretuan violinisti Gëzim Bulcari me pianisten Etrita Ibrahimi.
Vepra e akad. Vasil S. Tole “Agoj 3”, temë me 12 variacione, u luajt në piano nga Ardita Bufaj.
Në fund, koncerti u mbyll me veprën e Zarko Mirkoviç “Taraf trio”, që u interpretua në violinë nga Laura Llozi, në klarinetë në LA Çlirim Baruni dhe u shoqërua në piano nga Ardita Bufaj./atsh/ KultPlus.com