Me simbolikën e tre pikturave, tre koncerteve dhe tre formave narrative, përmbyllet edicioni i parë i festivalit ‘Shadows’

27 Qershor, 2023 - 7:41 pm

Vjollca Duraku
Foto: Arlinda Hajdaraj

Në Galerinë e Fakultetit të Arteve, është mbajtur koncerti përmbyllës i edicionit të parë të Festivalit “Shadows”-A Contemporary Art Festival in Kosovo, shkruan KultPlus.

Ky festival i artit kontemproan, i cili rrallherë është paraqitur para publikut në Kosovë, përveç koncertit, në të cilin interpretohej me piano dhe violinë, për simbolikë të paraqitjes ka pasur numrin tre, ku mbrëmë janë paraqitur tre piktura, tre koncerte, përmes tre pjesëve të formës narrative në instalacionin disa minutësh, të kompozuar nga Deniz Çaglarcan.

Në një sallë të bardhë e cila, në disa sekonda mori pamje kretësisht tjetër nga ndalja e dritave, duke e bërë një atmoferë me elegante që i ngjasonte natës, me reflektorë ngjyrë të kaltër, filloi edhe koncerti i tretë i këtij festivali.

Pikën e parë performuese, para publikut e dhuruan Adea Badivuku dhe Ceyla Ganiyeva me veprën e Ulvi Cemal Erkin, Lullaby&Improvisation. I mahnitshëm ishte komunikimi mes dyja bruneve sy-gjelbra.

Më shumë se vetë tingujt fliste edhe aura e tyre. Pra përveq pjesëve interpretuese, ato krijonin harmoni në interpretimin e tyre përmes  komunikimit, ku dakordimin për t’u përshtatur mes vete e zhvillonin përmes syve të tyre shumë të bukur që për koicidencë qëlluan të jenë të gjelbër, ngjyrë kjo e cila nën ndriqimin e reflektorëve vezullonte dhe arrinte të kanalizonte një energji të pastër universale. Ky informacion që përçohej edhe përmes dhe ngjyrës së gjelbër të fustanit të pianistes Badivuku, thehej dhe merrte kuptim në të zezën e fustanit të Ganiyeva-s.

Pikën e dytë të perfomancës Kara Krayev: Concerto for Violin&Piano e dhanë violinstja Ceyla Ganiyeva dhe pianisti Andi Duraku. Kjo pikë perfomuese u zhvillua në fillim nga një ritëm konstant i violinës, tonin e së cilës e jepte pianoja.

Një qetësi disa sekondëshe nga të dyja instrumentet në mes të koncertit, sikur e ndali hovin dhe ritmin e tij, duke dashur të depërtojë më thellë te audiena, duke dashur ti jepte kuptim, rëndësi dhe për të mbërthyer publikun përsëri fuqishëm.

Pothuajse fundi i performancës pati tinguj të shpeshtë e të shkurtër të pianos, duke krijuar tinguj më dinamikë. Performancës iu shtuan edhe tingujt e violinës e cila po ashtu hove-hove i përshtatej tingujve dinamikë të pianos, e që herë-herë i linin radhë njëra tjetrës për t’ia thënë valles.

Skena, në pikën e tretë të interpretimit u takoi motrave Badivuku, Adeas me piano dhe Meiremes me violinë, me veprën e John Cage: ‘Six Melodies’ for Violin and Piano l-ll.

 Joào Pedro Oliveira: La Mer Èmeraude- Stero Acousmatic ishte pika e katërt interpretuese që me altoparlantë iu dha publikut me tinguj mjaft të veçantë, e që e ndrruan edhe zhanrin e tingujve të dëgjuar deri pak më parë. Në këtë pikë lehtësisht mund të shiheshin edhe tre pikturat e ekspozuara në skenë të piktorit Güneş Çaģlarcan.

Ndërsa interpretimi me violë i Deniz Çaģlarcan, ishte një përshtatje nga tinguj të violës dhe ata elektronikë që ishin në sfond nga altoparlantët. Pas këtyre pikave interpretuese pjesëmarrësit patën mundësi që të ndiqnin një instalacion 12 minutësh i cili u shfaq në tre anët e mureve të mëdha të Galerisë së Fakultetit të Arteve.

Për këtë instalacion foli edhe kompozitori Deniz Çaģlarcan, i cili në një prononcim për KultPlus ka thënë se ka pasur dëshirë që detajet e njerëzve të vegjël, të cilat vëllai i tij Güneş Çaģlarcan, i ka paraqitur në pikturat e tij të ekspozuara, t’i zmadhojë dhe t’i paraqesë në tre muret e sallës.

“Kam menduar që ideja dhe qëllimi që është paraqitur dhe konceptuar në pikturat e Guneshit ka një lidhje shumë të afërt me idenë që unë e kam paraqitur në video dhe kështu ka rrjedhur edhe kompozimi i tërë instalacionit. Kështuqë më në fund kemi dalur me 12 minuta në një udhëtim të instalacionit audio-vizual, edhe pse ndonjëherë të gjithë dalim në një rrugë të përbashkët, në një farë mënyre secili e gjen rrugën e vet nga përfundimi siq është edhe në storien ‘Shadows’ e cila është prezantuar në festivalin tonë”, ka thënë drejtori artistik i festivalit Deniz Çaģlarcan.

Ai më tutje tha se ndihej shumë mirë që po merrte pjesë në këtë festival, dhe se të lumtur e bënte fakti që njerëzit e kuptonin këtë lloj arti para se ai tu tregonte se çfarë ishte munduar të sillte para tyre, përmes këtij arti i cili në përgjithësi është vështirë për t’u përthithur nga audienca.

“Më vjen shumë mirë që jam pjesë e këtij festivali. Në përgjithësi është shumë e vështirë që muzika kontemporane të përthithet dhe të pëlqehet nga njerëzit. Por audienca që ka ardhur në koncertet tona në Kosovvë, të gjithë kanë qenë të dashuruar në artin dhe muzikën. Dhe unë, pa pasur nevojën të tregoj se si ka ndodhur instalacioni, njerëzit e kanë kuptuar para se unë të tregoj storjen se si është bërë”, ka thënë Çaģlarcan.

Ndërsa violinistja Meirem Badivuku, e cila po merrte pjesë për herë të parë në festivalin  ‘Shadows’ tha se për të ishte nje eksperiencë shumë e mirë, sidomos me faktin që pjesë e performancës së saj ishte edhe e motra Adea Badivuku.

“Ushtime kanë shkuar shumë mirë. Kemi pasur një kohë të gjatë, prej tre muajsh për tu përgatitur për koncert. Po ndihem shumë krenare që kam bashkëpunuar me motrën në këtë festival”, ka thënë Badivuku.

Kurse Adea Badivuku drejtoreshë e festivalit, në një prononcim për KultPlus, festivalin në përgjithësi e ka quajtur të sukseshëm pasi ka pasur interesim të jashtëzakonshëm për një program kontemporan, i cili deri tash është dhënë rrallë para audiencës në Kosovë.

“Nata e sontme ka qenë shumë e sukseshme. Festivali në përgjithësi në secilën natë koncertale audienca e ka pritur shumë mirë këtë festival dhe këtë program që është prezantuar në festival, meqenëse audienca kosovare, muzikore, artistike është mund të them e mangët në aspektin e dëgjimit të repertuarit të dëgjimit kontemporan në përgjithësi. Por sidoqoftë interesimi ka qenë i jashtëzakonshëm”, ka thënë organizatorja Badivuku.

Organizatorja po ashtu ka thënë se në Kosovë po vazhdon sensibilizimi i audiencës për këtë lloj të artit çdo ditë e më shumë.

“I kam tejkaluar pritshmëritë e mija për këtë koncert sepse është pak e vështirë të kesh pëlqim nga audienca për një program kontemporan. Në shtetet e jashtme, sidomos në Amerikë dhe në Evropë ky stil i muzikës është më i përhapur. Unë po besoj që edhe Kosova dhe sensibilizimi i audiencës tonë po vazhdon çdo ditë e më shumë. Dhe interesimi ka qenë çdo ditë e më i mirë qysh nga dita e parë e gjithë salla ka qenë e mbushur. Madje në hapje nuk kemi arritur t’i akomodojmë të gjithë mysafirët , aq shumë sa ka pasur”, ka thënë Badivuku.

Festivali në tërësi përmbyllet më datën 28 qershor, në të cilën ditë do të jepet ekspozita ‘Shadows Audio-Visual Immersive Exhibition’, që do të qëndroj hapur nga ora 11:00 deri më 18:00/KultPlus.com

Të ngjajshme