4 Nëntor, 2023 - 2:41 pm
Vepra me prozë poetike “Mëkati i buzëqeshjes” e shkrimtarit Sali Bashota, është vepra më e re e tij, e cila është botuar këto ditë nga Botimet Rea.
Përveç poezisë, esesë, studimit letrar dhe publicistikës, Bashota është i njohur edhe me prozë poetike. Në librat e tij me poezi, duke filluar nga “Plagomë” (1994), pothuajse në secilën vepër autori ka përfshirë proza të ndryshme poetike, pastaj duke vazhduar edhe me vepra të veçanta me prozë poetike “Ëndrra në parajsë” (2006), “Sytë e vetmisë” (2010), “Rruzullimi i zjarrit” (2011), “Zemërimi i heshtjes” (2014), “Shkallët e natës” (2020).
Në veprën “Mëkati i buzëqeshjes”, Bashota trajton tema të ndryshme, të cilat dallohen për nga ligjërimi, gjuha, stili dhe figuracioni. Në parathënien e kompletit të veprave të Sali Bashotës, duke shkruar për prozën poetike të Bashotës, studiuesi Milazim Krasniqi, ndër të tjara, thekson se “falë përvojës së gjatë si poet dhe si studiues i pasionuar i letërsisë, Sali Bashota është autor që i njeh këto vibracione intonative-ritmike, ideologjike, stilistike e sociale, prandaj edhe arrin t’i definojë gjuhësisht në pajtim me realitetin. Prozat poetike, të cilat jam i prirur t’i shohë si pjesë komplementare e vargut poetik të Bashotës, janë brenda kornizave motivore e stilistike të vargut të tij. Në poezinë tonë nuk di ndonjë autor tjetër të ketë vëllim kaq të madh të prozave poetike dhe sigurisht edhe kaq arritje artistike në këtë formë sinkretike të shprehjes poetike”.
Vepra “Mëkati i buzëqeshjes” ndahet në tri kaptina” Afshi”, “Lumturia” dhe “Vetmia”. Në mesin e shumë prozave poetike dallohen: “Magjia e parë e ëndrrës”, “Njësoj si afshi”, “Nostalgjia e syve”, “Ngjyrat e kësaj bote”, “Zemërimi i parë”, “Intriga e mrekullueshme”, “Rrëfimi për pëllumbat e bardhë”, “Orari i ëndrrave”, “Kjo qenka dashuria”, “Perëndimi i hënës”, etj.
Sali Bashota është njëri ndër poetët më të përkthyer të Kosovës në gjuhë të ndryshme të botës dhe i përfaqësuar në shumë antologji brenda dhe jashtë vendit. Për krijimtarinë letrare e shkencore është nderuar me çmime të larta kombëtare dhe ndërkombëtare.
Botimi është përkrahur nga Drejtoria e Kulturës e Komunës së Fushë Kosovës. Librin mund ta gjeni në libraritë “Artini” dhe “Dukagjini”./KultPlus.com