15 Qershor, 2021 - 11:56 pm
MacKenzie Scott, ish-bashkëshortja e themeluesit të Amazon dhe personi më i pasur në botë Jeff Bezos, njoftoi sot një donacion prej 2,74 miliardë dollarë për 286 organizata, përfshirë shoqatat artistike dhe grupet që luftojnë kundër diskriminimit racor.
Në krye të një pasurie të vlerësuar nga Forbes me rreth 60 miliardë dollarë, Scott, 51 vjeçe, është angazhuar të dhurojë gjysmën e pasurisë së saj për bamirësi.
Ajo u martua përsëri në mars me Dan Jewett, një mësues i shkencave në shkollën private Lakeside në Seattle (në veriperëndim të SHBA-së).
“Unë, Dan dhe një plejadë e tërë studiuesish, administratorësh dhe këshilltarësh po përpiqemi të dhurojmë një pasuri që është bërë e mundur nga sistemet që duhet të ndryshohen”, shkruan MacKenzie Scott në një artikull të botuar në platformën Medium.
“Ne drejtohemi nga bindja e përulur se do të ishte më mirë që pasuria joproporcionale të mos përqendrohej në duart e pak vetave”, shtoi ajo duke theksuar se paratë mund të përdoren më mirë nga organizatat për të cilat ajo përcakton dhuratat e saj.
Para këtij njoftimi, Scott tashmë kishte bërë donacione publike me vlerë më shumë se gjashtë miliardë dollarë, duke theksuar nevojën për të ndihmuar ata që preken më shumë nga ndikimi ekonomik i pandemisë dhe të zvogëlojë shpërndarjen e pabarabartë të pasurisë./atsh/KultPlus.com