29 Maj, 2019 - 8:01 pm
Është gati të nisë Festivali “Mirëdita, dobar dan”, që mbahet tash e sa vite mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe këtë vit, organizatorët e këtij festivali nuk janë pritur mirë nga protestat që po mbahen në Beograd, shkruan KultPlus.
Policia është duke i penguar protestuesit, mirëpo protesta po vazhdon të mbahet edhe më tej.
Milica Djurdjevic, e cila është edhe organizatore e kësaj proteste ka thënë për KultPlus se kanë ardhur me këtë protestë që të pengojnë këtë festival që ka për qëllim që të prezantojë kulturën e pavarur të një shteti, që sipas saj nuk ekziston.
“Mirëdita dobar dan që disa vite promovon shtetin e pavarur të Kosovës, shtet i cili nuk ekziston dhe po falsifikon historinë”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë më tutje se në Beograd po mbahet ky festival, përdeirsa serbët e Kosovës maltretohen në lokale të ndryshme të Kosovës.
“Ne nuk e kemi problem që këtu të prezantohet kultura e Shqipërisë, por jo kultura e shqiptarëve të shtetit të Kosovës. Për këtë jemi ngritur sot”, ka thënë ajo, duke dërguar nëpërmmjet kësaj proteste edhe një mesazh për liderët e Kosovës.
“Ne i dërgojmë mesazh Thacit dhe Haradinajt që kurrë nuk do të lejojmë një Shqipëri të Madhe dhe pa kufi, ashtu sikurse që kanë deklaruar ata. Poashtu nuk do të lejojmë që në Beograd të manifestohet për një Shqipëri të Madhe”, ka thënë ajo.
Krejt në fund ajo ka thënë se organizatorët e këtij festivali po i ruan policia, organizatë që ka fituar donacione qindra mijëra euro, por, sipas saj, të njëjtën siguri nuk e ofrojnë Policia e Kosovës për qytetarët serb./KultPlus.com