29 Prill, 2022 - 9:20 am
Publiku artdashës e ndoqi me vëmendje filmin i cili është një bashkëprodhim i Kosovës me Francën.
Me duartrokitje dhe entuziazëm është pritur të enjten mbrëma regjisorja, skenaristja dhe njëherësh aktorja Luana Bajrami, e cila solli premierën e filmit “ Luaneshat e kodrës” në kinemanë Grütli në Gjenevë, raporton albinfo.ch.
Publiku artdashës e ndoqi me vëmendje filmin i cili është një bashkëprodhim i Kosovës me Francën.
Ky film i metrazhit të gjatë ka “sjellë” në sallë rininë kosovare dhe ka shpalosur “ulërimat” e tri vajzave të cilat dalin nga monotonia e përditshmërisë në jetën e tyre dhe fillojnë t’i ngjallin shpresat për një jetë ndryshe, për liri dhe shpërthim rinor, diku larg vendit ku jetojnë.
Në kodrën e një fshati të Kosovës ku ato rriten ballafaqohen me probleme sociale në familjet e tyre, të cilat në thelb kishin të njëjtën mendësi. Ato vazhdimisht refuzojnë të jetojnë brenda kornizave të atij mentaliteti.
Flaka Latifi, Era Balaj dhe Uratë Shabani janë aktoret të cilat me shumë profesionalizëm përjetësojnë në mënyrë të jashtëzakonshme personazhet kryesore të këtij filmi, me emrat: Qe, Li dhe Jeta. Këto shohin se si ambiciet e tyre po fillojnë të shkatërrohen dhe shuhen. Atyre ju dështon ëndrra për tu pranuar në universitet dhe pas kësaj tentative, atyre “u mbetet” vetëm një zgjidhje: formimi i një të ashtuquajtur bande, e cila nis nga një ulërimë shpërthyese shpirtërore e luaneshave të kodrës.
Regjisorja, Luana Bajrami
Përgjatë filmit shfaqen edhe dy personazhe tjera Lena (e cila luhet nga Luana Bajrami) dhe Zemi (Andi Bajgora). Roli i tyre në këtë film ngërthen dy tematike të rëndësishme për rininë , dashurinë dhe lirinë për lëvizje. Këto dy tema shfaqen përmes Lias dhe Zemit, dashurisë së tyre të çiltër dhe pasionante, ndërsa Lena portretizon një vajzë e cila jeton në Francë dhe vjen në pushime në këtë fshat. Aty, përmes saj ngjallen diskutime rreth lirisë së lëvizjes jashtë shtetit. Pikërisht këtë e vuajnë luaneshat e kodrës, pamundësinë e një jetë që mund ta bëjnë si t`ua dojë qejfi.
Drama kryesore në këtë film zhvillohet pas vendimit të vajzave bashkë me Zemin, për të bërë diçka ndryshe dhe fshehurazi. Ata fillojnë të grabisin lokale dhe nga kjo nisin një jetë të çthurrur, shkruan albinfo.ch. Pas disa grabitjeve ato fitojnë shumë para përmes të cilave vendosin t’i shijojnë momentet e tyre duke jetuar në një shtëpi të pabanuar po që për ta ishte strofulli i lumturisë, dashurisë dhe qetësisë.
Ato gjithashtu vendosin të ikin nga fshati për t’u arratisur drejt detit, i cili për to simbolizon lirinë dhe kënaqësinë. Nga ndjenja e çlirimit lind edhe dashuria mes personazheve, Qe-së dhe Jetës. Kjo i jep filmit një frymë të re, të fuqishme dhe një zjarr nga bota e larmishme rinore.
Nisur nga kjo atmosferë mund të pritej që filmi të kishte një fund të lumtur, por vajzat vendosin të kthehen në kodër. Siç thuhet edhe në film gabimi më i madh i tyre ishte ky “kthim në ferr”. Filmi mbyllet me një sekuencë ku vajzat paraqiten të mbuluara me gjak dhe kjo lë të kuptohet shpërthimi i zemrave të tyre nga dhimbja për shuarjen e ulërimave të këtyre luaneshave.
Në sallën e kinemasë doli para publikut regjisorja, Luana Bajrami e cila zbuloi që inspirimin për të realizuar këtë film e ka gjetur pikërisht në fshatin ku është xhiruar filmi, sepse ajo aty ishte rritur dhe i njihte nga afër ndjesitë e të rinjve nga ai rreth shoqëror.
Gjatë pyetjeve dhe diskutimit, ajo është shprehur se e veçantë në këtë kontekst ishte se pjesa më e madhe e skenarit ishte shkruar dhe realizuar gjatë xhirimeve, duke e bërë të ditur kështu se shumica e skenave ishin spontane dhe kishte një energji të mirë mes aktorëve dhe gjithë ekipit, shkruan albinfo.ch.
Në sallë, veç të tjerëve ishin edhe disa shikuese kosovare të cilat thanë që kanë gjetur veten e tyre në disa pjesë të filmit që lidheshin me jetën jashtë Kosovës, shkruan albinfo.ch. Pjesë e kësaj është, sipas tyre edhe pyetja e famshme që u bëhet mërgimtarëve në atdhe: “a më mirë ketu a atje?” si dhe dallimi i mundësive për të rinjtë që jetojnë në Kosovë në krahasim me ata që jetojnë dhe shkollohen në diasporë.
Regjisorja Luana Bajrami ka falënderuar publikun për komplimentet dhe kritikat që mori. Filmi do vazhdoj të shfaqet për publikun e gjerë gjatë muajit maj në shtëpinë e arteve Grütli. /albinfo/ Alisa Buzhala /KultPlus.com