26 Qershor, 2023 - 5:31 pm
Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit u prezantuan sot projektet finaliste të cilat garojnë në konkursin ndërkombëtar për Muzeun “Besa”.
Konkursi Ndërkombëtar u shpall në 13 shkurt 2023. Rrugëtimi për realizimin e tij, nisi me 17 projektues që ju përgjigjën fillimisht thirrjes së Ministrisë së Kulturës, duke kaluar më pas në faza të tjera të konkursit, për të arritur tek 5 finalistët.
Studiot prestigjioze prej të cilave do të përzgjidhet fituesi janë: MVRDV nga Holanda, EAA “Emre Arolat Architecture” nga Turqia, “Schneider & Schumacher” nga Gjermania, “Cook Haffner Architecture Platform” nga Anglia dhe “Oppenheim Architecture” nga Zvicra.
Prej datës 12 prill, kur u bë shpallja e finalistëve, nisi edhe faza e dytë, gjatë së cilës finalistët u ftuan për t’u njohur nga afër me godinën ekzistuese të banesës së Libohovitëve, Monument Kulture, Kategoria I, e cila gjendet në qendrën historike të Tiranës.
Projekti fitues pritet të shpallet po sot.
“Përtej çdo qasje klasike, si arkeologjia e të tjera, koncepti i besës është një koncept shpirtëror e si i tillë patjetër që gjen nevojën për t’u treguar jo vetëm përmes librave të historisë, por me një hapësirë që flet shqip e mbi të gjitha flet edhe me gjuhën e vitit 2023.
Shkurt dhe shqip, ky koncept quhet besa. Një dimension shpirtëror i shqiptarëve dhe me këtë plotëri që ekziston në Shqipëri, e themi me bindje se nuk ekzikston në asnjë vend tjetër”, tha ministrja e Kulturës, Elva Margariti gjatë prezantimit në TKOB.
Muzeu i “Besës” është i lidhur shpirtërisht me Muzeun Hebraik në Vlorë. Ndërtimi i tij përbën një sfidë pasi nga njëra anë bëhet fjalë për restaurimin e muzealizimin e një godine historike në zemër të Tiranës, por njëkohësisht duhet të flasë me zërin e kohës.
“Si një metropol gjithnjë e më shumë në rritje Tirana ka nevojë që të tregojë jo vetëm dimensionin e saj modern por mbi të gjitha rrënjët që na lidhin me elementet karakteristikë identitar e më të bukur të shqiptarisë”, u shpreh ministrja Margariti. Ajo shtoi se, “mbrojtja e hebrenjve nga shqiptarët ka qenë një nga momentet më simbolike të asaj që në Shqipëri marrim si të mirëqenë, që është toleranca e bashkëjetesa shqiptare”./atsh/KultPlus.com