30 Korrik, 2018 - 9:16 pm
Sot ka ndërruar jetë shkrimtari Ragip Sylaj, lajmin e kanë bërë të ditur familjarët e tij, shkruan KultPlus.
Sylaj u lind në Sllapuzhan të Suharekës, ku i ka mbaruar mësimet e fillores dhe të gjimnazit. Ka kryer studimet master për teknologji në Universitetin e Prishtinës.
Ka punuar mësimdhënës në vendlindje e në SHMT “Skënder Luarasi” në Suharekë, gazetar e redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re”, në të përditshmet “Bota sot” e “Zëri” të Prishtinës.
Ka botuar 15 vepra letrare, ku hyjnë librat e poezisë, të prozës, dramës e të esesë.
Për veprimtarinë letrare dhe publicistike disa herë është nderuar me çmime e mirënjohje të ndryshme. Ndërkaq, poezi dhe tregime të tij janë përfshirë në antologji të ndryshme, në gjuhën shqipe dhe në disa gjuhë të huaja.
Sylaj ishte fitues i edicionit të parë të natës letrare të ‘Kultstrofës’. Shkrimtari i njohur kosovar Ragip Sylaj, ka fituar po ashtu çmimin për librin më të mirë për poezi “Kam drojë për ty”, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Kosovës./KultPlus.com