Ndre Mjedja – Autor veprash të përkryera poetike

21 Nëntor, 2024 - 5:21 pm

Në kuadër të takimeve kulturore “Pena e Dritës”, që bashkorganizohen nga revista “Drita” dhe biblioteka “Ernest Koliqi”, mbrëmë në Prishtinë, pikërisht në ditën e lindjes së tij, është përuruar vepra e plotë e poetit të madh shqiptar, Ndre Mjedja.

Në këtë manifestim, akademik Kujtim M. Shala është paraqitur me ligjëratën Labor limae, ndërsa botuesi e publicisti Frano Kulli me kumtesën Vepra e plotë e Ndre Mjedjes.

“Në punën e tij pa fund, Mjedja projektoi katër vepra me tematikë mitologjinë dhe historinë e qendrave kryesore të jetës shqiptare ndër shekuj, si një arkeologji etnike, të kujtuar dhe të krijuar nga fillimi: Lissus (1928), Scodra, Durrhachium e Apollonia, nga të cilat Scodra, me njëmbëdhjetë sonete, nuk u krye, Lissus, me dymbëdhjetë, u shkrua dhe u botua, ndërsa dy të tjerat nuk u shkruan asnjëherë. Poemthat Lissus e Scodra kanë trajtë poetike klasike, tematikë identitare, të rrënjëve të shqiptarëve, të lidhura në kulturën e rrallë letrare dhe diturore të Mjedjes, si dhe të provuara me formën e përkryer poetike”, theksoi akademik Kujtim Shala.

Ndërsa, Frano Kulli paraqiti një kronologji me të dhëna shumë të çmueshme të botimit të veprës poetike të Ndre Mjedjes, duke spikatur edhe momente të veçanta, kur krijimet e këtij poeti kishin pësuar “redaktimet” e censurës socrealiste të kohës së monizmit në Shqipëri.

Manifestimin e mbrëmshëm e begatuan me diskutimet e tyre edhe studiuesit e njohur të letrërsisë, Muhamet Hamiti, Nysret Krasniqi, Ndue Ukaj etj., kurse për pjesën artistike u përkujdesën Magdalena Sedaj, piano, dhe solistët Doruntina Gjini e Genc Krasniqi./KultPlus.com

Të ngjajshme