9 Dhjetor, 2019 - 2:15 pm
Poezi nga Shqiptar Oseku
do të doja sot t’u bie të gjitha
këmbanave
t’i ndal veturat kalimtarët t’i ngrij në vend
do të doja që televizori të
shfaqë
vetëm filma bardhezi
radio të emitojë vetëm Grande Messe des Morts
do të doja që zëdhënës të
vendosur nëpër sheshe
të recitojnë ditë shifra emra toponime të sakta
pas 6 250 njerëzish të harruar
të pushkatuar të varur thyer rrashtash me kondak
të mbytur në ujë
16 487 njerëz të burgosur
të ngarkuar ngusht si kafshë nëpër kamionë
në rrugët drejt kënetave të Maliqit
1605 që u ulën pak të pushojnë
mbështetur në telaferra në qerpiç kasollash
e aty e dhanë grahmën e fundit
me sytë hapur
miliona urithë që lindën jetuan
vdiqën
nën kthetra të bishës
do të doja që në çdo shtëpi
shqiptare
të shfaqet një vajtuese
t’i shkulë flokët t’i grisë faqet gjak
t’i thërrasë të gjithë emrat e
harruar
në shtjella të erës
e të vdekurit t’i dëgjojnë emrat
e vet
te gropat e Dajtit te varrezat në Burrel në Spaç
nën stadiumin Qemal Stafa
e të mos na hedhin më mynxat e atet e veta
të na lënë ta pastrojmë çdo
strehë prej tyre
çdo tjegull çdo tullë çdo tra nga Fabrika e Shijakut
do të doja të këndoj majekrahu
nga çdo cep i Shqipërisë – asaj të vërtetës –
ashtu si ka bërë gjithmonë fisi im
për të pastruar ajrin
të bëhen të gjallët me të gjallë
e të vdekurit me të vdekur përsëri
Oseku: Këtë poezi e kam shkruar në ditëlindjen e diktatorit Enver Hoxha. Them se i shkon mirë ditës ndërkombëtare për kujtim të gjenocidit. / KultPlus.com