10 Tetor, 2024 - 7:37 pm
Të mërkurën në sallën “Idriz Ajeti” në Fakultetin e Filologjisë u mbajt Ora e Shkrimtarit me Naim Kryeziun.
Në këtë aktivitet letrar të organizuar nga PEN Qendra e Kosovës morën pjesë studentë, profesorë, shkrimtarë dhe dashamirës të shumtë të librit.
Aktiviteti letrar u moderua nga shkrimtari Ibrahim Berisha, i cili e prezantoi Naim Kryeziun si përkthyes, studiues e profesor i letërsisë gjermane në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Në fillim të fjalës së tij, Berisha e vlerësoi angazhimin dhe kontributin e Naim Kryeziut në fushën e studimit të letërsisë krahasimtare, duke e dalluar librin e tij monografik për Hajnrih Hajnen, por edhe veprat tjera të përkthyera, madje duke e cilësuar si njërin ndër përkthyesit më të mirë nga gjuha gjermane në gjuhën shqipe dhe anasjelltas.
Në fushën e përkthimit letrar Naim Kryeziu ka përkthyer nga shqipja në gjermanisht vëllimet me poezi “Ndiz dritën magjike”, të Sali Bashotës, “Zogj të plagosur” të Agim Vincës dhe librin antologjik “Atëherë poeti tha” të poetëve Ali Podrimja, Ibrahim Berisha, Sali Bashota dhe Basri Çapriqi. Ndërkaq, nga gjermanishtja në shqip ka përkthyer librin e autores zvicerane Yvonne-Denise Köchli me titullin “Gra, edhe sa vjet doni të prisni?”, më pas romanin “Dyshimi” të shkrimtarit të shquar zviceran Friedrich Dürrenmatt, veprën eseistike me titullin “Vetëdija e fjalëve” të nobelistit Elias Kaneti, veprën “Shtatë legjendat” të shkrimtarit zviceran Gotfrid Kelerit, librin “Aforizma dhe citate të autorëve gjermanë, austriakë dhe zviceranë” etj.
Për përkthimin e veprës me titullin “Vetëdija e fjalëve” të nobelistit Elias Kaneti i është dhënë çmimi i dytë nga Kancelaria Federale e Austrisë. Naim Kryeziu është marrë dhe merret vazhdimisht edhe me botimin e punimeve shkencore në fushën e letërsisë e të përkthimit letrar.
Në ligjëratën e tij mjaft interesante, Naim Kryeziu, ofroi shembuj karakterizues që ndërlidhen me përkthimin e poezisë, prozës, esesë, dramës etj. Në këtë drejtim, fokusi i përqendrimit ishte te metoda e përkthimit dhe te rëndësia e një vepre që përkthehet me pasion dhe kënaqësi. Temë-dilemat shtrohen në relacione të caktuara: cili është kushti themelor për një përkthim të saktë,çfarë do të thotë të përkthesh një vepër, cilat janë sfidat e përkthimit letrar, pastaj a mund të përkthehet edhe poezia, a mund të zëvendësohet përkthyesi nga inteligjenca arificiale dhe si arrijmë deri te përkthimet e suksesshme?
Më fund të ligjëratës nga të pranishmit iu bën shumë pyetje Naim Kryeziut, kryesisht pyetje për
rëndësinë e përkthimeve të deritanishme, por edhe për projektet e reja në të ardhmen, ndërsa në përgjigjen e tij, përkthyesi Kryeziu, e dalloi projektin e Antologjisë së poezisë moderne shqipe në gjermanisht, i cili do të botohet në vitin e ardhshëm.
Projekti Ora e Shkrimtarit, i cili gjatë muajve tetor dhe nëntor do të organizohet në disa qendra të Kosovës është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës. /KultPlus.com