Ne ishim fëmijë me kukulla druri dhe me këngë kundër Rankoviçit

25 Janar, 2019 - 2:36 pm

Drita Kadriu

Lagjja ime quhej “Te rruga e ngushtë” ku secila shtëpi e lagjes kishte tre e më shumë fëmijë. Rrugë jo më e gjatë se njëqind metra, me rreth 12 shtëpi, që kishte rreth 50-60 fëmijë të moshave të ndryshme .

Në fund të rrugës sonë fillonin shtëpitë e fqinjëve tanë serbë, deri te rruga kryesore dhe që afërsisht ishin shtëpi sa edhe të shqiptarëve, por numri i fëmijëve nëpër këto shtëpi ishte shumë i vogël dhe asnjëherë nuk mbaj mend se ata kanë luajtur me ne. Ata kryesisht kanë qëndruar në çerdhen e qytetit gjatë ditës.

 Në fund të rrugës ishte furra e bukës, e cila nxirrte bukë në mëngjes dhe në mesditë. Nëse nuk është blerë buka në këto kohë, gjasat kanë qenë shumë të vogla për të gjetur bukë në orët e pasditës. 

Lojërat tona kanë qenë ngusht të lidhura me stinët e vitit. Në ditët e gjata të verës, zakonisht pasditat në qytet janë shoqëruar me një gjumë të pasdrekës, ku të gjithë rrinim në shtëpi, deri sa kalonte vapa. Me fillimin e freskisë së pasditës , turma e fëmijëve bëheshin bashkë dhe fillonin lojërat e ndryshme: symbyllurazi, kila, me kukulla, bënim dasma etj.

Loja jonë e më e mira bëhej nën hijen e arrës së madhe që gjendej përballë derës së shtëpisë sonë, në oborrin e parrethuar të fqinjit , axhës Beqir.

Dritaret e shtëpive, sikurse edhe shtëpitë, kanë qenë të ulëta. Ulur buzë dritares ke pasur mundësi të shohësh dhe të sodisësh çdo gjë.  

Një mision tjetër e kishim edhe shprehjen e pakënaqësisë së të rriturve me rrethanat politike. Kam qenë 4-5 vjeçe dhe më kujtohet se si mblidheshim  te dritarja e axhës Tomë . Të gjithë së bashku këndonim vargjet që shprehnin një revoltë kundër të bëmave të Rankoviqit. Autorin e  vargjeve të rimuara kurrë nuk e kemi ditur , por motivuesit kryesorë për të kënduar te dritarja e axhës Tomë, ka qenë axha im Dauti dhe nëna ime. Kur 10-12 fëmijë i këndonin këto vargje, nervoza e Tomës shkonte në maksimum:

“Rrang e dang po bon legeni

Rankoviqit i hift veremi        

Rrang e dang po bon tepsija

Rankoviçit i hift tërrpija”.

Të rriturit tjerë të lagjes kanë qeshur nën dhëmbë dhe pas ankesave të Tomës kanë ditur të na thonë : “Edhe një herë  të ndodhë kjo, do ta merrni dënimin e merituar”.  Mos të harrojmë se atëhere dajaku ka qenë pjesë e edukimit.  Por për këndimin e kësaj kënge, përveçse jemi ndjekur, nuk mbaj mend se dikë e kanë rrahur prindërit.

Tezja Nezahate , një rrobaqepëse e dalluar e qytetit , gjithmonë na ka dhënë copa të materialeve të ndryshme , me të cilat tezja Fahrije, na bënte kukullat nga shkopinj druri dhe i veshte me materiale të ndryshme. Ajo,  i mësonte vajzat më të rritura se si punohen kukullat. Te gjitha vajzat, posa kishim mundësi që t’i kanë 5 “banka”, i ruanim ato për t’i përdorur për fytyrën e kukullave të drurit. Veshjet e kukullave bëheshin nga materialet  shumë të bukura dhe varësisht nga materialet, përcaktohej mosha e kukullës. Kukulla nuse veshej me rroba të qepura nga  copat e mbetura nga materialet e bukura të dimive , kur familjet përgatiteshin të merrnin nuse.  Prej copave nga fustanat e grave, bëheshin kukullat më të shtyera në moshë e që në lojën tonë ato kukulla  ishin vjehrrat.

Përveç veshjes, për finalizimin e kukullave te drurit, rol të madh kishte edhe procesi i grimit. Paraja me te cilën bëhej fytyra, vishej me patisk të bardhë, mbi të cilin me lehtësi, por me kujdes të madhe, bëhej grimosja.  Për grimosje përdoreshin mjete të ndryshme si ngjyra druri ose “thingji druri”. Vetullat dhe sytë bëheshin me ngjyrë te zezë, ndërsa buzët dhe faqet me ngjyrë të kuqe. Gratë me shkathtësi të qëndisjes, grimin e bënin duke përdorur penjtë për  qëndisjen e fytyrës së kukullës. 

Vjeshta dhe dimri i kanë pasur lojërat e veta. Nëse na zinte shiu duke luajtur, strehoheshin nën strehët e cilësdo derë të rrugës. Kthimi në shtëpi të bërë çull nga shiu pasonte me bërtima dhe masa për t’i ndërruar rrobat të cilat i kishim të pakta në numër. Ka ndodhur me mbetë në pixhama deri sa na janë tharë rrobat. Në rrethana të shtëpisë luanim me “degërrxhik” ose me guralecë të ruajtur nga vera. Qysh herët e fillonim punën për përgatitjen e zbukurimeve për bredhin e Vitit të Ri. Gjatë gjithë vitit nën udhëheqjen e vajzave dhe djemve më të rritur mblidhnin “papiriqat”, letrat shkëlqyese të bonboneve.

Në netët e vjeshtës së vonshme, të vranëta dhe me shi, në pixhama , fillonim që nga këto mbështjellëse të bomboneve t’i punonim zbukurimet për bredh, duke u dhënë letrave forma të fluturave e forma tjera.  

Loja e zhvilluar nën arrën e madhe,  por tani e shtruar me baltë i kishte edhe disa obligime shumë specifike: gjithmonë njëri nga fëmijët më të dëgjuar të familjes e kishte detyrë çdo mbrëmje të merrej me larjen e çizmeve dhe këpucëve nga balta.Të njëjtat vendoseshin në furrën poshtë shporetit për t’u tharë, për t’i mbathur të nesërmen.

Zakonisht çizmet e llastikut i lidhnin edhe stinët . Në pranverën e vonshme atyre u priteshin grykat dhe i veshnim si këpucë vere.

Unë kam lindur në dekadën e gjashtë të shekullit të kaluar. Jam shumë me fat që jeton në shekullin e ri sepse, e shoh, e ndjej dhe jam pjesë e vazhdueshme e transformimit shoqëror. /KultPlus.com

Të ngjajshme