16 Shkurt, 2025 - 7:43 pm
Vjollca Duraku
Foto: Ferdi Limani
Mbrëmë, në ambientet e Kino Armatës është mbajtur nata e dytë e Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Republika”, në të cilin edicion po marrin pjesë 17 poetë nga Kosova, rajoni dhe bota. Edhe këtë vit festivali “Republika” ka shpalosur magjinë e vargjeve dhe të poezisë përmes një natyre jokonkurruese, të dominuar nga një atmosferë miqësie dhe arti letrar.
Mbrëmja e dytë e edicionit të shtatë filloi me shfaqjen e baletit “T’paanët” të kombinuar në sfond me poezi, premierë kjo e cila qysh në fillim i dha ngjarjes shumë shije përmes lëvizjeve dhe vallëzimit artistik të balerinëve të Baletit Kombëtar të Kosovës, Leonora Rexhepi dhe Muhamet Bikliqi.
Në vazhdim të pranishmit patën mundësi të lundronin në magjinë e mbrëmjes poetike nga vargu në varg. Poetëve iu paraprinte një deklamim fantastik i poezive nga aktori Xhevdet Doda, i cili e shijonte çdo shkronjë të poezive dhe më pas iu linte radhën vet autorëve për të interpretuar nga një poezi tjetër të tyre.
Poetët të cilët interpretuan në këtë mbrëmje plotë emocion ishin: Ilire Zajmi, Emin Z. Emini, Vlora Konushevci, Aziz Mustafa, Bruna Gjoni Përvathi, Shqiptar Oseku, Ardita Jatru, Ndue Ukaj, Marsela Neni Haxhimusai, Xhevat Latifi dhe Gabriela Mujaj. Kurse poezia e Enkeleda Ristani u interpretua nga Vlora Ademi dhe Xhevdet Doda.
Pas pjesës artistike në një prononcim për KultPlus aktori Xhevdet Doda tha se ndihej i lumtur për faktin që interpretimet e tij ishin pëlqyer nga autorët e poezive.
“Për mua si aktor është një përvojë e jashtëzakonshme për të njohur prodhimtarinë e artistëve shqiptar, dhe për t’u rifreskuar me atë që është shkruar brenda vitit dhe brenda një festivali të poezisë. Është përvojë e jashtëzakonshme për t’i njohur vlerat e mëdha artistike që ka poezia shqipe. Roli im në këtë rast ishte interpretimi i poezive, për të cilat jam munduar t’i jap kuptim sipas një biografie të brendshme të cilën e ndërtoj për secilën poezi si aktor”, ka thënë aktori Doda, duke e potencuar edhe rëndësinë e mbajtjes së një festivali të tillë.
“Mendoj që këto lloj të festivaleve duhet të organizohen shumë më tepër. Edhe këto që aktualisht organizohen janë mjaftueshëm. Mendoj që njerëzit duhet të lexojnë më tepër, dhe të njihen me poezinë, për faktin se ne kemi shkrimtarë dhe poetë të jashtëzakonshëm. Përndryshe pa i lexuar nuk mund edhe t’i njohim”, është shprehur Doda.
Ndërkaq, për poeten Vlora Konushevci poezia është gjithmonë festë, posaqërisht kur festivali përkon edhe me 17-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
“Ka disa vite që festivali i tërheq edhe poetët e huaj. Personalisht, kam qenë vazhdimisht pjesë e “Republika”-s për shtatë vite me radhë. Secilën herë përjetoj emocione edhe më të fuqishme, kjo ndoshta për faktin sepse festivali secilin vit është duke u plotësuar me ndonjë element të ri artistik, siç ishin këtë vit baleti dhe aktrimi. Aktivitetet e festivalit janë jashtëzakonisht të rëndësishme pasi përmes tyre komuniteti i poetëve të Kosovës bëhen bashkë dhe njihen me ata të rajonit dhe diasporës. Poezia gjithmonë është festë, në veçanti tash që përkon me 17-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Është bukur t’i kesh gjithë këta miq këtu dhe të festojmë së bashku në këtë formë, përmes vargjeve”, është shprehur poetja Konushevci.
Kurse, nikoqirja e Festivalit Vlora Ademi është shprehur të jetë e kënaqur me rrjedhën e festivalit në përgjithësi.
“Energjia, vullneti, dashuria dhe përkushtimi me të cilin punohet në këtë edicion padyshim që festivalit i japin tjetër nivel. Kur rrjedha shkon ashtu siç është planifikuar padyshim që edhe suksesi nuk mungon”, ka thënë ajo.
Si risi të festivalit “Republika” Ademi i ka përmendur shfaqjet premierë të një dokumentari dhe një shfaqjeje baleti.
“Secila pikë e programit ka qenë e veçantë në vete, megjithatë festivali ka pasur disa veçanti që e kanë karakterizuar këtë edicion. Këtë vit ka qenë risi shfaqja premierë e dokumentarit “Kufiri i kuq- T’hueaj mes t’vetve” dhe premiera e baletit “T’paanët”. Sigurisht edhe interpretimet dhe pjesëmarrja e poetëve, disa prej të cilëve morën pjesë për herë të parë në festival e po ashtu edhe në Kosovë e bën të veçantë këtë pjesë”, ka përfunduar nikoqirja Ademi.
Sonte mbahet nata e tretë dhe e fundit e edicionit të shtatë të Festivalit “Republika”./ KultPlus.com