“Nga Toka në Tryezë”: Produktet Made in Albania prezantohen në Panairin e 30-të të Bujqësisë dhe Ushqimit

10 Nëntor, 2024 - 4:05 pm

Produktet “Made in Albania” po prezantohen në panairin e 30-të ndërkombëtar të Bujqësisë dhe Ushqimit, që është hapur në Tiranë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale historitë e Flora Salit, e cila prodhon mjaltë nga fshati Gosivishtë i Përmetit dhe Jetmira Kaloshit, themeluese dhe drejtuese e “Natyra Ime”, që prodhon sapunë artizanalë.

“Nga Toka në Tryezë” produktet Made in Albania prezantohen në Panairin e 30-të ndërkombëtar i Bujqësisë dhe Ushqimit”, shkruan Rama.

“Falë edhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ne marrim subvencionet për bletët dhe ne kemi shkuar në 150 koshere. Para dy vitesh e kemi certifikuar mjaltin e Bedunicës, si mjaltë specialitet, tradicional dhe i garantuar”, tha Flora Sali.

Ndërsa, Jetmira Kaloshi, nga Shkodra sjell historinë e sipërmarrjes së saj që prodhon sapunë tradicionalë.

“Ne prodhojmë sapunë natyralë, artizanalë, me vaj ulliri dhe bimë mjekësore të zonës sonë nga Shtoj i Ri në Shkodër. E veçanta e këtyre produkteve është se janë 100% natyrale, pa kimikate, pa dhjam shtazor, vetëm me bimë mjekësore dhe vajin e ullirit”, tha Kaloshi.

Panairi i kushtohet promovimit të shërbimeve dhe produkteve autoktone, për të nxitur konsumatorët drejt prodhimeve vendase.

Objektiv kryesor i panairit është nxitja e bashkëpunimeve të reja në bujqësi, rrjetëzimi i fermerëve dhe ekspertëve të sektorit me marka ndërkombëtare dhe me aktorët kryesorë të cilët ndikojnë zhvillimin e sektorit./ KultPlus.com

Të ngjajshme