12 Korrik, 2019 - 7:30 pm
Kur, në vitin 1956, Grace Kelly u bë princesha e Monakos, askush nuk e kishte harruar sovranen e parë me origjinë amerikane, e cila kishte mbushur me krenari bashkëpatriotët e saj dhe kishte joshur Europën, gati njëzet vjet më parë. Kishte qenë martesa e parë e mediatizuar e fillimshekullit XX, ku shtypi kishte qenë kureshtar, por edhe i përmbajtur. A ishte Geraldina, amerikane? Jo krejtësisht, pasi ajo nuk jetoi kurrë në Shtetet e Bashkuara, por, ishte pa diskutim amerikane. Gjuha e saj e nënës, ishte anglishtja e në këtë gjuhë foli përditë me të motrën, deri në fund të jetës. Dashuria e saj për sportin pararojë për kohën, si për tenisin e për skinë, nuk ishte e përhapur për atë kohë, aq më pak për një shtëpi mbretërore. Së fundmi, ndonëse rridhte nga aristokracia e Europës së vjetër, Geraldina ruante edhe një freski natyrore, që e bënte të ishte një prej mbretëreshave me më tepër gjallëri, për jetën e që kurrë nuk u mbërthye pas ritualeve të kohëve të shkuara.
Gjyshi i saj nga nëna, John-Henry Steaurt, rridhte nga një familje fisnikësh skocezë, e cila kishte emigruar në Shtetet e Bashkuara në shekullin XVII dhe ishte vendosur në Maryland. Megjithëse me dhunti të lindur për biznes, John Steaurt-i parapëlqen karrierën diplomatike dhe emërohet konsull i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara në Anvers, në vitet 1880. Në vitin 1890, në moshën pesëdhjetë e nëntë vjeçare, ai martohet me një vajzë dyzet vjet më të re, me Virginia Ramsey Harding. Familja Ramsey vinte nga Karolina e Jugut, ndërsa Harding-ët ishin pronarë të pasur terrenesh në Karolinën e Veriut. Oranzhistë me origjinë irlandeze, ata përbënin një klan të vërtetë dhe ishin tejet të bashkuar dhe sportivë. Gjashtë fëmijët e tyre – katër vajzat: Virginia, Daisy, Bessie dhe Lucy dhe dy djemtë: Duncan dhe Dorsey, të cilët i thërrisnin Roy dhe Boy – kalojnë një fëmijëri të lumtur, po edhe të trazuar. Dunkani, më origjinali si natyrë në atë familje, u bë piktor. Ai studioi në Paris, pranë të famshmëve Gustave Boulanger dhe Jules Lefebvre, në vitet 1880′. Virginia, shumë më e bukur se të gjitha motrat Harding, u martua e para. Një vit më pas, më 18 korrik 1891, ajo lind një vajzë, së cilës do t’i venë emrin Gledis-Virginia, nëna e mbretëreshës së ardhshme Geraldinë.
Virginia ishte ende lehonë, kur i shoqi emërohet ambasador i jashtëzakonshëm në Londër. Ai nuk do t’i ushtrojë dot kurrë funksionet e ngarkuara, pasi, me të mbërritur në Londër sëmuret rëndë. Mjekësia e kohës, këtë sëmundje të mistershme e shpjegon me pea soup fog, mjegullën e dendur që bie mbi zona industriale. John Steaurt-i, dërgohet me urgjencë në Paris, ku as mjekësia franceze dhe as ajri që atje mendohej si më i mirë, nuk i vijnë në ndihmë. Sipas porosive të tij të fundit, – u çua në Baltimorë, në qytetin ku kishte lindur.
E veja, ia plotëson këtë amanet dhe hedh vellon e zezë të zisë. Për këtë grua të re, as njëzet vjeçe, jeta fillon në mënyrë tragjike, por Virginias, si bijë e denjë e Jugut të Amerikës, nuk i mungon as karakteri dhe as forca, për t’u përballur me jetën. Udhëton nëpër të gjithë Europën, kalon një periudhë jete mondane, ndonëse për fare pak kohë, por nuk i shkon ndër mend, as për një çast të vetëm, të kthehet në Karolinë. Vendos të qëndrojë në Washington, ku falë pasurisë së mirë, që i ka lënë i shoqi, mund të jetojë e pavarur. Me trupin e zhdërvjelltë, me këmbët e gjata dhe me tiparet nazike, Virginia është e bukur, për më tepër edhe e pasur. Këto cilësi të rëndësishme, së bashku me mençurinë, intuitën natyrore dhe vetëdijen e duhur për vlerat e saj, i japin mundësinë që të kthejë mbrapsht, pa e vrarë mendjen, propozimet për martesë, të cilat nuk mungojnë.
Për disa vite, ajo do t’i përkushtohet edukimit të Gledisit te vogël. Në vitin 1902, gjatë një darke në ambasadën e Suedisë, Virginia takohet me dikë dhe ky takim do të jetë vendimtar për të. Shkëlqesia e tij Gustave de Strale d’Ekna, ministër dhe shambellan i mbretit Oscar II, burrë joshës, por edhe serioz, është tridhjetë e një vjeç. Virginia, tashmë njëzet e shtatë vjeçe, ndihet e gatshme për një jetë të re.
Çifti, martohet në Jersey, më 1902. Fëmijë nuk do të bëjnë, por Gustave de Strale do të konsiderohet nga Gledisi si një baba, të cilin me shumë ngrohtësi ajo do ta thërrasë “babi i dashur”. “Ishte gjithnjë i dashur dhe i përsosur me mua, aq sa e doja, sikur ta kisha gjyshin tim”, do të thoshte më vonë mbretëresha Geraldinë.
Kësaj here, veshur me të bardha, Virginia e kalon sërish Atlantikun, bashkë me të shoqin dhe me Gladys-in njëmbëdhjetëvjeçare. Njujorkezja e vogël, nuk do të kthehet më në atdheun e saj. Por, gjatë gjithë jetës, ajo do t’i qëndrojë besnike origjinës amerikane. “Më 1945-1946, kur jetonim në Nice, shpesh ftoheshim në anijet e Flotës së Gjashtë, e cila ankorohej në Villefranche-sur-Mer. Nëna rrezëllinte dhe fërgëllonte”, kujton edhe sot e kësaj dite Gi Zhiroja, vëllai nga nëna i Geraldinës.
Strale-t vendosen në Paris, në rrugën Spontini n.76, në lagjen e gjashtëmbëdhjetë. Gladys-i është një adoleshente e parakohshme. E gjatë për moshën e saj dhe e kujdesshme për paraqitjen, ajo, njëlloj si e ëma, dëshmon aftësi përshtatjeje dhe përfshihet me lehtësi në shoqërinë e lartë europiane.
Jeta në Parisin e Belle Epoque-s, është plot me zbavitje. “Belle époque”…. Ky term, i është dhënë më pas, atij fillimshekulli.
Njerëzit i kishte kapur një amnezi e çuditshme kolektive. Shoqëria nuk pranonte të dallonte sinjalet paralajmëruese të tragjedisë, tensionet ndërkombëtare, rivalitetet koloniale dhe shenjat e para të vështirësive ekonomike. Për momentin, Gledis Steaurt jepet pas ballove dhe veshjeve.
Në 1914-ën, Parisi dëfren i gëzuar. Në sezonin e festave janë në modë dëfrimet “me tematikë”, si për shembull ringjallja e modave të Perandorisë së Dytë. Gjatë mbrëmjeve baronët, konteshat apo gjysmë-fisnikët, vishen me krinolinë dhe krihen si Sissi. Gladys, i pret e përmbajtur nderimet djemve të rinj, të cilët, duhet thënë, janë të shumtë. Një ndër arsyet e kësaj vëmendjeje, është pa dyshim edhe fakti i të qënurit trashëgimtare e pasur. Vajza nuk ka tipare aq të përpunuara sa e ëma, por është po aq e gjatë dhe trupi i holle, e bën siluetën e saj edhe më elegante. Zonja Strale nuk i fsheh ambicjet e saj për të bijën: një martesë me një aristokrat me rrënjë të lashta, do të ishte më se e dëshirueshme. Si një amerikane e mirë, ajo nuk vë asgjë mbi vjetërsinë e breznive dhe vezullimin e orendive të praruara… Aleancat mes amerikanëve të pasur dhe fisnikëve europianë, janë një praktikë tepër e përhapur, në atë kohë. Në fund të shekullit, u bënë aq të shpeshta, sa gojët e liga, me ironi, i quajtën “martesat transatlantike”. Në maj të vitit 1914, një shoqe amerikane e Virginia de Strale-s, Julia Scott, kalon nga Parisi. E lindur në New York, para njëzet vitesh, ajo ishte martuar me një diplomat hungarez, kontin Georges Erdödy. Mëngjes për mëngjes Strale-t, nënë e bijë, shkojnë në hotel Ritz, ku ishte vendosur kontesha. Dy mikeshat, të ngazëllyera nga ky takim, pas një kohe të gjatë, i bien pash më pash Parisit. Gledisi është kurdoherë me to. Në fillim ndien një kënaqësi të çiltër, më pas e kap mërzia, që sa vjen e shtohet… Një pasdite, aty nga ora pesë, të dërmuara nga një ditë e tërë me blerje, kthehen të treja në Ritz për të pirë çaj, ndërkohë, që djaloshi i shërbimit shpie në suitën e konteshës, kutitë dhe kapelet. Ndonjëherë, bëjnë ndonjë dorë whist, ku me to bashkohet edhe Gustave de Strale-i.
E kapur nga dalldia e blerjeve, e dehur nga atmosfera e Parisit, po edhe nga natyra e saj e rrëmbyer, Julia vendos ta zgjasë qëndrimin. Më në fund, vendos të niset për në Budapest, prej nga i shoqi e trysnon me letra, që të kthehet. Në vigjilje të largimit së saj, më 3 qershor 1914, ajo i fton miqtë për darkë, në hotel.
“Nuk kisha pikën e dëshirës të shkoja”, shkruan Gladys-i në ditarin e saj. E ka të pamundur t’i shmanget ftesës. Gladys-i sajon shkaqe që ti luten, humbet një bizhuteri, që mezi ja gjejnë mbi shtratin e saj dhe kështu, Strale-t mbërrijnë në sheshin Vendome një orë me vonesë. Shpresojnë se nuk do të bien shumë në sy, mes dymbëdhjetë të ftuarve, që janë të bindur se do të takojnë atje. Për habinë e tyre të madhe, në sallon, bashkë me Julia Erdödy-në, gjendet vetëm një i ftuar. Pesëdhjetëvjeçarja gjuhëbrisk i njeh me mikun e saj, hungarezin kontin Gyula Apponyi de Nagy Appony, shambellan i Madhërisë së tij, Franc Jozef.
Me shtatin e tij të drejtë, me tiparet e rregullta, që shprehnin një karakter të fortë, me vështrimin e kthjellët të syve blu dhe buzëqeshjen joshëse, konti Apponyi nuk mund të mos i bënte përshtypje Gladys-it. Pa rënë në sy, ai gjithashtu, e kishte zhbiruar me vëmendje vajzën e re amerikane. Syrit të tij nuk i kishin shpëtuar “buçkat” e varura nën hijen e kapeles. Nuk e kuptonte dot, në ishte tekë e rinisë apo e llastimit, megjithatë atë e tërhoqi fytyra enigmatike si djallushkë, e asaj vajze. Gyula, ishte ende beqar dhe lidhjet me grate, i përjetonte me ndjesinë e veljes dhe të monotonisë. Dikur, i kishte ikur vërtet mendja për një kushërirën e tij të largët, me emrin Geraldinë. Kësaj radhe, takimi është i veçantë. Gladys-i është e freskët, spontane, e gjallë, moderne, shkurt, krejt ndryshe nga artistokratet e Europës Qendrore, që ai frekuenton zakonisht.
Kur po pinin cigaren e fundit, rrotull tavolinës së bilardos, Gustave de Strale d’Ekna dhe konti Apponyi, i hynë bisedës për makina. Gladys-i merr zemër, futet në bisedë dhe tregon interes për makinat Hotchkiss, tek të cilat thotë se i pëlqen turiri i rrumbullakët. Ky admirim naiv- të jetë vërtet kështu?- bën që konti, i cili ka një makinë të tillë, ta ftojë të nesërmen pasdite, për një shëtitje në pyllin e Malmaison-it. “Që nga ajo ditë, ne bëmë shpesh ekskursione. Gustavi kryente funksionet e shoqëruesit,” shkruan me kujdes Gledisi në ditarin e saj. ”Më 3 korrik, në pyllin Siant- Cucufa-s, Gyula më pyeti nëse pranoja të martohesha me të. Të nesërmen, në orën pesë, une iu përgjigja pozitivisht dhe fejesa jonë u shpall zyrtarisht.”
Njëzet e tre vjeçe, Gladys Steaurt do të hyjë në familjen shquar Apponyi, historia e së cilës kahershëm është e shkrirë e bërë njësh me atë të Hungarisë./Konica.al