Një copë dhimbje nga shfaqja “Babai dhe Babai”

19 Tetor, 2023 - 1:28 pm

Ardianë Pajaziti

Shfaqja “Babai dhe babai” më la një gjurmë të thellë estetike, shfaqje e cila erdhi në mua aq natyrshëm, sa me raste nuk e kuptoja nëse jam brenda një familje reale, apo jam në një shfaqje teatrale.

Një ndjesi të tillë fillimisht e merrja nga ambienti ku ishte vendosë shfaqja, në njërën nga dhomat e Muzeut Etnologjik, e pas kësaj gjetjeje të vendosjes së shfaqjes, pa dyshim, pjesa tjetër ishte meritë e tekstit, regjisë, lojës së aktorëve, ndriçimit, muzikës dhe çdo detaji tjetër që përcillte kjo shfaqje.

Në fund të shfaqjes, nuk dija nëse duhet ti uroja aktorët për ndjesinë që ma dhanë, apo të bashkëndjeja dhimbjen me ta. Këtë të fundit e kisha më të fuqishme. Sepse,  edhe më i shihja këta tre aktorë brenda petkut të roleve, dhe vazhdonin të ishin para syve të mi si: Sara, Dini dhe Lola.

Tash e shumë vjet bashkëjetoj me artin dhe kulturën, por kjo shfaqje më shkundi.

Vendosja e Sarës (Ilire Vinca) përballë audiencës së vogël, shikimi shpues dhe plot dhimbje, sikurse na paralajmëronte: Nuk do të dilni njësoj nga kjo dhomë e vogël, jo aq njësoj sikurse hytë!

Me një ansambël të vogël, me një skenë minimaliste, me një kohëzgjatje perfekte, jo më shumë se një orë e dhjetë minuta, kjo shfaqje shpërfaqi një lojë brilante të aktorëve: Ilire Vinca, Bujar Ahmeti dhe Kosovare Krasniqi.

Jo se dy të fundit erdhën më ftohtë te unë, por Ilire Vinca me rolin e Sarës kapërceu vetveten. Për një kohë aq të shkurtë, ajo u tjetërsua në shumë dimensione. Sara na vinte herë si një grua e zonja, herë një grua me shumë dhimbje, grua që barte burrin e saj të zhdukur në çdo cep të dhomës, grua që qeshte, qeshje që pastaj të vinte në siklet, sepse ishte qeshja që shpërfaqte çmendinë që përballej kjo grua brenda një familje të vogël e me shumë dramë brenda saj.

Të zhdukurit e luftës së Kosovës në shfaqjen “Babai dhe babai” erdhën nëpërmjet Dinit (Bujar Ahmeti). Dhe, sikurse në jetën reale, brenda kësaj familje të vogël, i zhdukuri ishte i pranishëm, të gjallët shndërroheshin në të zhdukur.

E Lola (Kosovare Krasniqi), ishte pika kyçe e kësaj familje, që krijonte urën mes botës reale dhe joreale në këtë familje të vogël, e cila me tkurrjen e saj përçonte pasigurinë e këtyre fëmijëve, që provojnë të jetojnë normal, por që kanë peng rrënjët e familjes.  

Dënesat e audiencës së vogël tashmë i dëgjoja në krahun tim te majtë, në të djathtin, para dhe prapa, përderisa Lola (Kosovare Krasniqi) na shpërndante shamitë me mbishkrimin e “Mbi 1600. Ende mungojnë”, shami që ishte kurora e dhimbjes së kësaj shfaqjeje.

Për një moment mendova që këto shami janë rekuizita të shfaqjes, dhe duhet ti kthejmë në fund, dhe në heshtje mendova që do të refuzoj kthimin e asaj shamie.

Vetëm për një fakt, se ajo shami do të më kujtojë mjeshtërinë e dramaturgut Jeton Neziraj, të regjisorit Kushtrim Koliqi, ‘çmendinë’ e Ilire Vincës, hijen dhe praninë e Bujar Ahmetit dhe tkurrjen e Kosovare Krasniqit.


Mos të flasim pastaj për muzikën e kësaj shfaqje, muzikë që na ka përcjellë përgjatë gjithë jetës, po në këtë shfaqje nuk erdhën si tinguj, në këtë shfaqje erdhën si gjëmë.

Dhe “Babai dhe babai” nuk është shfaqje që në fund mund të thuash e shijova. Është shfaqje që me vete merr një copë dhimbje, por një shfaqje që të kërkon të rikthehesh, që të shohësh sytë e Ilires, hutinë e Bujarit, dhe buzën e dridhur të Kosovares./ KultPlus.com

Të ngjajshme