10 Korrik, 2024 - 6:57 pm
Bernard Çobaj
Dashuritë janë si perandoritë po të zhduket ideja mbi të cilën janë ngritur, ata shuhen bashkë me të
Romani nuk i përshtatet mostrës së shkrimit realist në strukturën e vet, por përbëhet nga disa rrëfime, me strukturë romaneske të ndërthurur me refleksione eseistike.
Stili postmodern i Kunderës përqafon me duarhapur shumësinë e jetës kulturore bashkëkohore dhe në vete ushqen elementin metafiksional (gjatë krijimit të fiksionit të bësh deklarata për krijimin e atij fiksion).
“Do të ishte idiotësi e autorit nëse do të donte t’i bindte lexuesit të besonin se personazhet e tij kanë ekzistuar me të vërtetë. Ata nuk janë lindur nga ndonjë trup amësor, por nga disa fraza kujtimndjellëse apo nga ndonjë situatë kyç. Tomasi u lind nga fraza “einmal ist keinmal”. Tereza nga gurgullima e zorrëve. “
“Edhe një herë, po e shoh ashtu si m’u shfaq në fillim të këtij romani. Ai është në dritare dhe sheh në oborr murin e ndërtesës përballë.”
Romani postmodernist pyet, a mund të ndahet realiteti nga historitë që tregojmë për të?
Karakteristika qendrore e formave të artit postmodernist është vënia në pikëpyetje e kushteve të tyre të ekzistencës. Kjo prodhon efekte ironike. Përveç përdorimit të gjuhës, rrëfimi/fiksioni postmodern tematizon vet përdorimin e gjuhës.
Historia kryesore, ajo mes Terezës dhe Tomasit, përfundon shumë para të fundit të romanit, për t’u rikthyer sërish nëpërmes reflektimeve të rrëfyesve të ndryshëm, me disa udhëzime se mund të kuptohej ndryshe. Pjesët e romanit nuk titullohen në kuptimin që tregojnë disa tema dhe personazhe, por vetëm paralajmërojnë një lëvizje abstrakte në një rreth: Lehtësia dhe Rëndesa, Shpirti dhe Trupi, pjesa e tretë, Fjalët e pakuptuara, për t’u përsëritur sërish në rend të kundërt titujt Shpirti dhe Trupi dhe Lehtësia dhe Rëndesa, të ndjekura nga dy pjesët përfundimtare të titulluar Marshimi i Madh dhe Buzëqeshja e Kareninit. Ajo përshkon një lëvizje rrethore, si koha e akrepave të një ore, se as akrepat nuk ecin para si të çmendur, por vijnë rrotull në një fushë ore, ditë pas ditë, sipas së njëjtës trajektore.
“Ai ka lindur nga kjo shëmbëlltyrë. Siç e kam thënë tashmë, personazhet nuk lindin nga një trup nëne si lindin qeniet e gjalla, por nga një situatë, një frazë, një metaforë e cila mban farën e një mundësie njerëzore bazë, që autori mendon se nuk është zbuluar ende ose se për të nuk është thënë ende asgjë thelbësore. Por a nuk themi se një autor s’mund të flasë për tjetër gjë, veçse për veten?
Personazhet e romanit tim janë vetë mundësitë e mia, që nuk u realizuan. Prandaj i dua të gjithë dhe të gjithë më frikësojnë njëlloj. Secili prej tyre e ka kaluar kufirin, ndërsa unë vetëm i kam rënë rrotull. Ky kalim i kufirit (kufiri, përtej të cilit mbaron uni im) më ndjell. Dhe vetëm në anën tjetër nis misteri, që do të zbulojë romani. Romani nuk është një rrëfim i autorit, por një eksplorim i jetës njerëzore në këtë botë, që është kthyer në kurth.”
Proza postmoderne duket se me vetëdije shmang çdo vendim përfundimtar, si në teknikën e rrëfimit, ashtu edhe në rrafshin tematik, por mendjelehtësia e saj në dukje shpesh përmban mesazhe shumë serioze, të cilat më së shpeshti rrezatojnë një lloj pesimizmi për kuptimin e letërsisë.
Historia e Edipit shfaqet si lajtmotiv në lëvrimin tematik të okupimit të Çekosllovakisë (këtu romani t[rthorazi komunikon me veprën e Orhan Pamukut “Flokëkuqja”) dhe përgjegjësisë të elitës intelektuale karshi gjendjes në vend.
“Nuk ka asnjë justifikim. Askush nuk ishte aq i pafajshëm, thellë në shpirt dhe në ndërgjegje, sa Edipi. E megjithatë ai e ndëshkoi vetë veten, kur pa se ç’kishte bërë.”
“Einmail ist keinmail. Një herë nuk quhet. Një herë është si asnjëherë. Historia e Bohemisë nuk do të përsëritet edhe një herë, as historia e Evropës. Historia e Bohemisë dhe historia e Evropës janë dy skica të ravijëzuara nga mospërvoja fatale e njerëzimit. Historia është po aq e lehtë sa jeta e individit, e lehtë sa nuk durohet, e lehtë si një pupël, si pluhuriza që vërtitet në ajër, si një gjë që nesër nuk do të jetë më.”
Nga ana tjetër, plotfuqia e letërsisë artistike në prozën bashkëkohore shpesh ruan njëfarë optimizmi për të ardhmen e letërsisë. Besohet se liria e papenguar e shprehjes letrare që shkon nduarnduar me pluralizmin e theksuar të teknikave dhe pikëpamjeve, paraqet kornizën e një epoke të re letrare ,që në mënyra të ndryshme i kthehet realizmit, por nuk e ka parasysh të njëjtin të kuptuar të realitetit.
(vazhdon)
/ KultPlus.com