6 Tetor, 2020 - 11:21 pm
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se ka nënshkruar peticionin online ku kërkohet drejtësi për 11 vjecarin e vrarë në Fushë Kosovë. Osmani bën thirrje qytetarëve që të nënshkruajnë gjithashtu peticionin.
“Drejtësi, përgjegjësi, kërkimfalje dhe llogaridhënie për Kujtimin! Unë sapo e kam nënshkruar peticionin ‘Drejtësi për Kujtimin!’ Ju ftoj ta mbështesni këtë peticion për Kujtimin; për familjen e tij; për të parandaluar diçka të ngjashme në të ardhmen!”, ka shkruar ajo në rrjetin social Facebook.
“Humbja e jetës së Kujtimi Veselit – 11 vjeçarit ashkali që u dhunua seksualisht dhe u vra më 11 korrik 2019 në Fushë Kosovë – është dëshmi se si për vite të tëra, të gjithë ne, si shtet dhe shoqëri kemi dështuar ta dënojmë dhe luftojmë racizmin institucional ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Prandaj kjo e bën edhe më të detyrueshme që të gjithë së bashku të kërkojmë drejtësi për Kujtimin, dhe përgjegjësi nga shteti për ta mbrojtur jetën e të gjithë qytetarëve të vendit tonë, pa dallim!”, përfundoi ajo./ KultPlus.com