19 Janar, 2022 - 3:45 pm
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi sot se bashkë me Universitetin Politeknik të Tiranës ka nisur puna për hartimin e planit të menaxhimit të integruar të ansamblit historik të Pallatit të Brigadave.
Në një konsultim publik për hartimin e Planit të Menaxhimit të Integruar të Pallatit të Brigadave, Margariti tha se “ne duhet të bëjmë të mundur që i gjithë ansambli të jetë një hapësirë që duhet të njihet më tepër dhe për këtë nuk mund thjesht të kemi fjalë dhe biseda sporadike, por patjetër që duhet të kemi një vizion të plotë dhe të mirë menduar me bashkëpunimin e sa më shumë ekspertëve”.
“Ky i sotmi është ndalesë e një rrugëtimi shumë të gjatë të nisur vite e vite më parë. Kjo ka qenë një nga hapësirat që qeveria Rama që me marrjen e mandatit filloi të hulumtonte dhe të shikonte një sërë jo vetëm problematikash, por edhe zgjidhje të problematikave me zgjidhje afatgjata. Ka qenë një kërkesë e vazhdueshme, këmbëngulëse e Kryeministrit ajo për të bërë të mundur që jo vetëm ky pallat por i gjithë ky ansambël, që është shpallur i tillë që në vitin 2004 me një vendim të Këshillit të Ministrave t’i rikthehet në mënyrë të denjë të gjithë komunitetit”, theksoi Margariti.
Sipas Margaritit, kur flitet për Pallatin e Brigadave patjetër që ka një farë misteri në të gjithë historinë e tij.
Ministrja Margariti theksoi se “kjo godinë dhe ky park nuk mund të trajtohet si një ishull i veçuar, i gjithë ansambli historik nuk duhet të bie në grackën e një trajtimi institucional, një ishulli i veçuar brenda Tiranës, i lidhur ngushtësisht me atë përfaqësinë e lartë diplomatike, që ka ruajtur në vite dhe nuk mund të mendohet thjesht si një hapësirë, e cila për vlerat e mëdha të trashëgimisë kulturore dhe historike të jetë e lidhur ngushtë vetëm me Ministrinë e Kulturës”.
Duke falënderuar Universitetin Politeknik të Tiranës për bashkëpunimin në hartimin e planit të menaxhimit të integruar të ansamblit historik të Pallatit të Brigadave, Margariti tha se “synimi ynë është që ky potencial kulturor historik, ekonomik që ngërthen ky ansambël që është edhe një zonë e stimuluar, një term që në vite është harruar, ,si një nga termat që i bashkëngjitet kësaj zone, duhet harmonizuar me të gjitha investimet e qeverisë”.
Ne, shtoi Margariti, e kemi parë këtë zonë si një pol të madh zhvillimi me potenciale të fjetura, e cila ende nuk ka arritur ende që të shprehë të gjithë potencialet e saj.
“Pas hartimit të planit të menaxhimit të integruar të Butrintit që ka qenë një nga sfidat që Ministria e Kulturës ka ndërmarrë në këto vite, patjetër kemi një eksperiencë të shtuar për atë çfarë ligji i trashëgimisë na vendos në dispozicion, për atë çfarë potencialet e fjetura të trashëgimisë sonë mund të sjellin për komunitetet dhe për të gjithë territorin shqiptar”, tha Margariti.
Ministrja Margariti bëri të ditur se “pas një pune të gjatë të kurorëzuar edhe me partnerin tonë Fondin Amerikan për Zhvillim fillojmë tashmë një sfidë tjetër dhe në takimet e shumta me Universitetin Politeknik dhe grupin e punës kemi parë që me përpjekjet e vazhdueshme të fokusuara në restaurimin e godinës për shkak të degradimeve të saj të kohës, kemi vënë re që ajo që ka munguar ka qenë një vizion i mirëfilltë, i cili lidhte në mënyrë sinergjike të gjithë elementët, jo vetëm potencialet, jo vetëm problematikat, por edhe funksionet e munguara të këtij ansambli”.
Pallati i Brigadave është një sit i jashtëzakonshëm i trashëgimisë kulturore në qytetin e Tiranës, fryt i arkitekturës së mrekullueshme të viteve 1930-40./atsh/ KultPlus.com