Parku Kulturor “Ali Podrimja” ndërpren të gjitha aktivitetet: Në mungesë të mbështetjes, është bërë e pamundur të vazhdojmë punën

9 Shtator, 2024 - 11:55 am

Parku Kulturor “Ali Podrimja” në Gjakovë, ka njoftuar se pas tetë edicioneve të suksesshme, parku ka ndërprerë aktivitetet dhe nuk do të ketë edicione të tjera në vazhdim.

Në njoftim, ata janë shprehur se në këtë rrugëtim madhështor, parku është cilësuar dhe vlerësuar si një nga projektet më të mira jo vetëm në Gjakovë, por në mbarë Kosovën.

“Parku u nis si një iniciativë qytetare vullnetare në vitin 2016 dhe gjatë këtyre tetë viteve, kemi sjellë mbi 500 ngjarje kulturore dhe artistike”, thuhet në njoftim.

Tutje, ata janë shprehur se përballë mungesës së vazhdueshme të mbështetjes financiare dhe logjistike, mosrespektimit të punës dhe angazhimit, është bërë e pamundur të vazhdojnë punën. Ata thanë se me gjithë problemet e përvitshme, janë angazhuar pafund deri sa iu janë shterrur të gjitha energjitë.

“Ky vendim nuk është marrë lehtë, sepse kemi dashuri dhe pasion për parkun, por duke pas parasysh kushtet dhe sfidat e vazhdueshme, është momenti i duhur për ta mbyllur këtë kapitull. Ka qenë kënaqësi për 8 vite me mbajtë gjallë qytetin me kulturë dhe art, duke dhuruar momente dhe netë që do të qëndrojnë gjatë në memoriet tona, momente këto që kanë qenë shtysë e madhe drejt një programi atraktiv që kemi shfaqur në çdo edicion”, thuhet tutje në reagimin e tyre./KultPlus.com

Të ngjajshme