29 Shtator, 2018 - 5:40 pm
Festivali Ndërkombëtar i Prozës do të mbahet për herë të parë në Kosovë, në tetor të këtij viti dhe do të sjellë para lexuesve shkrimtarët si Rexhep Qosja, Donika Dabishevci, Srdjan Tesin, Virion Graçi, Stefan Boshkoviq dhe Dimitar Samardjev.
Ky festival do të mbahet në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, me ç’ rast autorët e lartpërmendur do të lexojnë pjesë nga veprat e tyre. Ndërkaq, koordinatore e këtij festivali është Saranda Buzhala, kritike letrare dhe asistente e lëndëve të letërsisë shqipe në Universitetin e Prizrenit.
Ajo thënë se përmes këtij festivali po synojnë të krijojnë urëlidhëse mes shkrimtarëve vendor dhe të huaj, e njëkohësisht të njoftojnë lexuesit me shkrimet e tyre.
”Qëllimi i Festivalit është që të krijojë ura lidhëse mes shkrimtarëve tanë dhe të huaj, e njëkohësisht edhe t’u jepet mundësi lexuesve të letërsisë dhe artdashësve në përgjithësi që të kenë rastin të njoftohen me shkrimet e autorëve tanë, po ashtu edhe të huaj. Ajo çka e bën të veçantë këtë festival, është fakti që është i pari i kësaj natyre në vendin tonë, dhe po ashtu objekt i saj është vetëm proza. Sigurisht që qëllimi ynë është që festivali të jetë tradicional, duke u fuqizuar nga viti ne vit”, ka thënë Buzhala.
Ky festival, i cili i dedikohet vetëm prozës artistike, pritet të sjellë shkrimtarë nga Kosova, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia. Fiction Fest do të mbahet gjatë datave 4, 5 dhe 6 tetor në Prishtinë. Organizatorët kanë njoftuar që ky festival do të shndërrohet në traditë, duke u organizuar edhe vitet e ardhshme./Rtv21/ KultPlus.com