Përkujtohet Atë Gjon Shllaku, u ekzekutua më 4 mars 1946

4 Mars, 2022 - 12:16 pm

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujtoi sot Atë Gjon Shllakun, i cili u ekzekutua më 4 mars të vitit 1946.

Fryma e tij do të shuhej me ekzekutimin e vendimit “me vdekje” të lëshuar nga i ashtuquajturi “gjyq popullor”, më 22 shkurt 1946. Pretenca që rëndonte mbi françeskanin qe ngritur mbi pretendimin e drejtimit të organizatës “Dora e Zezë”, e cila dyshohej për qëllime destabilizuese në Shqipëri.

Me mbështetjen nën rrogoz të Vatikanit dhe nën udhëheqjen e Shllakut, kjo organizatë e supozuar, do të ndërmerrte një sërë atentatesh në mbarë vendin, duke aluduar edhe për ndërlidhje të saj me vendet perëndimore.

Në të gdhirë të mëngjesit të 4 marsit, Atë Gjon Shllaku u vendos para togës së pushkatimit, së bashku me Atë Daniel Dajanin, Atë Xhovani Faustin dhe seminaristët, Qerim Sadiku dhe Gjelosh Lulashi, që akuzoheshin si anëtarë të organizatës.

I Lumi Atë Gjon Shllaku, u lind në Shkodër më 27 korrik 1907. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në vendlindje, nën kujdesin e françeskanëve. Studimet e larta për shkenca i ndoqi në universitetin e Lovanios në Belgjikë.

Mandej, u thellua në disiplinën e filozofisë dhe të teologjisë në Hollandë dhe në Sorbona të Parisit, prej nga ku mori titullin akademik “doktor”. Me t’u kthyer në Shqipëri, qe profesor i filozofisë në liceun “Illyricum”. U shugurua meshtar më 15 mars 1931.

Në dokumentin më poshtë, paraqitet “santino” e Atë Gjon Shllakut, me riprodhimin e pikturës “Shën Mëria me të birin”, realizuar një prej ikonave të Rilindjes italiane, Sandro Boticelli./ KultPlus.com

Të ngjajshme