10 Qershor, 2019 - 11:00 pm
Historia tragjike e të parave vajza pesënjake që erdhën në botë. Jetuan për një dekadë si atraksione turistike pas një xhami. Në vitet 1930-të lindja e binjakëve ishte fenomen i rrallë, veçanërisht në qoftë se të dy foshnjat ishin në gjendje të mbijetonin. Pra, kur erdhën pesë vajza në botë, shoqëria e Ontario u shashtis. Qytetarët kurrë nuk kishin parë një rast të ngjashëm dhe as e kishin imagjinuar se mund të ndodhte.
Annette, Cecile, Yvonne, Mary, dhe Emil Dion, lindën dy muaj para kohe më 28 Maj, 1934 nga Dr. Alan Roy Dafoe. Me ndihmën e grave kanadeze të cilat ishin në gjendje të dhuronin qumështin e gjirit dhe përvojën, por edhe infermiereve të Kryqit të Kuq Kanadez, vajzat ishin pesënjaket e para në botë të regjistruara që mbijetuan pas lindjes.
Ndërsa rriteshin, gjërat nuk shkuan mirë. Pesë motrat e vogla tërhoqën interesin e madh të qeverisë kanadeze që nga muaji i katërt i jetës së tyre. I ndanë nga prindërit e tyre natyrorë me arsyetimin e mbrojtjes nga shfrytëzimi.
Përkundër faktit se ishin fëmijë të shëndetshëm, i mbyllën në një spital të formuar posaçërisht, që kujtonte luna park, i cili ishte i hapur për turistët. Vendi quhej “Quintland”, që në përkthimin e lirë do të thotë “vendi i pesënjakëve”.
Vajzat ishin atraksioni më i madh turistik për 9 vite! Ishin nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të mjekëve dhe infermierëve, që kujdeseshin për to, por në të njëjtën kohë kontrollonin ngjashmëritë dhe dallimet fizike midis tyre.
Cesile, një nga motrat, disa vite më vonë pranoi se së pari mësoi fjalën “doktor” dhe pastaj tha “mama. Në vitet 34 – 44, rreth 3 milionë njerëz vizituan Quintland. Vizitat lejoheshin tri herë në ditë. Vajzat nuk i prekte kurrë askush, ishin prapa një muri të madh qelqi. Në raste të rralla, për të kënaqur botën, i vishnin me rroba të njëjta dhe thjesht i lejonin t’u thonin emrin e tyre vizitorëve.
Kishin tërhequr interesin botëror. Gjithashtu u bënë kopertinë në revistën “Life”. Gazetat vazhdimisht informonin botën për shëndetin e tyre. Fotot e tyre ishin kudo. Thuhet se brenda një dekade, qeveria dhe bizneset lokale përfituan afër gjysmë milionë dollarë nga vajzat. Nga kjo shumë, asnjë dollarë nuk shkoi kurrë tek ato. Pas dhjetë vitesh dhe shumë mosmarrëveshjeve gjyqësore, pesënjaket u kthyen në familjen e tyre.
Bashkimi në Nëntor 1943 nuk shkoi mirë. Asnjë nga motrat nuk arriti të lidhet me prindërit e natyrshëm. Kur mbushën 18 vjeç, ndërprenë kontaktet me ta. Nuk kishin miq dhe nuk mund t’i përshtateshin jetës jashtë spitalit.
Më vonë në një libër, duke ndarë përvojat e tyre të përbashkëta, akuzuan hapur prindërit e tyre për dhunën verbale dhe seksuale dhe forma të tjera abuzimi. Qeveria e Ontarios, megjithëse me vonesë, u kërkoi ndjesë për ndarjen e dhunshme nga familja e tyre.
Në Mars të vitit 1998, i dëmshpërbleu me 4 milionë dollarë për vitet që kaluan si atraksion turistik pas një xhami në një luna park. Emil u bë murgeshë dhe vdiq në 1954. Mary vdiq në vitin 1970 nga tromboza dhe Yvonne në vitin 2001. Në Dhjetor të vitit 2014, vetëm dy nga pesë motrat ishin gjallë. Anet dhe Cecile. Motrat Dion jetuan një jetë tragjike. Asnjë nga të pestat nuk arriti të shërohet kurrë dhe të kapërcejë traumën mendore që iu shkaktuan në një moshë aq të vogël. Një mur xhami i privoi nga jeta normale, ndërsa njerëzit fituan miliona nga pesë fëmijët e vegjël, duke shkatërruar jetën e tyre. Ngjarje dhe Foto nga Historia Botërore.