Pjesë e UNESCO-s, Rama ndan videon e “K’cimit të Tropojës” në sheshin “Nënë Tereza”

16 Dhjetor, 2024 - 11:44 pm

“K’cimi i Tropojës” u shpall në fillim të muajit dhjetor zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar mbrëmjen e sotme një video në rrjetet sociale ku mund të shihet nëpërmjet një platforme digjitale vallëzimi i “K’cimit të Tropojës” në sheshin “Nënë Tereza”.

“K’cimi i Tropojës pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO”, shkruan kreu i qeverisë.

Kjo ngjarje shënon moment të rëndësishëm për ruajtjen dhe transmetimin brez pas brezi, por edhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore përtej kufijve lokalë.

Formulari i kandidimit të dukurisë së Kcimit të Tropojës për “Representative List of Intangible Cultural Heritage of Humanity” u dorëzua në mars 2021.

“K’cimi i Tropojës” është një tjetër element unik shqiptar që prezantohet për këtë listë, i cili promovon pasurinë kulturore shqiptare në skenën ndërkombëtare.

“K’cimi i Tropojës”, i njohur gjithashtu si “K’cim Veni”, është një vallëzim festiv që ka ruajtur vitalitetin e tij ndër shekuj. Ai përfshin elementë të artit performues, traditave gojore, ritualeve dhe ngjarjeve festive. Përgjatë viteve, kjo traditë ka mbetur një simbol i identitetit dhe bashkimit për banorët e Tropojës dhe Malësisë së Gjakovës.

Vallëzimi interpretohet në raste të ndryshme ceremoniale dhe shoqërore, si dasma, fejesa dhe festa lokale. Lëvizjet e tij ritmike, të shoqëruara me tupan, çifteli dhe fyell, simbolizojnë energjinë dhe gëzimin që karakterizojnë këtë komunitet. Performancat shpesh përfshijnë veshje tradicionale dhe shami të kuqe ose të verdhë, duke ruajtur kështu autenticitetin e elementit./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme