8 Prill, 2020 - 9:30 pm
Në letërsinë arbëreshe shënjohen pikënisjet e disa zhanreve letrare, të cilat kanë ndikuar në zhvillimin dhe pasurimin e letërsisë shqipe në tërësi. Një prej autorëve më të rëndësishëm të Arbëreshëve të Italisë ishte Françisk Santori, i cili krijoi dramën “Emira”, e njohur si drama e parë shqipe. Ai njëherësh, konsiderohet edhe si një ndër lëvruesit e parë të zhanrit të komedisë. Së fundmi, akademiku Gjovalin Shkurtaj ka botuar edhe satirat e Santorit, duke i pajisur me transliterim dhe shënime të vyera filologjike.
Komedia satirike “Polikarpi” është konsideruar si një nga veprat më të arrira të Santorit, në të cilin gjenden shumë elemente autobiografike. Një analizë më të detajuar mbi këtë vepër sjell studiuesja e letërsisë arbëreshe, Klara Kodra.
“Polikarpi” është një komedi satirike që e ka të dukshëm elementin autobiografik. Autori e ka vendosur në vendlindjen e vet, në Picilje (Santa Caterina Albanese). Santori e sheh aty veten në optikën aspak përkëdhelëse të bashkëfshatarëve, i satirizon ata dhe veset e tyre, duke mos lënë mënjanë humorin me vetveten. Ai s’del konkretisht si personazh veprues, po vizatohet përmes dialogëve të të tjerëve.
Një nga personazhet e kësaj komedie është prifti Belvin (armik personal i Santorit) i cili e vetëdemaskon veten duke shprehur lakminë për para dhe vesin e pijes që e karakterizojnë, vese këto që bien në kontrast me vetëpërmbajtjen dhe thjeshtësinë që duhet të dallonin në parim një klerik, po pasqyrojnë realitetin shoqëror të fshatit ku shumica e klerikëve ishin të tillë.
Autori i largohet këtu atij idealizimi të klerikëve që te “Emira” shprehej te figura e Motëmadhit, njeri me virtyte të larta.
Belvini vetërrëfehet përmes dialogut duke treguar kështu edhe mungesë zgjuarsie. Ai as nuk orvatet të mbulojë vetveten me një tis hipokrit morali fetar si bënte përkundrazi vejusha në komedinë omonime. Ai shprehet kështu: “Një mesh nëng të ndën/ njeri. Petëkat së japin gjë …/ Mos pafça allmonu një gjips litri ver ditën/ ndihem si ji dekur… (S’të kërkojnë meshë/ Tokat s’të japin gjë; / Po s’pata gjysmë litri verë të pi ditën, ndihem si i vdekur).
Në këtë komedi Santori shpreh aftësitë e veta si vëzhgues të realitetit që e çojnë nga romantizmi, një romantizëm i stuhishëm, i afërt me romantizmin kalabrez te realizmi, një realizëm të ngjashëm me verizmin italian, i cili përfshinte edhe elemente të natyralizmit, të një fotografimi tepër besnik të realitetit.
Ky autor zbulohet te “Polikarpi” edhe si psikolog që depërton me mprehtësi në shpirtin njerëzor dhe di ta pasqyrojë atë jo vetëm përmes patosit dramatik ose tragjik që i ofronte realiteti i kohës, po edhe përmes një patosi komiko-satirik duke e pasuruar letërsinë arbëreshe dhe shqiptare për herë të parë me përmasën e humorit, të vështrimit të të metave dhe veseve njerëzore përmes lentes zmadhuese të komizmit!
Ky komizëm në komedinë në fjalë përqendrohet te karakteret, njëri prej të cilëve është vetë autori, personazh mungues, po që jeton përmes perceptimit të personazheve të tjerë. Kjo komedi ka një shije moliereske (le të kujtojmë se si vetë Molieri bën ironi me veten dhe alergjinë e vet ndaj mjekëve te “I sëmuri imagjinar” nëpërmjet thënieve të protagonistit, Argantit, njeri narçizist dhe me një kujdes të tepruar ndaj vetes që shpik njëmijë sëmundje imagjinare nga frika dhe egoizmi i tepruar.
Ky personazh që është bërë skllav i mjekëve, shfaq armiqësi ndaj vetë autorit duke folur për të me tallje dhe nënvleftësim. Në mënyrë analoge, bashkëfshatarët e quajnë Santorin njeri pa vlerë dhe të paditur që, sipas tyre, pretendon më kot nëpërmjet disa shkrimeve “të kopjuara andej – këtej” për mendimin e tyre, të luajë rolin e një njeriu të përgatitur dhe të talentuar, prandaj ai quhet prej tyre me llagapin “gomar”. Njëkohësisht, ata duke bërë aluzion për aventurat e tij me vajzat që s’i përshtaten një kleriku, e quajnë “cjap”. Diaspora Shqiptare / KultPlus.com