Presidentja Osmani: Do të kujdesem që t’i ruaj dhe kultivoj trashëgiminë dhe miqësitë që i krijoi Ibrahim Rugova

2 Dhjetor, 2021 - 11:50 am

Presidentja Vjosa Osmani ka përkujtuar presidentin historik të Kosovës Ibrahim Rugova në ditëlindjen e 77-të të tij.

Presidentja Osmani ka shkruar se si shefe e shtetit do të kujdeset maksimalisht që trashëgimia politike e Ibrahim Rugovës e sidomos miqësia me ShBA-në të kultivohet edhe më tej.

“Si presidente e vendit do të kujdesem maksimalisht që trashëgimia e tij politike, miqësitë që i krijoi për ne, sidomos ajo me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me vendet e BE-së dhe vendet e tjera demokratike anekënd botës, të ruhen e të kultivohen më tej.Kosova do t’i jetë përherë mirënjohëse këtij kolosi të dijes, të kulturës e të politikës”, ka shkruar ajo.

 Osmani poashtu ka thënë se sot është ditëlindja e ideatorit të Republikës së pavarur të Kosovës.

“Sot është ditëlindja e ideatorit të Republikës sonë të mosvarme, Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës. Në çdo ditëlindje të tij, ne e kujtojmë atë me mallin e respektin që bijtë e bijat e vendit e tregojnë për atin themelues të shtetit të tyre. Por, e kujtojmë edhe si njeri model, skajshmërisht të butë në pamje e në komunikim, por po kaq këmbëngulës e të vendosur në vizionin e tij për ta realizuar ëndrrën e brezave për të jetuar të lirë”, ka shkruar Osmani./KultPlus.com

Të ngjajshme