6 Maj, 2023 - 10:30 am
Në 24-vjetorin e vrasjes, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar akademik Fehmi Aganin.
Në vijim, deklarata e plotë e Presidentes Osmani:
Sot e kujtojmë me respekt akademik Fehmi Aganin, figurën emblematike të lëvizjes për lirinë e Kosovës, njeriun që përkushtimin e tij ndaj dijes e arsimit e kombinoi me aktivitetin politik, duke qenë dorë e djathtë e presidentit historik, dr.Ibrahim Rugova, me të cilin u angazhua deri në vdekje në përmbushjen e idealit për Kosovën shtet të pavarur.
Më 6 maj të vitit 1999, në agun e lirisë, vizionari e përbashkuesi, akademik Agani u vra mizorisht nga forca të regjimit gjenocidal të Serbisë.
Vizioni dhe trashëgimia e tij për Kosovën do të jetë frymëzim për brezat.
Kujtimi për akademik Aganin do të jetë i përhershëm, kurse sjellja e autorëve të krimit para drejtësisë përkushtim i yni i vazhdueshëm!/ KultPlus.com