10 Shkurt, 2025 - 4:25 pm
Galeria Kombëtare e Kosovës ka shpallë programin për vitin 2025 i cili sjellë një numër ekspozitash që inkuadrojnë disiplina të ndryshme artistike, në bashkëbisedim mes artistëve vendor dhe ndërkombëtar, dhe gjithashtu përgatitjet për ekspozita gjatë vitit 2026.
Programi do të pasurohet me projekte hulumtuese dhe edukative, duke synuar përshirjen e një publiku më të gjerë dhe metoda alternative të të nxënit, meqë Galeria Kombëtare e Kosovës do të hyj në proces renovim. Aktivitetet do të zhvillohen në Galerinë e Vogël (ish-Galeria e Ministrisë së Kulturës), tashmë pjesë përbërëse e GKK-së.
Programi do të përfshij ekspozitën personal të fotografit Blerim Rracaj, projekt i bartur nga Galeria e Ministrisë së Kulturës. Puna e tij përdorë fjalorë të fotografisë dokumentare të kontekstualizuar si strukturë antropologjike e mishëruar në përkatesinë e tij kulturore zakonisht i fokusuar në portreturë dhe pamje urbane si tregues semiotik të identitetit shoqëror. Poashtu do të organizohet ekspozita e artistit Valdrin Thaqin me titull “Asgjë e re nën diell”, kuruar nga Domenico de Chirico. Puna e tij e përbërë kryesisht nga mediumi i pikturës hulumton ciklet e qëndrueshme të përvojës njerëzore, ku kujtesa, dëshira dhe brishtësia kryqëzohen në momente kalimtare dhe të përjetshme. Kurse artisti i ri Kemil Bekteši do të prezentohet me një seri instalacionesh të titulluara “Ngadalë dhe i Pandalshëm” ku inspirimin e tij e merr nga puna e babait si bukëpjekës. Duke marrë tharmin si pikënisje, ai reflekton mbi kushtet e punës së Kosovarëve në perëndim. Ndër të tjera, do të prezantohet një ekspozitë nga koleksioni i GKK-së, duke sjellë për publikun narrativa kuratoriale që nxjerrin në pah historitë e koleksionit nga një perspektivë e re. Pas shumë vitesh, rikthehet ekspozita “Artistët e Rinj”, e cila mbështet artistët në hulumtim dhe komisionim të veprave të reja. Artistët pjesëmarrës do të përzgjidhen me anë të një thirrjeje të hapur që do të shpallet në muajt në vijim; një nga pjesëmarrsit do të mbështetet tutje përmes një rezidence artistike.
Përveq këtyre, këtë vit do të filloj faza përgatitore për ekspozitën e parë retrospektive të artistit eminent Xhevdet Xhafa në GKK, i njohur për ndikim të thellë në jetën kulturore e artistike të Kosovës. Poashtu në fazë pëgatitore do të jetë edhe ekspozita personale e artistes Doruntina Kastrati e kurua nga Natasa Petersin-Bachelez, e cila në vitin 2024 e përfaqësoi Kosovën në Bienalen e Venedikut dhe u nderua me “Mirënjohje të Vecantë”. Bienalja “Muslim Mulliqi” do të jetë gjithashtu në fazën hulumtuese nga kuratorët rreth konceptit kuratorial që ekspozita do të përmbajë. Të gjitha këto janë të planifikuara të realizohen gjatë pjesës së dytë të vitit 2026, pas renovimit të GKK.
Gjatë këtij viti, programi do të ketë fokus primar projektet edukative, përmes hulumtimeve, botimeve dhe diskutimeve. Hulumtimi “E kaluara, e tashmja dhe e pas-ardhmja: Bashkëbisedim për teorinë e artit kosovar” nga filozofi Labinot Kelmendi dhe studentët e tij, do të ravijëzoj në formë të bashkëbisedimit teorik, hulumtues një trajektore të gjerë të zhvillimit të artit në kontekstin kosovar, duke u bazuar në koleksionin e GKK-së dhe më gjerë. Era Qena me hulumtimin “Karikatura si formë rebelimi” synon të gjejë kufinjtë e fshehur me të cilat kanë operuar subkulturat në Kosovë. Ky hulumtim do t’i vënë pah karikaturisët kryesorë të cilët punuan për gazeta e revista, dhe që e përdorën karikaturën si formë arti për të krijuar rezistencë. Dardan Luta me “Gjurmimi i Matej Rodiqit” do të hulumtoj më shumë për jetën dhe veprën e artistit Matej Rodiqi.
Krahas këtyre, do të përkrah projektin “Archiving Transitions” të Fondacioni-it 17 i cili synon të shqyrtojë ndikimin që ka pasur Çmimi “Artistët e së Nesërmes” në jetën artistike e kulturore në vend, prodhimin e artit bashkëkohor, formësimin e skenës artistike, dhe në frymëzimin dhe zhvillimin e brezave të rinj të artistëve. Drita Kabashi, historiane e artit, do të vazhdojë hulumtimet dhe publikimet mbi arkivin e GKK-së si vazhdimësi e suksesit të nismës ekzistuese të shkrimeve Nga Arkivat e Galerisë. Këto shkrime pasqyrojnë përkushtimin e Galerisë Kombëtare për të ofruar analiza dhe kritika mbi skenën artistike të Kosovës dhe historitë e ekspozitave. GKK do të vazhdojë punën e digjitalizimit të plotë të arkivave, duke i bërë këto materiale të qasshme për studime, historian dhe artistë ndër të tjerë.
Programi është përzgjedhur nga Këshilli Drejtues i GKK-së i kryesuar nga Renea Behluli, dhe i përbërë nga anëtarët Linda Gusia, Agron Blakçori, Somer Şpat, Guri Çavdarbasha dhe Bariu Zenelaj./KultPlus.com