17 Shtator, 2020 - 11:15 am
Suada Qorraj
Ndonëse në një hapësirë jo edhe aq të madhe, të pranishmit tashmë kishin zënë vendet, edhe pse në një kohë kur pandemia ka minimizuar, madje edhe pezulluar të gjitha aktivitet kulturore, adhuruesit e librit e të historisë shqiptare, patën fatin që për pak minuta të gjenden ballë për ballë me faktet tronditëse, po edhe të rëndësishme të vendit tonë, shkruan KultPlus.
Duke shpjeguar rrugëtimin e të gjithë punës së tij, që nga libri i parë e deri tek i fundit, që përbëjnë tërësinë e quajtur ‘Kosova’, në ambientet e librarisë ‘Dukagjini’, përballë një publiku të rrethuar nga librat, Jusuf Buxhovi bëri promovimin e librit të tij të fundit ‘Dardania, Antika, Mesjeta’.
Diskutimi mbi librin dhe të gjeturat që janë bërë për historinë e fiseve shqipe, të kaluarës së shtrembëruar, dekadë pas dekade u hap me fjalimin e botuesit Nazmi Rrahmani i cili librin e Jusuf Buxhovit e vlerësoi si një të arritur të madhe në fushën e historiografisë të vendit tonë, meqenëse sipas tij ajo vë në pah Dardanët si popull e Dardaninë si mbretëri, si dhe faktet që në të shumtën e rasteve janë minimizuar.
Rrahmani ka theksuar se autori me mbështetjen e tij në literaturën e historianëve botërorë, të periudhave të ndryshme bënë nxjerrjen e pellazgëve nga lashtësia, ku gjurmët e tyre i vë në një sfond historik si një përpjekje për të bërë edhe më të njohur temën e pasardhësve të tyre të drejtpërdrejtë.
“Duke u mbështetur në literaturë mjaft të pasur të historianëve të rëndësishëm botërorë dhe të kohëve të ndryshme, autori studimin e nis me nxjerrjen e pellazgëve nga lashtësia përmes gjurmëve të tyre të shumta duke i vendosur në sfond historik, përpjekje kjo që patjetër hap çështjen e pasardhësve të drejtpërdrejt të tyre, familjes së madhe ilire-trake, e në radhë të parë të Dardanëve, Maqedonëve dhe Epirotëve”, ka thënë botuesi.
Sipas tij, Buxhovi në librin e tij ka nxjerrë një varg argumentesh që e dëshmojnë këtë lidhje historike duke u mbështetur në mitologji, por edhe në fakte të tjera të shkruara në kohë dhe periudha të ndryshme të zhvillimit njerëzor.
Rrahmani tutje ka veçuar edhe punën dhe qëndrimin e Buxhovit rreth rolit të Dardanisë antike gjatë kohës së Bizantit, por edhe rëndësinë që kishte ajo në periudhën e transformimit të formacioneve politike-shoqërore që u erdhën në Ilirik pas shfaqjes së krishterimit ku u gërshetuan edhe interesat e lindjes dhe të perëndimit për mbizotërim.
“Natyrisht mendimet e shkencëtarëve, historianëve për të gjitha këto probleme lidhur me Dardanët mund të jenë herë herë të ndryshme, por Buxhovi duke përcjellur historinë dhe ngjarjet e ndryshme ku Dardanët janë pjesëmarrës ose akter kryesor, vazhdon të paraqes lidhjen e fiseve deri te fiset mbretni, mbretnin e Dardanisë dhe luftërat me Maqedonasit, me Ilirët dhe ato kundër Romës, pushtimet Romake dhe kryengritjet Ilire dhe rolin e Dardanëve, ilirikun si pjesë të perandorisë Romake, shkruan për Dardaninë Bizantine, krishterimin në Dardani, Dardanët në kohët e dyndjeve Sllave e periudha tjera”, ka shtuar Nazmi Rrahmani.
Për Rrahmanin, libri ka një rëndësi të madhe edhe për faktin se ai përcillet me shtojcën “Mashtrimet e historiografisë serbe: konvertimi i popujve dhe falsifikimi i dokumenteve kishtare”. Sipas tij kjo shtojcë sjellë argumente kundër pikëpamjeve të shtrembëruara që i kanë kushtuar shumë historisë sonë.
“Ky vëllim ka edhe një shtojcë prej nja 50 faqesh që mban titull “Mashtrimet e historiografisë serbe: konvertimi i popujve dhe falsifikimi i dokumenteve kishtare” që mendoj se është me rendësi të veçantë ngase një proces i këtillë ka shumë kohë që i ka kushtuar shumë shtrenjtë historiografisë tonë, ngase shumë ngjarje, shumë pikëpamje dhe shumë qëndrime janë shtrembëruar në bazë të këtyre mashtrimeve dhe falsifikimeve të dokumenteve. Këto pasoja i ndjenë sot jo vetëm historiografia jonë, por edhe një pjesë e mirë e historiografisë evropiane e botërore”, ka përfunduar fjalimin e tij botuesi.
Përgjatë diskutimit që u moderua nga Iliriana Hasaj, Buxhovit ju kërkuar që të shpjegoj konceptet e Dardanëve si etni dhe Dardanëve si mbretëri. Sipas tij Dardanët shkojnë trembëdhjetë shekuj më tutje në histori dhe konsiderohen edhe themelues të Trojës. Ai ka shtuar se mbretëria e Sardanisë që nga shekulli i IV nuk mund të kontestohet sepse është fakt historik.
“Dardanët si popull si etni shkojnë 13 shekuj më tutje në histori dhe me të drejtë konsiderohen si ndërtues të qytetërimeve më të rëndësishme të kohës, të cilët historiografia botërore i pranon. Në të gjitha vëllimet relevante botërore, Dardanët merren themelues të Trojës. Dardania, mbretëria e Dardanisë prej shekullit të IV nuk ka asgjë kontestuese sepse është fakt historik veçmas luftërat me Maqedoninë të cilat janë interpretuar gabimisht vazhdimisht, se në tri mbretëritë antikiteti që krijon tablonë të cilën historiografia jonë nuk e ka pranuar ose me defekte të tri mbretërive shumë të rëndësishme që është mbretëria e Dardanisë, mbretëria e Maqedonisë dhe mbretëria e Epirit”, ka thënë Buxhovi.
Sipas tij historiografia në Shqipëri dhe në Kosovë është një kapitull minimizues sepse tentojnë të mos dëmtojnë tezën ilire. Buxhovi ka theksuar se teza ilire nuk dëmtohet ngase Dardania është thelbi i mbretërive në antikitet.
“Historiografia institucionale në Shqipëri edhe në Kosovë ka shkuar me një kapitull minimizues sepse tentojnë të mos dëmtojnë tezën ilire. Nuk dëmtohet, përkundrazi Dardania është thelbi i mbretërive në antikitet dhe e pranon gjithë bota”, ka shtuar autori.
I pyetur se pse janë pikërisht institucionet tona ato që dëmtojnë dhe falsifikojnë historinë e popullit tonë, ai ka thënë se në këtë qëndron fakti që ne jemi më të vonshëm në ndërtimin e shtetit. Sipas tij duke qenë se Serbia nuk ka pasur një shtet mesjetar serb dhe në këtë mënyrë kanë filluar falsifikimet.
“Janë shumë të qarta, sepse jeni të vonuar me shtet, ndërsa serbë dhe rusët, në përgjithësi politika hegjominsite e shekullit të XIX me Naçertanjen ka krijuar koncepte shtetërore, ka krijuar shtete nga koncepti fetar. Nga ortodoksia janë krijuar tre shtete, Greqia, Mali i Zi dhe pjesërisht Serbia. Në ortodoksi pjesëmarrja më e madhe ka qenë e faktorit shqiptar në to, dhe mbretëria që është krijuar prej Naçertanja ka qenë e nevojshme ta ketë platformën shtet madh. Rusia ka qenë sponsore në konferencën e paqes me 1865 dhe ka fituar të drejtën që të jetë mbrojtëse e krishterimit ortodoks dhe ka punuar që të faktorin nacional ta konvertoj në atë fetar, e prej këtu është krijuar edhe shteti i Serbisë, pa një shtet mesjetar dhe falsifikime brutale”, ka shtuar Buxhovi.
Jusuf Buxhovi ka vënë në pah faktin se që nga fillimi i shkollës së Vjenës me 1848 ka filluar falsifikimi për fisin Tribal Dardan. Ai ka thënë se në shtojcën prej 50 faqeve e ka të paraqitur edhe fakti që ky falsifikim është pranuar nga shqiptarët për shkak të inferioritetit shkencor të tyre.
Autori shtoi se libri i tij duhet t’i shërbejë demistifikimit të gënjeshtrës serbe, por njëherësh edhe t’i ndihmojë asaj pjese të historiografisë shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë, që të lirohet nga diskursi i historiografisë serbe dhe falsifikimeve të saj. Në këtë aspekt sipas tij është me rëndësi që Rasha dhe dinastia Nemanjane me origjinë Tribale, të nxirren nga përvetësimi serb dhe të barten te trashëgimia ilire-dardane ku edhe e kanë vendin.
Buxhovi ka thënë se burimet që i ka sjellë, kanë ekzistuar dhe ekzistojnë, madje ai ju bënë thirrje institucioneve në Tiranë dhe në Prishtinë, që ti marrin këto burime e të bëjnë një simpozium letrar. Ai ka shtuar se nuk është e rëndësishme që të thirren në emrin e autorit, ata edhe mund ta abstrahojnë atë.
“Unë kam sjellë këto burime, dhe këto burime ekzistojnë. Le të abstrahohet autori, ti marrin institucionet tona, ngase unë qëllimisht e kam dërgu në Prishtinë dhe në Tiranë, le të bëjnë një simpozium shkencor, mund të mos thirren në autor fare, unë se kam atë problem. Problemi më i madh tek ne është që ne nuk duam që historinë tonë ta kenë të gjithë, por duam të jemi imitues të Serbisë, e këtu është absurditeti, e që mua më dhemb”, ka deklaruar ai.
Buxhovi tutje ka thënë se ne po vazhdojmë të sakrifikojmë shtetin tonë siç kemi bërë me Pakon e Ahtisarit dhe me marrëveshjen e fundit në Ëashington. Madje sipas tij, ajo se çka u nënshkrua në Ëashington nuk është marrëveshje por një zotim në mes të qeveritarëve.
Ai madje ka shtuar se të gjitha zotime, marrëveshjet madje edhe Pakoja e Ahtisarit mund të ndërrohen komplet me dy të tretat e votave në parlament, mjafton që institucionet tona të paraqesin faktet e duhura. Sipas tij me Pakon e Ahtisarit, politikanët e papërgjegjshëm të Kosovës, kishës ortodokse serbe i kanë dorëzuar të drejta historike, pra tapitë shpirtërore, çështje kjo që shtetin e Kosovës do ta vejë para sprovave ekzistenciale.
Buxhovi ka folur edhe për deklaratat e Paskal Milo, që kishte thënë se nëna e Skënderbeut ishte me prejardhje serbe. Autori ka thënë se Milo që nga koha kur ka punuar si historian i Enver Hoxhës, ai ka qenë i familjarizuar me faktin që Skënderbeu dhe familja e tij kanë prejardhje shqiptare.
Krejt në fund të këtij diskutimi autori ka njoftuar se ai do të punoj për projektin e tij të ardhshëm që do të jetë Epiri në mënyrë që të plotësohet triniteti i mbretërive dadano-ilire./ KultPlus.com