29 Tetor, 2024 - 6:44 pm
Vjollca Duraku
Në ambientet e KultPlus Caffe Gallery është bërë promovimi i librit “Jeta me laps e Nehat Islamit” nga autori Xheladin Rexhepi, i cili shpalos në detaje rrugëtimin e doajenit të gazetarisë Nehat Islami në aspektin personal dhe profesional.
Mes miqve dhe familjarëve libri me përgjigjet e 500 pyetjeve të gazetarit Rexhepi solli shumë detaje të fëmijërisë së tij, studimeve, punës si korrespodent nga Lindja e Mesme, intervistat me figura të shquara, realizimi i dokumentarëve, roli i tij gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe shumë aspekte të tjera nga jeta e tij.
Panelin diskutues në këtë promovim e shpalli të hapur moderuesja Ardianë Pajaziti e cila tha se ndihej e nderuar me prezencën e gazetarit ikonik Nehat Islami, i cili kishte qenë inspirim për të dhe kolegët e brezit të saj.
“Jemi të nderuar që në KultPlus Caffe Gallery është prezent një figurë shumë ikonike e gazetarisë në Kosovë dhe jo vetëm. Për ne gazetarët që jemi këtu, këto figura kanë qenë inspirim për rrugëtimin tonë, falë të cilëve ne jemi sot këtu ku jemi. Nehat Islami dhe brezi i tij kanë qenë figura që na kanë inspiruar për ta ndjekur rrugën e tyre”, ka thënë drejtoresha e mediumit KultPlus, Ardianë Pajaziti.
Kurse, panelisti tjetër Ibrahim Kadriu bashkë-kohanikun e tij e cilësoi si gazetar “numër një”, i cili si rrallë kush ka mundur të arrijë majat e profesionit, duke e trasuar rrugën edhe për brezat tjerë.
“Është një libër i veçantë, për një personazh të veçantë. Çdo gazetar do ta xhelozonte autorin e këtij libri sepse kjo është një kryevepër në fushën e gazetarisë. Është një vepër e cila rrallë shkruhet dhe rrallë gjendet. Këtu shkruan se janë bërë 500 pyetje, por derisa unë e lexoja librin me 500 pyetje mendoja se i mungojnë edhe 500 pyetje të tjera. Këtu është thënë shumëçka, por në të vërtetë Nehat Islami ka për të thënë shumëçka. Në të kaluarën e kam bërë një shkrim për Nehatin ku them njeriu që di shumëçka, por nuk flet gjithçka”, ka thënë Kadriu.
Përveç, si gazetar i pashoq, Islami u cilësua edhe si vizionar dhe misionar i cili gjithmonë ka vepruar mbi bazën e interesit Kombëtar.
“Ka qenë edhe në Misionin e Kombeve të Bashkuara kur ka shkuar për të drejtat e kosovarëve. Ai kudo që ka shkuar ka vepruar për interes kombëtar. Në intervistën e tij me një gazetar amerikan (1980), kur pyetet çka mendon për marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri, përgjigjja e tij ishte: Unë mendoj se shumë shpejtë kufiri do të jetë vetëm formalisht, kjo ishte mënyrë vizionare që sot është kufiri vetëm formalisht”.
Nehat Islami ka qenë një dorë e zgjatur edhe për mërgatën shqiptare duke u dërguar libra e gazeta të “Rilindjes” në një tirazh të madh, veshje kombëtare, vegla muzikore etj.
Vetë doajeni i gazetarisë, Nehat Islami, në një fjalim të shkurtër i ka falënderuar të gjithë ata që kanë dhënë kontribut për realizimin e librit të tij jetësor.
“E falënderoj autorin e librit i cili vërtet është munduar me mua dhe unë ia bëj hallall pasi vërtet e ka nxjerrë një libër që edhe mua më pëlqen. Faleminderit edhe redaktores, pronares së shtëpisë botuese ‘Drini’ nga Ferizaji e cila me përkushtim të madh e përgatiti librin për botim. Mua më vjen shumë mirë që ky libër pa dritën pikërisht në qytetin ku edhe unë për herë të parë pashë dritë, kur linda”, ka thënë gazetari Islami.
Ndërkaq, shkrimtari i librit Xheladin Rexhepi tha se ideja fillestare e tij ka qenë të realizoj film, porse nga materiali voluminoz që ka arritur të mbledhë, u vendos të botohej si libër.
“Nehat Islami është letërnjoftimi ynë, sepse gazetaria shqiptare e ka Nehat-in si penë që prej kohësh ai e kishte kaluar gjeografinë lokale dhe solli gazetari të vlerave universale. Këtë më së miri e dëshmojnë katër vjetët e tij në Bejrut, saqë ditën e fundit kur kthehet me një veturë Golf 1 të shpuar prej plumbash, mbetet pa asnjë lek në xhep. Është e kundërta e kohës sot kur njerëzit kthehen nga lufta të pasur materialisht”, ka thënë Rexhepi.
Në libër janë përmbledhur intervista me personalitete të njohura si Nëna Terezë, Neon Malcolm, e Ismail Kadare e cila brenda një dite është botuar në 2000 gazeta botërore, rekord i gazetarisë së Kosovës, i cili konsiderohet i pa arritshëm edhe në të ardhmen.
“Nehat Islami në Zvicër pranë OKB-së është detyruar ta shesë unazën e fejesës për të arritur qëllimin që një rezolutë për të drejtat e njeriut të kalojë në OKB”, ka thënë Rexhepi.
Gjatë krijimit të këtij libri autori tha se ka hasur në një vështirësi të madhe nga modestia e tepërt e Nehat Islamit.
Ndërsa, botuesja Zyrafete Shala ka thënë se libra me modele të tilla identifikimi siç është figura e Nehat Islamit duhet t’iu ofrohen më shumë të rinjve.
“E kemi një shembull unik se si duhet të punohet, sepse puna që bëhet me dashuri dhe përkushtim doemos do të sjellë një rezultat dhe një dobi edhe për të tjerët. Ai nuk ka menduar të bëjë karrierë në gazetari, nuk ka menduar të marr tituj, të bëhet njeri i rëndësishëm apo i njohur për të tjerët. Por, ai e ka gjurmuar dhe e ka kërkuar të vërtetën e realitetit objektiv sado i dhimbshëm dhe sfidues qoftë”, ka thënë Shala duke potencuar se libri paraqet një mozaik të pasur me shumë elemente që publiku nuk i ka ditur më parë.
“Pas botimit libri është pritur shumë mirë. Të gjitha kategoritë e lexuesve e kanë pritur me shumë interesim. Mendoj që pikërisht kthimi i vëmendjes te një personazh i tillë ikonik i gazetarisë shqiptare, karriera e të cilit ende mbetet e patejkalueshme në mjedisin tonë ka qenë një lloj fresike për opinionin, sepse tash e sa vite të gjithë ndihemi të lodhur nga ky kaos mediatik që po e pengon avancimin e mëtejmë të gazetarisë tonë”, ka përfunduar panelistja Shala./ KultPlus.com