Pse Çabej e “fshiu” himnin e tij?

28 Qershor, 2019 - 4:30 pm

Himni i flamurit që shkroi Çabej, në konkursin e vitit 1937: Atje lidhet besa e Zotit, për liri dhe për Atdhe!

Më 1937-ën, Çabej do të shkruante këtë himn, në konkursin “për një himn të ri, me frymë thjesht shqiptare”. Por, ai e tërhoqi këtë krijim nga konkursi, kur mësoi se në këtë konkurs ishin pjesëmarrës personalitete të cilët, Çabej i nderonte dhe i çmonte shumë, duke mos e konsidruar veten të denjë të matej.

Pas pëlqimit të përgjithshëm të ‘Rreth flamurit të përbashkuar’ si himn kombëtar (1912), në mënyrë të vazhdueshme janë shkruar këngë apo qoftë edhe vetëm poezi, për himnin kombëtar. Të tilla kanë shkruar At Gjergj Fishta më 1913, Ernest Koliqi më 1921, si fitues i vendit të parë në konkursin për himnin kombëtar shpallur nga ministria e Arsimit, Fan S.Noli më 14 nëntor 1926 me titull ‘Hymni i flamurit’, Mihal Grameno me titull ‘Kënga Kombëtare’, Hil Mosi me ‘Himn i Bandës së Lirisë’. Po ashtu edhe nga poeti Lasgush Poradeci më 1933, të botuar në vëllimin ‘Vallja e yjeve’ etj.

Në vitin 1922, Këshilli i Ministrave shpall konkursin për bërjen e ‘Himnit zyrtar kombëtar’. Për shpalljen e konkursit dhe kriteret e tij caktohet Ministria e Arsimit ku ndër të tjera u përcaktua edhe masa e shpërblimit prej 1000 franga ari për vjershëtarin e himnit dhe 3000 franga ari për kompozitorin e tij. Më tej, në vitin 1937, në përvjetorin e 25-të pavarësisë, u organizua një konkurs, me qëllimin e një himni tjetër kombëtar. Sipas arsyetimeve të komisionit të ngritur për kremtimet e 25-vjetorit të vetëqeverimit, ‘… hymni i sotëm i flamurit kombëtar asht fjalë për fjalë përkëthimi i një marshi rumun dhe gjithashtu melodija e tij asht nji kopjim i plotë i muzikës rumune”’.

Duke e konsideruar ekzistencën e këtij himni ‘… si një cen për ndërgjegjen kombëtare dhe për sedrën t`onë atdhetare”, komisioni i përbërë nga Parashqevi Kyrias, Mati Logoreci, Kol Rodhe, Telki Selenica, Sotir Papakristo, Karl Gurakuqi, Zoi Xoxa, Lasgush Poradeci, Qemal Butka dhe Odhise Paskali në mbledhjen e datës 5 mars 1937, vendosën hartimin e një himni tjetër me frymë thjesht shqiptare. Ky komision ngriti edhe një grup që do të vendoste për caktimin e krijimit artistik, si himni i ri kombëtar. Komisioni përbëhej nga At Gjergj Fishta, Mid`hat Frashëri dhe Konstantin Cipo. Nga 76 krijime, fitues u shpall himni i krijuar nga Beqir Çela, i cili mbante pseudonimin ‘Osoja i Ri’.

Fakt është se ky konkurs për poezinë e himnit, nuk u pasua edhe nga një tjetër konkurs që do t`i kushtohej muzikës së tij. Për këtë arsye, duke mbetur vetëm një tekst, kjo poezi nuk pati popullaritet dhe si e tillë nuk u miratua si e tillë, megjithëse pjesëmarrësit dhe krijimet e këtij konkursi u botuan në shtypin e kohës.

Pas çlirimit të vendit më 29 Nëntor 1944, rreth fundit të vitit 1945 dhe fillimit të vitit 1946, u organizua konkursi i parë shtetëror për himnin kombëtar. Krahas shumë krijimeve të paraqitura, si krijimi më i mirë u shpall ‘Himni i Shqipërisë së re’, me poezi të Skënder Luarasit dhe muzikë të Kristo Konos, rezultat që u bë i ditur me shpalljen e Shqipërisë republikë, më 11 Janar 1946.

Koha tregoi se edhe ky krijim artistik nuk u ligjërua që të zëvendësonte himnin ekzistues, për arsye nga më të ndryshmet, megjithëse ‘Himni i Shqipërisë së re’ (në ndonjë rast edhe me fjalë të tjera), pati interpretime të ndryshme, kryesisht nga kori i ushtrisë.

Pas kësaj, përpjekjen tjetër serioze për të shkruar një himn, e kemi në fillim të viteve ’70-të. Nga Këshilli i ministrave të asaj kohe, në bashkëpunim me ministrinë e Arsimit dhe Kulturës, si dhe Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, u shpall një konkurs për ‘Himnin e Republikës’, ku morën pjesë ajka e krijuesve tanë, ndër ta: Çesk Zadeja, Ismail Kadare, Tish Daija, Fatos Arapi, Nikolla Zoraqi, Xhevahir Spahiu, Pjetër Gaci, Feim Ibrahimi, Tasim Hoshafi etj. Pas seleksionimit u arrit në dy variante. Në himnin e krijuar nga Çesk Zadeja dhe në atë të Nikolla Zoraqit, me poezi të Fatos Arapit, të titulluar ‘E lirë u ngrit toka jonë’. Pati mendime që të njihej si himn edhe kënga e Pjetër Gacit: ‘Për ty atdhe’.

Por, historia e himneve vazhdoi pa sjellë ndonjë…

Sidoqoftë, në vëllimin ‘Konkursi për Hymnin e Flamurit’ nr. 2, (Tiranë 1937), ku janë publikuar tekstet e konkursit për një himn të ri kombëtar, që u shpall me pëlqimin e Këshillit Ministrit të Shqipërisë – ku aplikoi fillimisht edhe Çabej – ngjyra e kuqe cilësohej simbol i sakrificës, flijimit për idealin më të lartë kombëtar – çlirimin e Shqipërisë nga armiqtë.

HIMNI I FLAMURIT

Nga: Eqrem Çabej

Buzë valësh që rreh deti
Përmbi shkrepe mijvjeçare
Përmbi mal ku sundon shqipja
Edhe rrit gjini krenare,
Ku jep burri besa-besën
E ku vdes si vdiq qëmotit,
Po valon e lëshon hije
Flamuri i Kastriotit.
Ku rreh ti, atje po rrahin
Gjithë zemrat e bujarvet,
Ku valon, atje valon dhe
Gjaku i nxeht’ i Shqipëtarvet,
Atje lidhet besa e Zotit
Për liri dhe për Atdhe!
Se Shqipnia asht’ e jona!
Për at gjak e për kët dhe!
Te kështjell’ e bardh’ e Krujës
Rreth e qark e mbi bedena
U mblodh komb’ i fort’ i Arbrit
Rreth Shqiponjës me dy Krena.
U droth toka fort e vjetër
Kur i ranë kaq dëshmorë
Rreth flamurit të përgjakun
Si dhandurë me kunorë.
Ku rreh ti, atje po rrahin
Gjithë zemrat e bujarvet,
Ku valon, atje valon dhe
Gjaku i nxeht’ i Shqipëtarvet,
Atje lidhet besa e Zotit
Për liri dhe për Atdhe!
Se Shqipnia asht’ e jona!
Për at gjak e për kët dhe!
Ju Shqiptarë djemt e shqipes
Mos harroni se kush jemi.
Këtë flamur kurr të thyem,
Këtë gjak në dej që kemi,
Këtë truell që na dha Zoti,
Bani be se do t’i mbroni,
Dhe sa jet nji frym’e gjallë
Kurrëkuj s’do t’ia lëshoni.
Ku rreh ti, atje po rrahin
Gjithë zemrat e bujarvet,
Ku valon, atje valon dhe
Gjaku i nxeht’ i Shqipëtarvet,
Atje lidhet besa e Zotit
Për liri dhe për Atdhe!
Se Shqipnia asht’ e jona!
Për at gjak e për kët dhe!

Të ngjajshme