Qindresa

7 Dhjetor, 2018 - 7:41 pm

Poezi nga Luigj Gurakuqi

Me gusht shkon vapa e me djelmni kalojnë
Gjith prrallat e kohës s’re;
Si n’dimën bora dhenë, kryet na zbardhojnë
Vjetët e kujdeset ne!

Me lule t’ershme e larca m’dukej shtrue
Bota sa ishe i ri;
N’gaz shkonte jeta, s’m’epej kurr m’u ankue,
Kurr zemra s’m’ndjellte zi.

Andrra t’kandshme m’livrojshin nëpër mend
Si flutra pa ia da!
T’lum si vedin nuk njifshe tjetër kend,
Nuk dijshe kurr me kja.

Zanat tek unë shpesh zdrypshin e n’Mal Shejt
M’flakrojshin me mendim;
E vetë, sa niste Apolli me dridhë pejt,
Ia thojshe kangës me gzim.

Shum herë te bregu i prronit mbulue prej barit
Ku, rrokun dorë për dorë,
Valles ia krisshin nymfat me flokë arit,
E mblidheshin kunorë.

Shkojshe prej nadjes, e nën t’kandshmen hije
T’njij lisi veshun n’gjeth,
Për t’gjatë e shtrijshe, e t’etshëm bukurije,
Syt sillshe rreth e rreth.

Rrjedha e ujit përcillë me fyell t’barisë,
Me delet tue kullotë,
M’thirrte gjumin, un’ ndejë në prehën t’gjithsisë
Nisshe ngapak m’u kotë.

Era, tue shkelë mbi lule pa lanë gjurmë,
Me flokët e mij tue luejtë
Shkonte: vetë flejshe… Engjujt, pa ba zhurmë,
Zhdrypshin nën krahë m’ m’ruejtë!

Por! andrrat sot kaluen, prrallat djelmnore
Janë zhdukun e kanë tretë;
Ideve t’bukra, shpresavet lulzore
Veç emni u ka mbetë.

Oh! jeta përnjimend me rrena e vaj
Plot qenka n’kët botë t’lashtë!
U shueka tepër shpejt lakmimi i saj,
Si zjarmi i bam’ me kashtë.

Veç nji qëllim i naltë t’ban me durue,
E zemrën ta forcon;
Ndër kundërshtime s’vyen kurr me u ligshtue,
Mjer’ ai qi nuk qindron!

Qindresa është pa dyshim poezia më e mirë e Luigj Gurakuqit dhe një nga krijimet e bukura të lirikës shqipe. Ka diçka autobiografike në këtë poezi, diçka që ta kujton jetën e Luigj Gurakuqit dhe fizionominë e tij. Jeta e Gurakuqit, njërit nga poetët, patriotët dhe publicistët e shquar shqiptarë, është, siç e ka karakterizuar Noli, një rekord “i fituar nëpër ferra, nëpër përrenj, nëpër pusira, nëpër sëmundje, në këneta kalbësie morale dhe materiale, në një vend ku zemrat janë të fishkura dhe sytë të zgurdulluar nga lakmimi i plaçkës, me të sotmen të errët dhe të nesërmen më të zezë, me privacione e me vuajtje e me tortura të çdo minute, përpara të cilave ferri i Dantes është një parajsë e bukur”.
E tillë qe jeta e këtij poeti dhe atdhetari të rrallë, i cili, duke qenë në radhë të parë luftëtar e pastaj poet, shkroi pak poezi. Qindresa është nga ato vjersha, ku poeti provon të meditojë për jetën dhe natyrën e saj. Në tetë strofat e para, respektivisht prej të dytës deri në të nëntën, poeti bën përshkrimin e ditëve të rinisë, duke evokuar çastet e lumtura, që e karakterizojnë atë në kontrast me gjendjen emocionale, në të cilën bie njeriu pasi «shijon» grushtat e jetës, gjegjësisht pasi zhvishet nga iluzionet e ditëve djaloshare. Strofa e nëntë e kësaj vjershe 11-strofëshe fillon me një “por”, e cila luan rolin e një eksklamacioni. Ëndrrat dhe iluzionet e ditëve të rinisë kanë perënduar dhe poeti është ballafaquar me realitetin e vrazhdë, shumë herë prozaik, plot rrena e vaj, si thuhet në strofën vijuese, të dhjetën me radhë; me atë botë të ashpër, e cila kërkon të jesh i fortë, i qëndrueshëm dhe stoik. Duke e filluar vjershën si një meditim poetik për jetën dhe kalueshmërinë e saj, për gëzimet dhe brengat jetësore, të kushtëzuara në radhë të parë nga faktori i moshës, Gurakuqi e përfundon atë me një porosi të qartë edukative, që afishohet sidomos në strofën e fundit të vjershës.

Qindresa është poezi e një etike të lartë dhe poetike të fortë, në kuptimin e organizimit strikt të vargut, ritmit dhe metrit. Autor i veprës së parë teorike mbi metrikën në kulturën shqiptare (Vargënimi n’Gjuhë shqype, 1906), Gurakuqi proklamonte si model të vetin estetik poezinë klasike. Në vargjet e saj metrikisht të rregullta, ku kemi një kombinim që tetërrokëshit me 16-rrokëshin me gjasëramje (rimë) të tipit AbAb, artikulohet ideja se njeriun në këtë botë duhet ta udhëheqë një qëllim i lartë dhe se vetëm ky qëllim e bën atë të fortë e të qëndrueshëm karshi vuajtjeve dhe andrallave të jetës. Për Gurakuqin njeri dhe poet, ky qëllim është çlirimi i atdheut dhe lulëzimi i tij, që ishte ideali suprem i rilindësve tanë, një përfaqësues i spikatur i botëkuptimit dhe ideve të të cilëve është edhe autori i kësaj vjershe të paharrueshme.
Në vargjet e kësaj vjershe antologjike kanë gjetur shprehje tiparet qenësore të karakterit të Luigj Gurakuqit; në të është vizatuar autoportreti i tij.

(Koment i bërë nga Prof. Agim Vinca, botuar fillimisht te gazeta “Bota e re”, 1 nëntor 1983 dhe pastaj te libri “Kënga e hapur. Antologji e komentuar”, 2005)

Agim Vinca

Të ngjajshme