25 Qershor, 2019 - 12:00 pm
Nga Dije Demiri Frangu
Poezi të kapin faqesh si fëmijën
Për të nxjerr lëngun që nuk amullinë
Të shtrydhin shpirtin e bie shi i tejdukshëm dhembjesh
Ti pasqyrë e bërë nga erosi fakëtimë shekujsh
Shkëlqen nga lotët nga fluturimet
Duke ndenjur varur fytyrave që s’ju shërohen vragat
E puthjet e thara numërohen vargjeve tua
Me plot të dashuruar të vetëvrarë
Ti je si një bukë ndore për një të uritur
Si qumështi i lehonave që shëron sytë
Ngjan në vajzën e mirë
Në të cilën dashurohen të gjithë, poezi
O më dhimbsen ata që nuk dinë
Të t’i zbresin e t’i ngjisin gjithë shkallët e tua
Që nuk t’i njohin zonat erogjene
Më dhimbsesh edhe ti se t’i shkulin flokët
Duke provuar të të krehin
E unë jam e lumtur
Që më mban në buzët tua
E dashura poezi.