14 Prill, 2021 - 3:08 pm
Rrezearta Reka
Ne na hidhëron deklarata e hoxhe Shefqetit jo vetëm se është në thelb dhe katërçipërisht seksiste, po se hoxhe Shefqeti ndër tjera, po shpërfaq një të vërtetë të hidhur dhe skajshmërisht të dhimbshme.
Argumentet se kuzhinierët më të mirë në botë janë burra, dhe se të gjitha gjinitë kanë uri, mbesin fatkeqësisht vetëm klishe.
Kuzhinierët më të mirë burra janë të tillë, sepse kanë pasur mundësinë dhe lirinë të ndjekin ëndrrat dhe tani paguhen mirë për këtë punë.
Se këta burra kurrë askush nuk i ka detyruar të zgjedhin mësuesinë psh, si profesion, jo për faktin se është ndër profesionet më fisnike, po se kjo pastaj do tu jepte komoditetin të bëheshin dhe bashkëshort dhe baballarë, siç ndodh rëndom me gratë.
Në fund të fundit, fakt që të gjithë kanë uri, por ama “nanë dua bukë” thuhet. Pra, Shefqeti përmes një deklarate seksiste, e ka deklaruar dhe një fakt statistikor.
Sepse realisht po ti pyesje burrat dhe gratë sa shpesh gatuajnë në shtëpitë e tyre, sa shpesh fshijnë me thithëse të rrymës, sa shpesh lajnë teshat, sa shpesh fshijnë banjot, përgjigjet do të ishin diametralisht të kundërta.
Pajtohem që ka përjashtime. Po të rralla janë, prandaj përmenden dhe quhen përjashtime. Pajtohem poashtu edhe që ka dhe gjëra që kryesisht i bëjnë burrat. I ndërrojnë gomat e kerrit, psh. Edhe gratë që nuk kanë burra i ndërrojnë gomat e kerrit. Ama kjo bëhet veç dy herë në vit, sipas sezonit. Bukë ndërkaq hahet tre herë në ditë, dhe jo vetëm me sezonë.
Se në shoqëritë patriarkale, ku fatkeqësisht s’bëjmë pjesë vetëm ne, po të mos ishte kryesisht gruaja në kuzhinë, do të vdisnim urie të gjithë. Pra derisa gratë nuk e kanë dhe s’do të duhej ta kishin vendin vetëm në kuzhinë, vazhdoj të plakem pa dëgjuar dikë ta pyes një burrë se çka do të gatuajë për drekë sot.
Pra, siç thotë një fjalë e urtë, mos vritni lajmëtarin. Vritni mentalitetin me veprime të përditshme, për t’ju dhënë çikave e grave lirinë dhe mundësinë për të ndjek ëndrrat, pa detyrimin për të zgjedhur vendin. As më pak as më shumë se burrat. Se urie vdesin ata që nuk ushqejnë kokën dhe jo patjetër barkun./KultPlus.com