Rifillon cikli “Thesaret e Arkivit”

12 Shkurt, 2019 - 12:00 pm

Cikli “Thesaret e Arkivit” është program i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit i kuruar dhe prezantuar nga personalitete të mendimit dhe hulumtimit bashkëkohor.

Viti 1967 ishte ndër më vendimtarët e diktaturës komuniste. Udhëheqësi Enver Hoxha shpalli Shqipërinë shtetin e parë ateist në botë dhe ndaloi të gjitha praktikat fetare. Pasi vuajtën për dy dekada, edhe ato pak kisha, xhami dhe teqe të mbetura u mbyllën ose u shndërruan në kinema apo qendra sportive.

Priftërinjtë dhe imamët u vunë përballë gjyqeve publike. Duke kopjuar Revolucionin Kulturor Kinez, komunistët e rinj shkuan në të gjithë Shqipërinë që të shkatërronin ndërtesat fetare dhe të bindnin njerëzit të hiqnin dorë nga besimi i tyre. Gjatë kësaj fushate të dhunshme, katër murgj të moshuar vdiqën kur u dogj Kuvendi Françeskan i Shkodrës.

Për këto ngjarje të rëndësishme u prodhua një dokumentar kontroversial i titulluar NË FLAKËT E REVOLUCIONIT (1967), me regjisor kamera operatorin e talentuar, Endri Keko. I xhiruar nga mjeshtrit Ilia Terpini dhe Niko Theodhosi, ky dokumentar bardhë e zi, i shfaqur shumë rrallë, sjell në vëmendje këtë moment kyç të historisë së vendit tonë. Drejtuesja e AQSHF, Iris Elezi, së bashku me profesorin e nderuar Ardian Ndreca, do të hedhin dritë mbi këtë kohë traumatike të Shqipërisë. Ju mirëpresim për një natë të paharrueshme, këtë të mërkurë, në 13 shkurt, ora 19:00, në Kinema Agimi. Filmi do të shfaqet në 35mm me titra në anglisht.

Kurimi i filmit, si dhe kumtesa e Prof. Ardian Ndreca ofrohen falas. Për të përballuar kostot e sallës dhe të projektimit, hyrja kushton 300 L. / KultPlus.com

https://www.facebook.com/Filmarkiva/videos/2051793734867794/

Të ngjajshme