Rrëfimet e tmerrshme të grave të dhunuara në Kosovë

18 Maj, 2019 - 10:21 am

Ishte vetëm shtatë vjeçare kur forcat serbe e përdhunuan së bashku me nënën e saj dhe motrën e saj 10-vjeçare. Nuk mundi t’i përballojë dhunimit dhe vdiq gjatë përdhunimit, ndërsa motra e saj 10 vjeçare që ishte përdhunuar së bashku me të nga forcat serbe çdo ditë e viziton varrin e saj.

Nëna e saj tregon tmerrin e asaj dite që kishte përjetuar së bashku me dy vajzat e saj në atë ditë të prillit të vitit 1999.

“Mi morën mu çikat i qiten në atë tjetrën dhomë, mu në tjetrën dhomë. Unë thash nashta i kanë ndah çikat, për mos me i tut fëmijët e po dojnë me më mbyt mu, unë për veti nuk isha ngushtë, kur um murr ai më tha deshi teshat, unë i thash, teshat nuk po du mi desh, se s’muj me i desh teshat edhe më ka ra në kry, grushta me shkelma, me çka mos edhe jam ra për toke, edhe më ka ra pak si në tlig, tani apet jam qu. Tani kur jam qu, ata, nja tre a katër ishin kanë aty, i kishin pas do gota të vogla me raki edhe më tha merre qit raki edhe jepja atij tjetrit, unë e mora, po vajzat e mija i kom nih tu kajt edhe ato nuk kanë besu që iki me shku te vajzat, ja kam dhanë ata, edhe kom ik shpejt, kur më kanë pa kanë vrapu mem nxan po s’kanë mujt edhe jam rras në tjetrën dhomë, kur jam hi në tjetrën dhomë i kam pa vajzat tu mi dhunu”, ka thënë njëra prej viktimave për Radio Televizionin e Kosovës.

Ndërsa një grua tjetër rrëfen tmerrin tjerë që kishte përjetuar nga forcat serbe në prani të vjehrrës, ani pse ajo gjakonte keq nga lëndimi i granatës. Ajo ishte dhunuar tmerrshëm. Asaj ia kishin marr vajzën e hallës nga duart për ta përdhunuar, ndërsa trupin e saj e kishin gjetur në bunar.

“Motrën tem, nusen e vëllaut, na kanë dhunu, boll kena bërtit, boll kena piskit po na patën desh edhe aty u kry dhunimi i te triave, Çiken e hallës ma kanë marr në krahë, ajo u kanë 14 vjeçare edhe tani e kanë gjetë në bunar”, ka thënë një tjetër viktimë.

Derisa dhunimet ishin përdorur si mjet lufte, nuk kishte moshë apo gjini që do të kursehej. Një zonjë që atëherë e kishin përdhunuar ishte gjyshe. Ajo ka treguar se si e kishin dhunuar pesë policë serbë dhe pastaj e kishin lënë të lirë.

“Pesë me krejt femnat, tu bërtit e tu piskat, na prejshin me thika deri në mëngjes qashtu, çika të reja nuse, krejt qashtu”, ka thënë një zonjë e cila ishte dhunuar./KultPlus.com

Të ngjajshme