30 Gusht, 2020 - 5:30 pm
Sevasti Qiriazi ndërroi jetë më 30 gusht 1949, kur emri i saj ishte vendosur në indeksin e kujtesës së ndaluar.
E cilësuar njëra prej femrave atdhetare shqiptare dhe nismëtare e organizimit të arsimit kombëtar për femra, Sevasti Qiriazi u përkujtua sot nga kryeministri Rama.
“Një nga gratë me më ndikim të botës shqiptare, në kapërcyell të shek. XIX dhe XX, ndërronte jetë pasi i pat mbijetuar dhjetra ndërrimesh të pushteteve dhe kalonte matanë në heshtje. Duke i mbyllur të famshmin Institut Kyrias, themeluar prej saj në vitet’ 20, e duke e zhveshur prej rolit në emancipimin kombëtar, diktatura komuniste synoi të zhbënte ndikimin moral dhe shpirtëror të kësaj gruaje të madhe”, shprehet Rama.
Sevastia, motër e Parashqevisë, Gjergjit e Gjerasimit, bashkëshorte e Kristo Dakos, atdhetarit me plot merita, iu bë Shqipërisë dhe shqiptarëve një lloj “mëme mëkuese” e parimeve të jetës kombëtare dhe e primatit të gjuhës shqipe. Naimi e trajtonte si të barabartë, rilindasit i puthnin dorën dhe i drejtoheshin me venerim në korrespondencat e tyre, vashat e Toskërisë e adhuronin si mësuese të shkollës së tyre të parë, komitët e mbronin sikur ta kishin motrën e madhe prej nëne.
“Nuk kishte asokohe zonjëza që merreshin aq seriozisht në konsideratë dhe që shquheshin me siluetën e tyre në debatin publik, në botën ultramashkullore të Shqipërisë së asaj kohe, si motrat Qiriazi. Fuqi kujdestare e nismave më të goditura në planin kombëtar, në atdhe e në diasporë, Sevastia i ndihu përparimit të fletores “Ylli i Mëngjesit” dhe formimit të Partisë Kombëtare. Bëri përçapje gjatë Konferencës së Paqes, me një mijë e një mënyra, për të shmangur cënimet territoriale, duke i dhënë një dorë të çmuar bashkëshortit, Kristo Dako, protagonist i përleshjeve diplomatike në Versajë”, tha ë tej Rama.
Kontributet e Sevastisë, u shpreh Kryeministri, janë të mahnitshme dhe nuk është më i parëndësishmi prej tyre ndikimi që arriti të ushtrojë mbi elitat shqiptare.
Ky ndikim përbashkoi edhe më shumë gjindjen, zbuti edhe më tej dasitë dhe tregoi se, siç thoshte një poet i madh francez, kudo e kurdoherë, “la femme est l’avenir de l’homme” – gruaja është e ardhmja e njeriut. Padyshim. atsh / KultPlus.com