16 Shkurt, 2024 - 9:30 am
Rrugëtimi historik i shtetit më të ri në Kontinentin e vjetër, kaloi nëpër fazat e shkëputjes (çlirimit) nga Serbia, të krijimit të shtetit paralel dhe të protektoratit ndërkombëtar. Ekzistenca e tij sot është kthyer në një formulë politike, që mban stabilitetin në rajon, ndërsa çështjes shqiptare, në kuadër të sferave perëndimore të interesit, ia jep dimensionin e faktorit të pakapërcyeshëm gjeostrategjik.
Nga Jusuf Buxhovi
Rrugëtimi historik i shtetit të Kosovës, i shpallur më 17 shkurt 2008 dhe i konfirmuar në vitin 2010 nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e Hagës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, si proces i pandalshëm, kaloi nëpër disa faza. Fillimisht me atë të shkëputjes nga ripushtimi serb, që Kosovës iu bë me rrënimin e dhunshëm të autonomisë nga ana e Beogradit, më 23 mars 1989. Pastaj, me Referendumin për Pavarësi të shtatorit 1991, që për pasojë pati krijimin e shtetit paralel, që për tetë vite udhëheqi rezistencën insitutcionale deri te ajo e armatosur si dhe kohën e protektoratit ndërkombëtar, të vendos në përputhje me rezolutën 1244 të KS të OKB-së më 10 qershor 1990.
Nuk duhet harruar se këtyre fazave u parapriu shfaqja e kërkesës për Republikën e Kosovës, në demonstratat e nëntorit të vitit 1968, e ngritur nga elita intelektuale dhe politike e kohës, e cila rrëzimin e Rankoviqit dhe ndryshimet që solli klima e re politike, e pa si një mundësi të madhe për avancimin e pozitës kushtetuese të Kosovës në drejtim të subjektit federativ, me çka lirohej nga tutela e Serbisë.
Kjo kërkesë dhe zhvillimet tjera nëpër të cilat po kalonte federata jugosllave drejt federalizmit, bëri që me amendamentet kushtetuese të atij viti si dhe ndryshimet kushtetuese të vitit 1974, Kosova si krahinë, të fitojë statusin e njësisë federative, por jo edhe të republikës, ngaqë Tito nuk ishte i gatshëm për një konfrontim të mëtutjeshëm me Serbinë. Kërkesa për Republikën e Kosovës u rikthyer fuqishëm në vitin 1981, meqë Jugosllavia pas vdekjes së Titos në maj të vitit 1980, po hynte në një fazë të ndryshimeve, që paralajmëronin kthimin e saj nën mbikëqyrjen e Serbisë, që mund të fillonte pikërisht me rrënimin e pozitës së Kosovës në federatë.
Këto faza gjithsesi ngërthejnë ngjarjet dhe vendimet e rëndësishme, që mundësuan njëra-tjetrën, në përputhje me zhvillimet që rrumbullakuan këtë proces historik, ku shpërbërja e federatës jugosllave e pranuar në konferencën e Hagës të gushtit 1991, ishte si pikënisje e saj, paçka se e gjitha kaloi nëpër një luftë dhe gjakderdhje me shumë tragjedi, e imponuar nga hegjemonizmi serb nën udhëheqjen politike të Millosheviqit.
Kështu, faza e shkëputjes nga Serbia, që nga aspekti formal-juridik mund të përcaktohet “çlirim nga ripushtimi serb” në rrugë demokratike, paraqet themelet e këtij zhvillimi. Deklarata e Pavarësisë e 2 korrikut 1990, ishte guri i parë i saj, meqë Kosovën e shpalli njësi të pavarur në kuadër të federatës jugosllave. Me këtë akt legjitim të delegatëve të Kuvendit të Kosovës iu dha përgjigjja e duhur dhe e drejtë ripushtimit serb, që ndodhi me rastin e rrënimit me dhunë të autonomisë më 23 mars 1989.
Ky vendim, gjithsesi duhej të përcillej edhe me aktin tjetër, po ashtu, të një rëndësie historike – shpalljen e Kosovës Republikë. Kjo u bë më 7 shtator 1990 në Kaçanik nga delegatët e Kuvendit të Kosovës. Kuvendi miratoi aktin më të lartë të saj – Kushtetutën e Republikës së Kosovës, që u quajt edhe Kushtetuta e Kaçanikut. Me këtë akt, Kosova u shpall njësi e pavarur e federatës jugosllave në përputhje me të drejtën e vetëvendosjes, me çka i mundësohej statusi i pavarur dhe i barabartë në federatë deri të e drejta për shkëputje, siç e kishin edhe njësitë tjera federative.
Procesi demokratik i shtetësisë së Kosovës i filluar me këto dy akte, kërkonte edhe referendumin për pavarësi, me çka përmbyllej legjitimiteti i tij. Kjo ndodhi me 24 shtator 1991, me ç’rast, qytetarët e Kosovës (kryesisht shqiptarët, po edhe pakicat tjera: turqit, romët dhe boshnjakët) i dhanë përkrahje plebishitare (me 99,3%) shpalljes së pavarësisë.
Referendumi për Pavarësi krijoi rrethanat demokratike dhe juridike për ndërtimin institucional të shtetit të Kosovës në përputhje me aktet themelore – Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të shpallur në Kuvendin e Kosovës në Kaçanik. Kushtetuta e Kaçanikut e shpallte Kosovën republikë parlamentare – shtet të shqiptarëve dhe të tjerëve që jetojnë në të, me gjuhën shqipe – gjuhë zyrtare. Kushtetua e Kaçanikut përcaktoi edhe hierarkinë institucionale të shtetit nga presidenti, qeveria dhe institucionet tjera të pavarura.
Meqë Kosova ishte e okupuar nga forcat ushtarake dhe policore serbe, ndërkohë që pavarësia e shpallur me aktet kushtetuese me mjete demokratike, nuk njiheshin ndërkombëtarisht, konstituimi institucional i shtetit të Kosovës duhej t’u nënshtrohej rrethanave, me ç’rast shteti paralel shfaqej si forma më e përshtatshme e rezistencës institucionale, me të cilën demonstrohej kultura shtetformuese, si një deponim i paparë në praktikën ndërkombëtare, në shërbim të ndërkombëtarizimit të saj.
Në kontekstin historik, i ashtuquajturi “shtete paralel”, që me pa të drejtë ose qëllimisht, që t’i mohoheshin atributet e shtetësisë , u quajt edhe “lëvizje paqësore”, “gandizëm” e të ngjashme, strumbullar kishte Qeverinë e Republikë së Kosovës. Ajo u themelua në fund të vitit 1991. Një pjesë e së saj do të vendoset në Shqipëri. Ndërsa disa ministri (dy në Zvicër) dhe të tjerat në Gjermani, që edhe pa njohje zyrtare, puna e saj u tolerua nga shteti gjerman. Në këso rrethanash, veprimtaria e gjithëmbarshme e Qeverisë së Kosovës në ekzil, bosht të “shtetit paralel” kishte fondit e trepërqindëshit, bazë materiale kjo prej nga, me improvizime dhe pa to, u drejtua jeta ekonomike, arsimore, kulturore si dhe veprimtaria shëndetësore deri në qershor të vitit 1999.
Ndonëse me vështirësi dhe probleme të shumta që mund ta përcjellin një punë të tillë, ngaqë në njërën anë, ajo zhvillohej në rrethanat e pushtimit policor dhe ushtarak serb si dhe të terrorit shtetëror që ushtrohej ndaj çfarëdo forme të organizimit institucional, ndërsa në tjetrën anë i mungonte njohja ndërkombëtare (edhe pse heshtas nga shumë anë i pranohej de fakto roli i një lëvizjeje paqësore-autentike, që luftonte pushtimin serb në një formë tepër të veçantë, të paparë deri më atëherë), megjithatë, Qeveria e Republikës së Kosovës, formalisht kishte vu nën mbikëqyrje sektorët kryesor të jetës, duke përfshirë edhe mbrojtjen dhe sigurinë. Kështu, në fillim të vitit 1992 formoi Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Rendit, pra atë të policisë. Në të parën u përfshinë forcat ushtarake nga radhët e Mbrojtjes Territoriale të Kosovës (ushtarakë dhe oficerë të lartë që kishin shërbyer në Armatën Jugosllave). Ndërsa në të dytën, do të përfshihen forcat policore dhe ato të organeve të sigurisë, nga radhët e policisë së Kosovës dhe atyre të sigurisë, të cilat, pas rrënimit të autonomisë së Kosovës, nëpërmes organizimit sindikal, kishin kaluar në radhët e institucioneve të Qeverisë së Kosovës. Këto dy ministri, do t’i nënshtrohen represionit të vazhdueshëm shtetëror serb, gjë që nga fundi i vitit 1993, pjesa më e madhe e pjesëtarëve të tyre (policë, ushtarakë dhe specialistë të tjerë të sigurisë) do të burgosen. Kjo ndikoi që Qeveria e Kosovës të pushojë përkohësisht veprimtarinë ushtarake dhe policore në Kosovës, duke u orientuar te organizimi i tyre “i përkohshëm” jashtë, me arsyetimin që kur të krijohen rrethanat, pra çastin që rezistenca institucionale të dinamizohet me rezistencën e armatosur si pjesë e strategjisë që politika të vazhdohet edhe me mjetet e luftës, të veprojnë edhe në Kosovë. Kjo, megjithatë, nuk pengoi, që nën sloganin e “mbrojtjes së shtëpisë”, të ruhet fryma e kundërvënies me anën e grupeve të shkapërderdhura, si guerilë vendore në Dukagjin, Drenicë, Llap dhe gjetiu, të cilat vepruan nga viti 1991 e këndej, prej nga, në vitin 1997 u shfaq Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si një faktor i cili në planin politik ndikoi që lufta e deriatëhershme diplomatike (veçmas pas Dejtonit) të zëvendësohet me diplomacinë e luftës (pas marrëveshjeve të Rambujesë). Ndërsa në planin gjeostrategjik – Kosovën dhe krizën e saj, që deri më atëherë konsiderohej “çështje e brendshme e Beogradit” – ta kthejë në agjendën e faktorit ndërkombëtar të vendosjes çoftë si çështje humanitare, meqë Millosheviqi, pasi kishte refuzuar marrëveshjen e Rambujesë, kishte filluar ofensivën ushtarake për t’iu dhënë një zgjidhje me anën e luftës, ku planifikohej edhe një gjenocid i përmasave të mëdha. Kjo legjitimoi edhe ultima ration ndërkombëtare, e pasqyruar me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s nga ajri ndaj forcave policore dhe ushtarake jugosllave në Kosovë dhe caqet tjera ushtarake në Serbi, nga 23 marsi deri më 10 qershor 1999, që solli çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb dhe për pasojë pati vendosjen e saj nën administrimin ndërkombëtar të përcaktuar me rezolutën e KS të OKB-së 1244 të 10 qershorit 1999.
Pra, rezistenca e armatosur, nën emblemën e UÇK-së, përkundër ndasive të brendshme, përçarjeve dhe problemeve të shumta midis rrymave institucionale dhe jashtë institucionale, që atë e lanë pa një qendër drejtuese, paraqet rezistencën e parë të armatosur të shqiptarëve kundër soldateskës jugosllave në formën e një kryengritjeje popullore, me çka iu hapën rrugët ndërhyrjes së armatosur të NATO-s. Shfaqja e UÇK-së, shënoi kthesën historike, që i dha epilogun e duhur politik lëvizjes shtetformuese.
Vendosja e Kosovës nën administrimin ndërkombëtar nga 12 qershori 1999 deri më 17 shkurt 2008, me ç’rast përgjegjësinë për krijimin e institucioneve demokratike të vendosura mbi katër shtyllat e sistemit juridik-parlamentar e mori përsipër UNMIK-u, ndërsa sigurinë NATO-ja, krijuan rrethanat për shtetësinë e Kosovës. Shpallja e saj më 17 shkurt 2008 nga Parlamenti i Kosovës, në të vërtetë, është një konfirmim ndërkombëtar i vendimeve që ishin marrë në verën e vitit 1990 (me Deklaratën e 2 korrikut dhe Kuvendin e Kaçanikut më 7 shtator) dhe vjeshtën e vitit 1991(me mbajtjen e Referendumit për Pavarësi).
Shpallja e shtetit të pavarur të Kosovës më 17 shkurt 2008, megjithatë la të hapur procesin e përmbylljes dhe të konsolidimit të tij në planin e brendshëm dhe, veçmas atë të jashtëm, përderisa Kosova të njihet ndërkombëtarisht nga Organizata Botërore, me çka ajo fiton edhe vendin e vet në të gjitha mekanizmat dhe organizatat botërore për të qenë e barabartë me të tjerët. Ndonëse Kosova, si shtet është njohur nga mbi njëqind vende (nga SHBA-ja dhe vendet kryesore të NATO-s dhe ato kryesore të BE-së), megjithatë ajo ka mbetur jashtë strukturave Veriatlantike dhe të BE-së. Ngecjen këtu duhet kërkuar më shumë te shkaktarët e brendshëm, te faktori politik shqiptar dhe prirja që interesat e pushtetit të vihen mbi ato të konsolidimit të shtetit. Korrupsioni, krimi i organizuar, kapja e institucioneve nga brenda me anën e nepotizmit dhe strukturave kriminale, e mbi të gjitha mungesa e shtetit ligjor, Kosovës i kanë dhënë atributet e “shtetit të dështuar nga brenda”!
Kjo gjendje ka bërë që Kosova të shikohet me mosbesim nga aleatët, që e kanë ndihmuar krijimin e tij në përputhje me interesat e tyre gjeostrategjike, (në radhë të parë SHBA-ja dhe vendet kryesore evropiane), ndërsa nga Serbia dhe Rusia, që e kanë kundërshtuar dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë me të gjitha mjetet, të pengohet konsolidimi i tij duke e paraqitur atë “si vatër krize”, së cilës i duhet rikthimi te “pika zero”, pra te protektoratit ndërkombëtar të përcaktuara me rezolutën 1244 të OKB-së.
Në këto rrethana, shteti i Kosovës, për t’i bërë ballë sfidave të jshtme dhe të brendshme, ka nevojë për kosovocentrizmin, si një kauzë afatgjate në shërbim të konsolidimit shtet i pavarur, i lirë dhe demokratik. Kosovocentrizmi si i tillë, i shërben edhe kumbarëve të shtetit të Kosovës (SHBA-ve, NATO-s , Gjermanisë dhe vendeve kryesore evropiane). Siç i shërben edhe rajonit që ta mbrojë nga ndikimi serbo-rus për ta vu nën mbikëqyrje atë po qe se shqiptarët vetëdefaktorizohen. Por, kosovocentrizmi, mbi të gjitha i shërben edhe çështjes shqiptare në përgjithësi, meqë dy shtete shqiptare, demokratike dhe të lira, pengojnë rikthimin e koninkturave të vjetra, që u shkojnë për shtati interesave hegjemoniste serbe dhe greke.
Ndaj, është e domosdoshme, që Shqipëria, 17 shkurtin ta shpall festë zyrtare. Me këtë veprim, hiqet dorë nga formula ideologjike e shekullit të kaluar për bashkim kombëtar që ka përfunduar çastin që Konferenca e Londrës njohu shtetin e përgjysmuar shqiptarë ndërsa gjysmën tjetër të etnisë shqiptare e la nën pushtimin serbe, malazias dhe grek, por i hapet rruga një unioni të mundshëm të dy shteteve shqiptare në përputhje me vullnetin demokratik të të dy anëve dhe me pëlqimin e aleatëve perëndimorë.
Ky përcaktim gjithsesi ka rëndësi historike edhe për shqiptarët në Maqedoninë Veriore, meqë midis dy shteteve të fuqishme shqiptare, aleate të perëndimit, Maqedonia e Veriut do të jetë e detyruar që të plotësojë kërkesat e shqiptarëve për barazi kushtetuese, pra si popull shtetformues dhe assesi, si deri me tash, t’i trajtojë “si pjesë së etnisë së shkëpur”, pra si ardhacakë./ KultPlus.com