Si e parashikonin fundin e botës, filozofët dhe mitologjia e lashtë greke

18 Prill, 2023 - 11:58 pm

Kohët e fundit vizionet tona mbi fundin e botës, kanë variuar nga kërcënimi i krizës klimatike dhe i luftës bërthamore, deri tek imagjinimi i skenarit kur ne njerëzit i nënshtrohemi dhe në fund zëvendësohemi nga robotët që operojnë përmes Inteligjencës Artificiale.

Më herët ka pasur tregime biblike të engjëjve që derdhnin zorrët e tyre mbi Tokë, duke i kthyer detet në gjak. Por para tyre çfarë mendonin grekët e lashtë për fundin e botës? Për shumë grekë të lashtë, përfshirë filozofët Platonin dhe Aristotelin, bota nuk ka një fund, sepse ajo është ciklike.

Platoni besonte se të mbijetuarit do të rindërtonin gjithmonë jetën e tyre pas një katastrofe të madhe. Shumë nga stoikët besonin tek Ekpirosis, shkatërrimi periodik i kozmosit – çdo 36.000 vjet sipas Platonit – përpara se të fillonte sërish një cikël i ri. Poeti grek, filozofi ekonomik, bashkëkohësi i Homerit, dhe kronikani i rastësishëm i historisë, Hesiodi, shkruanin për një lloj apokalipsi që do të ndodhte, ku Perënditë shkatërrojnë njerëzimin.

Pesë epokat e njeriut sipas mitologjisë greke

Në poemën epike “Veprat dhe ditët” (Viti 700 Para Erës Sonë), Hesiodi i ndau në 5 periudhat e historisë. Ato ishin Epoka e Artë, Epoka e Argjendtë, Epoka e Bronzit, Epoka Heroike dhe Epoka e Hekurit, dhe e përshkruan përparimin e njerëzimit përmes thjerrëzave të mitologjisë greke.

Epoka e Artë nisi menjëherë pasi “zotat e pavdekshëm që banojnë në Olimp, krijuan një racë të artë njerëzish të vdekshëm”. Pastaj erdhi një “brezi i dytë njerëzish, që ishte prej argjendi dhe më pak fisnik”. Ai u pasua nga Epoka e Bronzit, një brez i tretë që ishte “i tmerrshëm dhe i fortë” dhe i etur për dhunë.

“Ata e shkatërruan veten, kaluan në shtëpinë e lagësht të Hadesit të ftohtë, dhe nuk lanë pas ndonjë emër. Sado të tmerrshëm që ishin, Vdekja e zezë i mori, dhe kështu ata lanë dritën e ndritshme të diellit”- shkroi Hesiodi. Në disa versione të rrëfimit, Zeusi dërgon një përmbytje për të vrarë njerëzit e Epokës së Bronzit.

Pas kësaj, ai krijoi një “racë heronjsh të ngjashëm me Perëndinë”, dhe në këtë kohësupozohet se jetuan shumica e heronjve mitologjikë grekë përfshirë Perseun, Odiseun dhe Akilin. Hesiodi ankohej se nuk kishte lindur në Epokën e Heronjve, por në epokën tjetër.

“Sepse tani është Epoka e Hekurit,ku njerëzit nuk pushojnë kurrë së punuari fort ditën dhe u trishtuar natën; dhe Perënditë do t’i vënë në telashe të rënda”. Hesiodi besonte se kjo epokë “e hidhur” dhe “mizore” do të ishte e fundit.

“Sidoqoftë, edhe këta do të kenë disa të mira të përziera me të këqijat e tyre. Dhe Zeusi do ta shkatërrojë këtë racë njerëzish të vdekshëm edhe kur ata t’i kenë flokë e thinjur”- shtoui ai më tej. Hesiodi përshkruan më shumë detaje rreth kësaj epoke, duke e parë atë si një kohë kur keqbërësit lavdërohen për veprat e tyre të dhunshme dhe kur njerëzimi kënaqet me të keqen. “Dhe atëherë Aidos dhe Nemesis, me format e tyre të ëmbla dhe të mbështjella me rroba të bardha, do të largohen nga toka, dhe do të braktisin njerëzimin për t’u bashkuar me shoqërinë e Perëndive të pavdekshme. Dhe pikëllime të hidhura do t’u lihen njerëzve të vdekshëm, teksa nuk do të ketë asnjë ndihmë kundër të keqes”. Shpresojmë që bota të jetë ciklike, sepse nuk do të donim që të merrte fund njëherë e përgjithmonë./bota.al/KultPlus.com

Të ngjajshme