25 Shtator, 2020 - 2:52 pm
“trëndafili i bardhë” ka gjete një hapësirë të veçantë në kryeqytetin e Prishtinës, duke synuar që një pjesë të këtij qyteti ta rifunksionalizojë, pikërisht nëpërmjet shpirtit të këtij trëndafili, shkruan KultPlus.
Në një ambient modest, artisti i përmasave të mëdha Sislej Xhafa ka inauguruar veprën e tij “trëndafili i bardhë”, që kishte gjet pikërisht një ambient ku kujdesen për pëllumbat, atë të Shoqatës për Kultivimin dhe Mbrojtjen e Pëllumbave.
Dhe vet artisti Xhafa ka thënë para të pranishmëve se kjo vepër nuk do të ishte komplet, sikur mos të kishte këtë ambient se ku është vendosur, për dyqanet e vogla përreth dhe njerëzit që frekuentojnë këtë pjesë që ofron ngrohtësi.
“Ne bëjmë pyetje por unë nuk kam përgjigje, po ta kisha pas përgjigjen nuk do të kisha bërë art, kështu që vepra me të vërtetë është një pyetje”, u shpreh Sislej Xhafa, i cili veprën “trëndafili i bardhë”, e inauguroi në praninë e shumë miqve, artistëve, dhe në prani të drejtoreshës së Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Blerta Basholli, të cilët edhe ishin mbështetës të këtij projekti.
Vendosja e një vepre të artit bashkëkohor në hapësira publike, për artistin e madh Xhafa që vepra të mëdha ka në shumë vende të botës, është një mundësi që tu falin përvojë artistike edhe njerëzve të thjeshtë.
Kurse drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në kuadër të Komunës së Prishtinës, Blerta Basholli u shpreh se ky lloj arti iu afrohet qytetarëve, vizitorëve dhe të tjerëve që dëshirojnë të shijojnë artin.
Kurse piktorja Zake Prelvukaj artistin Xhafa e ka vlerësuar si një artist që ushqen komunitetin me performancat dhe veprat e tij.
“Një vepër e Sislej Xhafës, për mua është një përfaqësim shumë i mirë i një artisti i cili është me përmasa botërore”, ka thënë Prelvukaj.
E për kryetarin e Shoqatës për Kultivimin dhe Mbrojtjen e Pëllumbave Mustafë Berisha, ky moment është shumë i veçantë, sepse inaugurimi i një vepre arti të një artisti kaq të njohur, pranë shoqatës së tyre, tash e tutje i jep një dimension tjetër kësaj hapësire të kryeqytetit.
“Kjo vepër artistike do të mbetet kujtim përgjithmonë, është trashëgimi, sepse do të vijnë gjenerata e gjenerata dhe do ta shohin këtë vepër.
E Arta Agani, ish drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Arteve të Kosovës ka thënë se ndjehet e fascinuar me veprën, por edhe me vendin se ku është vendosur kjo vepër.
“Pozita ku gjendet kjo vepër është paksa e çuditshme, por unë e kuptoj atë si një riaktualizim të njërës prej lagjeve më të vjetra të Prishtinës, që ka shumë rëndësi për qytetin”, tha Agani.
Vepra “trëndafili i bardhë” e trajton unitetin, diversitetin dhe kompleksitetin e gjendjes njerëzore dhe hulumton se si bota jonë mund të shfaqë ironi dhe realitet të fortë. Ajo është një skulpturë që krijon një fërkim mendor për shikuesin, duke ngritur pyetje të rëndësishme ndërsa krijon harmoni midis pranisë njerëzore dhe identitetit të saj si hapësirë për artin. Njëkohësisht, paraqet edhe gjendjen e fuqishme psikologjike të melankolisë dhe lehtësisë. “trëndafili i bardhë” është një nderim për bukurinë e popullit tonë, tokës, komunitetit të rrethuar nga përmbysjet globale, për njerëzit e saj dhe unitetin e të cilët e përfaqësojnë.
“trëndafil i bardhë” është vepra e parë e projektit “Art në Hapësirë Publike” financuar nga Komuna e Prishtinës, e cila sot është vendosur në rrugën “Andrea Gropa”, te “Shoqata për Kultivimin dhe Mbrojtjen e Pëllumbave./KultPlus.com