15 Korrik, 2020 - 8:30 pm
Skulptori i njohur britanik ka vendosur statujën e protestueses nga lëvizja “Black Lives Matter” në piedestalin ku gjendej statuja e një tregtari me skllevër, në qytetin Bristol të Britanisë.
Artisti Marc Quinn krijoi statujën me përmasa reale të protestueses Jen Reid, e cila është vendosur në vendin e statujës së Edward Coltonit, pasi që protestuesit e kishin rrëzuar dhe hedhur në limanin e Bristolit më 7 qershor.
Statuja është vënë mëngjesin e së mërkures, pa leje nga zyrtarët e qytetit, shkruan AP.
Reid, e cila shkoi të shihte statujën, tha se u mbush me krenari. “Mendoj se është e mahnitshme”, tha ajo. “Duket thuajse gjithmonë ka qenë aty”.
Colston kishte qenë një tregtar i shekullit 17 i cili bëri pasuri të madhe duke transportuar afrikanë të skllavëruar në kontinentin e Amerikës, me anë të anijeve nga limani i Bristolit, transmeton KOHA.
Rrëzimi i statujës së tij ishte pjesë e një proteste mbarë botërore kundër racizmit dhe skllavërisë, e ndezur për shkak vdekjes së afro-amerikanit George Floyd në duart e policisë së SHBA-së.
Quinn, që është njëri nga skulptorët më të njohur të Britanisë, ka thënë se protestuesja Reid kishte “krijuar vetë skulpturën kur hipi në atë piedestal dhe ngriti dorën lartë”.