12 Nëntor, 2019 - 6:30 pm
Studentët shqiptarë të arkitekturës në Itali prezantuan sot përfundimet e studimit të tyre të realizuar pak muaj më parë në disa nga monumentet kulturore shqiptare, njofton Ministri i Shtetit dhe Diasporës në Shqipëri, Pandeli Majko, shkruan KultPlus.com
“Përfundimet e studimit u prezantuan sot gjatë një takimi të organizuar nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin “IOM”, ku mori pjesë edhe ministri i Shtetit për Diasporën. Në fjalën e tij ministri Majko vlerësoi kontributin e të rinjve për përfshirjen në projekte të tilla në dobi të vendit të origjinës së tyre, pasi si kurrë më parë Shqipëria ka nevojë për njerëzit e saj dijet dhe eksperiencën tyre”, ka shkruar ndër të tjera në Facebook.
“Kjo nismë është një shembull i përsosur për ndërtimin e lidhjeve, shkëmbimin e informacionit dhe përvojave të Diasporës së kualifikuar shqiptare” u shpreh më tej ministri.
Studiuesit e rinj, pjesë e projektit “Diaspora si një burim për ruajtjen dhe përmirësimin e monumenteve kulturore më pak të njohura në Shqipëri” kanë mbaruar studimet e tyre në Fakultetin e Arkitekturës të Universitetit të Firences, si pjesë e skemës së Fellowship-it të Programit të “IOM”, ata kryen një studim për monumentet kulturore shqiptare në pesë fshatra në Përmet në fshatin Bënjë, Leusë, Kosinë, në fshatin malor të Razmës, Shkodër dhe fshatin bregdetar të Zvërnecit në Vlorë.